“Befason” ish-deputeti: SHBA dhe BE mund ta zgjidhin problemin e veriut për tri ditë, ja si duhet të veprojë Qeveria Kurti

Politika

“Befason” ish-deputeti: SHBA dhe BE mund ta zgjidhin problemin e veriut për tri ditë, ja si duhet të veprojë Qeveria Kurti

Nga: A.Zh Më: 13 gusht 2023 Në ora: 10:17
Albin Kurti

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Adem Salihaj, ka deklaruar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund ta zgjidhin problemin me veriun e Kosovës për tri ditë. Por, sipas tij, kjo nuk po ndodhë për shkak të arsyeve të BE-së dhe SHBA-së.

“Problemi i veriut mbahet qëllimisht aktual nga BE dhe SHBA. Është një problem, të cilin Kosova, me ndihmën e policisë dhe të FSK-së mund ta zgjidhë për tri ditë. Asnjë lloj bande as grupi terrorist i Vuçiqit nuk do të mbetej aty. Por, faktorët që i përmenda nuk e lejojnë këtë, për arsyet e tyre, jo për arsyet tona”, ka thënë Salihaj për gazetën “Bota sot”.

Ai ka kërkuar kujdes nga Qeveria e Kosovës, në raportet me perëndimorët, pasi sipas tij, Kosova nuk ka fuqi që të bëjë veprime, që nuk lejohen nga SHBA dhe BE.

“Qeveria e Kosovës duhet të sillet me kujdes dhe të mos bëjë veprime, të cilat nuk do t'i lejojnë BE-ja dhe SHBA-të. Ne nuk kemi aq fuqi që ta bëjmë këtë në kundërshtim me vullnetin e tyre. Këta faktorë duan ta mbajnë këtë pjesë të Kosovës si karrotë dhe çështje pazaresh, pra për interesat madhore të tyre, jo tonat”, ka theksuar më tej ish-deputeti i LDK-së.

Opozitarët po e fajësojnë Qeverinë Kurti për tensionet dhe “prishjen” e marrëdhënieve me ndërkombëtarët, ku tashmë Kosova edhe është sanksionuar. Sipas Salihajt, një zgjidhje e drejtë dhe sipas dëshirës së Kosovës, nuk ështe e mundshme.

“Zgjidhja e drejtë dhe sipas dëshirës sonë, nuk është e mundur për arsyet që i thashë më lart”.

Ai ka këshilluar Qeverinë që mos ndërmarr veprime, për të cilat ka pasoja të rënda për vendin.

“Qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme në veprimet e saj dhe të mos vijë në situatë që pas veprimeve të pamenduara mirë, të tërhiqet edhe më larg se sa ishte para këtyre veprimeve. Pra, nuk duhet lëshuar pe, por as nuk duhet ndërmarrë veprime, për të cilat ka vetëm pasoja të rënda, pa asnjë rezultat. Duhet vepruar në stilin "ngreh e mos këput". Situata e krijuar me eufori dhe pa menduar mirë në veri, solli pasoja të rënda për Kosovën”, ka thënë Adem Salihaj./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat