Financat e dyshimta të partive politike/ Alarmon juristi: Kështu thellohen veprimet kriminale dhe tradhtia ndaj Kosovës

Politika

Financat e dyshimta të partive politike/ Alarmon juristi: Kështu thellohen veprimet kriminale dhe tradhtia ndaj Kosovës

Nga: M.Lakna Më: 11 gusht 2023 Në ora: 12:20
Foto ilustrim

Juristi Muhamet Kelmendi e konsideron si kaotike situatën aktuale me subjektet politike në Kosovë.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se Republika e Kosovës duhet të ketë kontroll të plotë mbi partitë politike.

Ai ka rikujtuar se subjektet politike në Kosovë dhe deputetët janë persona juridikë dhe fizikë, të krijuar nga qytetaret dhe të zgjedhur nga votat e qytetarëve dhe si të tillë domosdo kanë përgjegjësi juridike para shtetit të Kosovës dhe qytetarëve.

Image
Muhamet Kelmendi

“Subjektet politike në Kosovë duhet të organizohen në baze të një baze juridike ligjore, ku qytetarët e mendimeve të njëjta ideopolitike bashkohen në një organizim juridik dhe si subjekte politike garojnë për të marr pushtetin, kuptohet me vota të qytetarëve.

Ndërsa, deputetet e Kuvendit të Kosovës kandidojnë nëpërmjet subjekteve politike ose vetëm për vetëm, si dhe në grupe te organizuara, kuptohet për të dalë deputet dhe për t’i realizuar pikëpamjet programore ose politike individuale në parlament.

Subjektet politike kërkohet t'i nënshtrohen ligjeve të vendit dhe të përgjigjen para organeve te shtetit dhe qytetareve, gjate mandatit të marr, para dhe gjatë zgjedhjeve”, ka thënë Kelmendi për “Bota sot”.

Sipas tij, nxjerrja e ligjeve që e kufizon ose e lejon subjektin politik të pakontrolluar është shumë e dëmshme dhe shtetit i bënë dëme të mëdha, sepse kryejnë punë kundër shtetit.

“Në këtë mënyrë në Kosove u krijuan subjekte politike të grupeve të interesit, përkatësisht të klaneve politike dhe ekonomiko-financiare, që nuk i shërbejnë popullit, por grupeve të organizuara kriminale dhe armiqve të Republikës.

Forma e tillë ka bërë që në Kosovë mos të raportohen të ardhurat nga financohet partia politike dhe deputetet.

Subjekti politik dhe deputeti mund të financohet, jo vetëm nga format e përcaktuara ligjore, por edhe nga krimi i organizuar, nga grupet mafioze ose nga shtetet armike.

Kështu subjekti politik dhe deputetet kriminalizohen dhe nuk i shërbejnë më votuesve të vet dhe Republikes.

Ata punojnë për armiqtë e shtetit”, ka nënvizuar profesori.

Ai ka shtuar se për fat të keq, çdo subjekt politik dhe deputet në Kosovë kanë financime të dyshimta, tepër jo transparente dhe kjo ka bërë kriminalizimin e politikës në Republikë.

“Këtu e ka edhe burimin vendimi i SHBA-ve mbi shpalljen e personave nga skena politike në persona non-grata.

Shteti i Kosovës nuk e di nga i vijnë financat VV-se, LDK-së, PdK-së, AAK-së ose grupeve politike te minoritareve dhe, sidomos nuk ka të dhëna për "Listen Serbeska", që ka mjaft financa të marra nga Serbia.

Kështu kemi një gjendje që fare nuk kontrollohen subjektet politike dhe as deputetet” , është shprehur Kelmendi.

Juristi ka potencuar se kjo situatë ka bërë që në Kosovë të funksionojnë dy lloje të partive politike, në ato të klaneve dhe interesave personale dhe ato që i shërbejnë armikut.

“Këtej është krijuar gjendja ku ne Kuvend te Kosovës kemi dy lloje te subjekteve politike dhe te deputeteve:

Këto janë:

1. Subjekte politike dhe deputet që punojnë vetëm për interesa klanore, personale dhe pa asnjë ideologji dhe

2. Subjektet politike dhe deputetë që tërë aktivitetin e tyre e bëjnë për interesa të shteteve tjera, siç është p.sh

"Lista Serbska", që punon për shtetin serb.

Të dy këto janë të rrezikshme.

E para, sepse e kthen shtetin në vegël të grupeve kriminale dhe shteti kështu kriminalizohet.

E dyta, sepse duke punuar për armiqtë, siç është Serbia, dëmtohet shteti i Kosovës dhe rrezikohet vendi nga kriminelet serbomëdhenj, të kalibrit të Vuçiqit”, ka theksuar ai.

Të dy këto organizime politike sipas Kelmendit, shteti duhet ti luftoj me konsekuencë dhe kjo mund të bëhet me sukses nëse shteti ka kontrolle financiare mbi partitë dhe mbi kandidatet dhe deputetët në organet e shtetit..

Në fakt, ky kontroll financiar duhet të jetë i domosdoshme për çdo subjekt fizik dhe juridik të shtetit.

Pa një kontrolle ka mundësi kështu të thellohen veprimet kriminale dhe tradhtia ndaj Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat