Deklarata e deputetit holandez/ Analistët: BE nuk duhet të jetë e anshme, Kosova-Serbia të arrijnë marrëveshjen përfundimtare

Politika

Deklarata e deputetit holandez/ Analistët: BE nuk duhet të jetë e anshme, Kosova-Serbia të arrijnë marrëveshjen përfundimtare

Nga: Qëndresa Rexhaj Më: 11 gusht 2023 Në ora: 18:31
Deputeti holandez i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten

Deklarata e deputetit holandez të Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, i cili tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin tre hapa të shpejtë e të vështirë, ka nxitur reagime të mëdha brenda dhe jashtë vendit.

Ai është shprehur se, duhet lënë anash mendësinë e të mospërgjigjurit qartazi ndaj marrëveshjeve të kaluara, duhet të ketë koordinim, si dhe duhet të jemi më të vendosur në atë se cila është rruga përpara.

“Duhet lënë anash vetëkënaqësinë dhe qasjen e butë, dhe mendësinë e të mospërgjigjurit qartazi ndaj marrëveshjeve të kaluara. E dyta, duhet të ketë koordinim për dallim prej muajve të fundit që kemi parë tone dhe qëndrime të ndryshme sa i përket situatës mes Kosovës dhe Serbisë dhe ngjarjeve në Bosnjë e Hercegovinë. Së treti, duhet të jemi më të vendosur në atë se cila është rruga përpara. Kjo do të thotë se shtetet duhet të marrin vendime të vështira. Serbia duhet të marrë vendim të qartë për Evropën, në vend të miqësisë së ngrohtë me Rusinë e [presidentit rus, Vladimir] Putinit, por kjo nënkupton që edhe politikanët në Bosnjë e Hercegovinë duhet t’i caktojnë prioritetet që janë të domosdoshme për integrim në familjet evropiane”, ka nënvizuar Reuten.

Nga ana tjetër, analistët politik duke komentuar këtë deklaratë konsiderojnë se Kosova dhe Serbia tashmë duhet të arrijnë marrëveshjen përfundimtare.

“BE duhet të veproj objektivisht dhe jo të jetë e njëanshme e subjektive”

Image
Analisti politik Hidajet Ahmeti

Analisti politik Hidajet Ahmeti, potencon se në situatën aktuale, BE duhet të veproj objektivisht, e jo të jetë e njëanshme e subjektive.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të bëj kompromise në rastet ku preket sovraniteti dhe integriteti i saj.

“Vetpretendimi i shteteve për anëtarësim në BE nënkupton gërryerje të sovranitetit të shteteve, duke vendosur një pushtet mbi shtetëror. Por kjo nuk do të thotë që Kosova për kufijtë e vet administrativ të dorëzoj një pjesë të sovranitetit Serbisë. Kjo logjikë e BE-së nuk normalizon raportet, por krijon hendekun më të madh në mes Kosovës dhe Serbisë. BE duhet të veproj objektivisht në këto rrethana e jo të jetë e njëanshme e subjektive. Nëse me të vërtetë projekti i BE-se është për normalizim të raporteve ndërshtetëror atëherë BE duhet të jetë konstruktive. Kosova asnjëherë nuk duhet të bëj kompromise në rastet ku preket sovraniteti dhe integriteti i saj, pasi shteti i Kosovës është fakt juridik ndërkombëtar. Kosova me këta kufij administrativ dhe me këtë status të shtetësisë ka fituar legjitimitetin dhe legalitetit e pavarësimit. Prandaj çdo përpjekje për t'i dhanë kahje tjetër kësaj çështje krijon destabilitet e jo normalizim. Kuptohet marrëveshjet ndërkombëtare janë obligative, por Kosova nuk duhet të lejoj të bëj ndryshime kushtetuese për të integruar marrëveshjet në aktin më të lartë juridik”, thotë ai për Botasot.

“Vuçiq të ndal retoriken nacionaliste dhe kërcënimet për Kosovën”

Nga ana tjetër, analisti politik, Blerim Burjani, vlerëson se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshjen përfundimtare, në të kundërtën sipas tij, do të ketë retorik sanksionesh për ata që nuk i binden politikës së BE-së.

Burjani në një prononcim për “Bota sot”, thekson se Kosova duhet të bëjë kompromis drejt themelimit të asociacionit. Ndërkaq, Serbia ta njoh në një format Kosovën.

Image
Analisti politik, Blerim Burjani

“Kërkesa do te jetë e qartë, Kosova dhe Serbia duhet te arrijnë marrëveshje përfundimtare, ose do të ketë retorik sanksionesh për ata qe nuk i binden politikes së BE-së. Janë lodhur me qasjen e Serbisë ndaj Rusisë, pra Serbia duhet të pranoj politiken e BE ndaj Rusisë, Kosova duhet të bëj kompromis drejt themelimit të asociacionit, Serbia ta njoh në një format Kosovën. Kosova duhet të rehatoj Serbët lokal. Vuçiq të ndal retoriken nacionaliste dhe kërcënimet për Kosovën. Këto gjëra mund të jenë në interes të BE-së dhe ShBA-ve”, deklaron ai.

Letra e ligjvënësve amerikanë dhe evropianë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si zhvillim pozitiv dërgimin e letrës nga dhjetëra ligjvënës amerikanë e evropianë te zyrtarët e lartë në Bruksel, Uashington e Londër, përmes së cilës u kërkua ndryshimi i qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë mbledhjes së fundit të Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se nënshkruesit e letrës shprehën mbështetjen e tyre për Kosovën dhe kërkuan qasje më të ashpër ndaj Serbisë “dhe rrezikut që veprimet e saj paraqesin për rajonin tonë”.

“Ne u jemi falënderues të gjithë përfaqësuesve politikë që i janë bashkuar kësaj thirrjeje të përbashkët, e mirëpresim secilin nënshkrim dhe mbështetje të radhës. Ky lloj i mbështetjes na e përforcon përkushtimin tonë për shtensionim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Kosovës, angazhimin për demokraci dhe bindjen për ligjshmëri dhe kushtetutshmëri”, tha Kurti.

Në fillim të kësaj jave, deputetja britanike Alicia Kearns, publikoi letrën, të cilën sipas saj e kanë nënshkruar dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë.

Kjo letër iu dërgua shefit të diplomacisë të bllokut evropian, Josep Borrell, kryediplomatit amerikan, Antony Blinken, dhe atij britanik James Cleverly.

Në letër u tha se “Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës”.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga fundi i majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit.

Kjo u kundërshtua nga serbët lokalë.

“Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimet. Por, mungesa e presionit ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për t’i mbajtur përgjegjës ata që kryen sulme ndaj KFOR-it vënë në pah mungesën e barazisë në adresimin e tensioneve”, u tha në letrën e ligjvënësve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat