Kërkesa e Rashiqit dhe kritika e zëdhënësit të BE-së, ja çka i kërkohet Kosovës: Kështu largohen sanksionet!

Politika

Kërkesa e Rashiqit dhe kritika e zëdhënësit të BE-së, ja çka i kërkohet Kosovës: Kështu largohen sanksionet!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 12 gusht 2023 Në ora: 20:01
Nenad Rashiq

Bashkimi Evropian (BE) kërkoi nga qeveria e Kosovës veprime shtesë në drejtim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha të enjten në Bruksel, se masat ndëshkuese të vëna ndaj Kosovës janë masa të kthyeshme dhe kjo varet nga mënyra se si Prishtina por edhe Beogradi i qasen shtensionimit të situatës dhe kthimit në proces normal të dialogut.

Ndërsa, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, vlerëson se procesi i deeskalimit të situatës në veri të Kosovës po shkon në drejtimin e duhur dhe se në këtë moment “të gjithë duhet të jenë të durueshëm, tolerantë dhe të arsyeshëm”.

Ai theksoi se anulimi i vendimit për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia do të bëhet me qëllim të shtensionimit të mëtutjeshëm, por rithekson se Kosova “duhet të marrë diçka”.

“Ju e dini si është në politikë, ju jepni diçka, ne japim diçka. Këto janë interesa strategjike që i lejojnë të dyja palët të fitojnë dhe nuk kam asnjë problem me këtë, sepse vetë diplomacia do të thotë të ‘tolerosh’ palën tjetër për të marrë vendime të arsyeshme”, thekson Rashiq.

Analistët për “Bota sot” komentuan qasjen e BE-së dhe kërkesat e tyre ndaj Kosovës për largimin e sanksioneve.

Po ashtu, ata treguan se cilat janë hapat e mëtej që duhen ndërmarrë nga institucionet e Kosovës për heqjen përfundimtare të masave ndëshkuese.

Elezaj: Me implementimin e tri kërkesave të BE-së në veri të Kosovës nga ana e qeverisë “Kurti-2”, me automatizëm Kosovës do të hiqen masat ndëshkuese të BE-së

Image
Rexhep Elezaj

Opinionisti Rexhep Elezaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t’i plotësojë tri kërkesat e parashtruara nga Bashkimi Evropian (BE).

Sipas tij, themelimi i Asociacionit duhet të bëhet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, pa marrë parasysh nësë i pëlqen Listës Serbe apo jo.

“Po, çdo veprim i qeverisë së Kosovës që çon në sh’ tensionim të situatës në veri, siç ishte reduktimi prej 25% të pranisë së policisë speciale brenda dhe për rreth ndërtesave komunale në veri, BE-ja dhe faktorët tjerë ndërkombëtar e mirëpresin, por shikuar nga këndi i zyrtarëve të BE-së, reduktimi vetëm 25%-ind i policisë tonë në veri nuk mjafton për Brukselin që t’i heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Prandaj, qeveria e Kosovës duhet t’i plotësojë pa hezitim tri kërkesat e BE-së, siç është largimi i policisë tonë speciale nga veriu, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri, kushte të cilat siç dihet qeveria e Kosovës ende nuk i ka plotësuar. Se, pse qeveria “Kurti-2” po vepron me këtë ngadalësi, kjo është vështirë të dihet, por unë mendoj se çdo hap i vonuar në implementimin e këtyre tri kërkesave të BE-së në fjalë, vetëm sa po i dëmton interesat shtetërore të Kosovës, qoftë në mesin e tyre edhe themelimi i AKS, i cili natyrisht dhe pa asnjë dilemë, duhet të formohet, nëse do formohet, ekskluzivisht në harmoni me normat kushtetuese të Republikës së Kosovës, i pëlqeu kjo apo jo, palës dhe Listës serbe në veri. Dhe, këtë fakt serbët e dinë fare mirë, se në Kosovë e pavarur dhe sovrane nuk mund të kenë kurrë asociacion të komunave me kompetenca ekzekutive, veçse bashkësi të komunave në nivel lokal të vetëqeverisjes, dhe asgjë më shumë se kaq”, deklaroi opinionisti.

Po ashtu, Elezaj potencoi se kërkesa e Rashiqit nuk ka lidhje me masat e BE-së, pasi ndalesa për mallrat serbe është vendim i brendshëm.

Pra, qeveria e Kosovës duhet ta ofrojë Draft-statutin e këtij asociacioni pasi që ta ketë miratuar Kuvendi i Kosovës, për të marrë nismën e formimit të këtij asociacioni të shumë përfolur në opinionin serb dhe shqiptar, duke e mbyllur njëherë e mirë çdo debat dhe dilemë rreth tij, pa marrë parasysh faktin, se a do ta refuzojë të njëjtin pala serbe apo jo, ngase Kosova nuk ka më kohë për të humbur për shkak të lojërave politike të Beogradit zyrtar si dhe blerjes kohë për ta zhagitur sa më shumë marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.

Ndërsa, kërkesa e z. N. Rashiq për heqjen e ndalesës për mallrat serbe që të hyjnë në Kosovë në këmbim të largimit të masave ndëshkuese ndaj Kosovës nga ana e BE-së, mendoj se kjo nuk ka asnjë lidhje me masat e Brukselit ndaj Kosovës, ngase ndalesa për mallrat serbe është vendim i brendshëm i qeverisë Kurti, por jo edhe kusht i BE-së ndaj Kosovës”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, opinionisti vlerësoi se sanksionet po i sjellin dëm Kosovës, dhe se me realizimin e tri kërkesave nga ana e qverisë tonë, beson se BE do t’i largojë ato.

“Po, është e vërtetë se masat ndëshkuese të BE-së të vendosura ndaj Kosovës, çdo ditë e më tej po i sjellin dëme, sidomos financiare, shtetit të Kosovës, për heqjen e të cilave qeveria jonë duhet të ndërmerr hapa konkret, dhe atë konform kërkesave të BE-së, që situata në veri të stabilizohet, dhe se kushti i parë për këtë është mbajtja e zgjedhjeve për katër komunat në veri, ku pjesëmarrja e serbëve lokalë duhet të jetë e plotë, e jo sikur në zgjedhjet e kaluara. Pra, 4 kryetarët aktualë shqiptarë duhet të japin dorëheqje, e jo nga serbët të kërkohet peticion, akt të cilin ata kurrë nuk do ta bëjnë. Prandaj, me implementimin e tri kërkesave të BE-së në veri të Kosovës nga ana e qeverisë “Kurti-2”, me automatizëm Kosovës do të hiqen masat ndëshkuese të BE-së. Dhe, nëse dikush në qeverinë e Kosovës sheh dhe ka ndonjë rrugë dhe mundësi tjetër alternative për këtë që u tha më lartë, do ishte mirë që këtë enigmë t’ia bëjnë të qartë popullit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Mehmeti: Kosova s’mund të bëjë vazhdimisht hapa derisa të tjetët nuk bëjnë

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot”, kritikoi BE-në për qasjen e saj ndaj Kosovës.

Madje, potencoi se kërkesa e Rashqiti nuk është e drejtë.

“BE po tregohet e padrejtë me Kosovën me kërkesa në pakufi. Realisht, Kosova bëri hapin e pare, gjë që duhet ta bëj edhe BE në anën tjetër e jo të kërkoj hapa të tjerë derisa vet nuk po lëviz. Edhe kërkesa e Rashiqit nuk është e drejtë meqenëse sanksionet ndaj mallrave serbe janë vendosur për rrëmbimin e policëve e jo për dicka tjetër”, nënvizoi analisti.

Madej, shtoi se Kosova nuk duhet të bëjë hapa në vazhdimësi, derisa BE nuk po merr asnjë masë ndaj Serbisë ose diçka më shumë.

“Kjo s’do të thotë se Kosova s’duhet të tregohet bashkëpunuese edhe më tutje, por do të thotë se Kosova s’mund të bëjë vazhdimisht hapa derisa të tjetët nuk bëjnë. Pra, Kosova të kërkojë që edhe BE të bëj hapin e radhës, përndryshe s’mund të lëviz pa bërë edhe pala tjerë hapa”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat