Vizita e Kurtit që ‘tronditi’ kundërshtarët e tij politikë dhe jo vetëm – vjen një parashikim befasues! 

Politika

Vizita e Kurtit që ‘tronditi’ kundërshtarët e tij politikë dhe jo vetëm – vjen një parashikim befasues! 

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 gusht 2023 Në ora: 15:13
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten, më 11 gusht zhvilloi një vizitë zyrtare në Tetovë dhe Çair të Shkupit. 

Kryeministri Albin Kurti qëndroi në këto dy komuna të banuara me popullatë shqiptare, me ftesë të kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, dhe atij të Tetovës, Bilall Kasami. Kurti mori pjesë në përurimin e një rrugë me emrin e veprimtarit, Adem Demaçi në Çair, ndërsa në Tetovë mori pjesë në lëshimin në përdorim të një rruge në Malësinë e Tetovës. 

Gjatë kësaj vizite Kurti dhe kreu i Tetovës folën edhe mbi nevojën e hapjes së një tuneli me gjatësi prej rreth 6 kilometra, që do të lidhte Tetovën me Prizrenin. 

Kurti u prit me ikonografi shqiptare, flamuj e simbole tjera kombëtare shqiptare. 

Kjo vizitë e Kurtit bëri bujë të madhe, ku nuk munguan edhe kritikat. 

Si fillim, kritika ndaj tij u adresuan nga partitë opozitare, e më pas edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe nga presidenti maqedonas Pendarovski. 

Siç duket, këtyre u pengoi pritja madhështore që ia bënë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe ndikimi që mund të ketë kryeministri Kurti në RMV. 

Këto reagime kundër Kurtit dhe vizitën e tij në Tetovë e Çair e komentuan analistët politikë për gazetën “Bota sot”. 

Qarri: Euforia pozitive që u shpreh duke tejkaluar të gjithë kufijtë e pritshëm, me rastin e kryeministrit Kurti, nga shqiptarët, jo vetëm që nuk ishte partiake, por nuk kishte as si të organizohej më mirë 

Image
Gani Qarri

Fillimisht, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri tha se pritja madhështore që iu bë Kurtit në RMV ishte mikpritje vëllazërore dhe kombëtare. 

Po ashtu, ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” potencoi se shqiptarët shprehën zhgënjimin e tyre ndaj përfaqësuesve politik të tyre në Maqedoni të Veriut. 

“Në fakt pritja aq madhështore e me numër aq të madh pjesëmarrësish si dhe ovacionet e përmasave eksplicite, të papara që sa kohë, në mikëpritja e një politikani shqiptar, të shprehura në mënyrë aq të qartë dhe plotësisht pa anime as nënkuptime segmentare, siç ndodhi me rastin e vizitës së Kryeministrit Kurti në Shkup dhe Tetovë, dëshmoi se nuk ishte pritje politike, e determinuar në bazë të përkatësisë partiake, por mikpritje vëllazërore dhe kombëtare që shpreh katërçipërisht, përveç gëzimit edhe zhgënjimin e thellë të shqiptarëve në trojet e veta etnike nën FYROM, me përfaqësuesit e "tyre" në politikë dhe pushtet. 

Përfaqësues që edhe pas më tepër se tri dekadave të kaluara, ende vijnë me imponime nga mbetjet e fosileve të vjetra politike, të cilët gjithmonë kanë luftuar për ruajtjen e pozitave të veta dhe mbetjen sa më gjatë në pushtet, se sa që janë brengosur ndonjëherë seriozisht, për mbrojtjen e interesave të popullsisë që ligjërisht "përfaqësojnë" duke tradhtuar edhe publikisht premtimet e dhëna dhe vrarë shpresat e atyre, në emër të të cilëve janë ngritur në pushtet”, deklaroi ai. 

Krahas kësaj, Qarri theksoi se fakti që ka duke qenë i papërlyer në afera të pista dhe i pa korruptuar, e ka bërë Kurtin të jetë politikanë i pëlqyer në trojet shqiptare. 

“Vet kjo flet më tepër se qartë, se pas gjeneratës së "artë" politike të viteve të 90-ta të udhëhequr dhe bashkërenduar në mënyrë aq shembullore e ndoshta edhe superiore politike dhe kombëtare, nga presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në bashkëpunim me Arbër Xhaferin në Iliridë dhe Riza Halimin në Kosovën Lindore, të cilët që të tre dilnin me deklarata të bashkërenditura dhe shumë të mirë-koordinuara, për të drejta të barabarta të shqiptarëve, në krahasim me ç ‘orientimin e tërësishëm aktual politik në trojet tona, duke filluar nga shteti amë Shqipëria dhe gjithandej ku ka shqiptarë në Ballkanin Perëndimor, duke qenë i papërlyer në afera të pista dhe i pa korruptuar, gjë që nuk ndodhë shpesh në politikën shqipfolëse, kanë bërë që aktualisht politikani më i adhuruar dhe me besimin më të madh të shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë, por gjithandej ku jetojnë shqiptarët, të jetë kryeministri i tanishëm i Kosovës Albin Kurti”, nënvizoi analisti. 

Gjithashtu, ai potencoi se është e dhimbshme se si trajtohen shqiptarët në RMV, ndonëse janë rreth 40 përqind në popullsi. 

Derisa, u shpreh se as nuk do duhej të diskutohej lejimi i kësaj vizite të Kurtit, që ishte shumë pozitive. 

“Pritja aq madhështore e kryeministrit Kurti në Shkup dhe Tetovë flet edhe për ndjenjën e dhembshme të lënies pas dore, pa përkrahjen e duhur dhe pa mbështetjen as minimale ndaj bashkëkombësve tanë, jo vetëm nën FYROM, por edhe pjesët tjera etnike, të mbetura padrejtësisht, jashtë kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë, ku shqiptarët e pa përfaqësuar denjësisht, atje, me të drejtë vijojnë të ndjehen tërësisht të vetmuar e madje edhe të tradhtuar publikisht nga politik bërësit shqipfolës, sidomos shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ku sot, u mungojnë edhe librat për mësim në gjuhën e tyre amtare shqipe. 

Akt mjaft i dhembshëm, për të cilin pothuajse nuk flitet asnjëherë publikisht, ku pas një diskriminimi të gjatë shekullor, jo vetëm në Kosovën Lindore por edhe në FYROM, me rreth 36-40% të popullsisë, që janë shqiptar, ende guxon të diskutohet, se do duhej lejuar apo jo, vizita e një kryeministri të Kosovës, te bashkëkombësit, që na ndanë kufijtë e vendosur dhunshëm me ta, por jo edhe ndjenjat vëllazërore, kultura gjuha dhe tradita kombëtare, në trojet e banuara me shumicë dërmuese shqiptare në Shkup, Tetovë etj, gjë që nuk ndodhë me asnjë vend dhe popull tjetër në rajon dhe Evropë”, vlerësoi Qarri. 

Ndër të tjera, analisti shtoi se vizita e Kurtit u organizuar ndershëm dhe iu bë një pritje e ngrohta nga shqiptarët, pasi aty u promovuan veprat e përbashkëta. 

“Ndaj euforia pozitive që u shpreh duke tejkaluar të gjithë kufijtë e pritshëm, me rastin e kryeministrit Kurti, nga shqiptarët, jo vetëm që nuk ishte partiake, por nuk kishte as si të organizohej më mirë dhe më ndershëm, se sa në mënyrën aq të ngrohtë e vëllazërore me këngë e valle dhe simbole kombëtare, me ç`rast u përurua edhe një rrugë në ish kryeqytetin e Dardanisë në Shkup, me emrin e heroit dhe veprimtarit kombëtar me përmasa evropiane Adem Demaçi, si dhe u promovua projekti i përbashkët për hapjen e tunelit dhe ndërtimin e rrugës së re Tetovë Prizren. 

Vizita e Kryeministrit Kurti, u realizua për promovimin e veprave të përbashkëta, hapjen e tuneleve dhe rrugëve të reja që bëjnë afrimin e qyteteve tona dhe intensifikimin e lidhjeve infrastrukturore, ekonomike dhe kulturore, akt që do duhej përshëndetur dhe parë në mënyrën më pozitive nga të gjithë, i cili forcon lidhjet, bashkon njerëzit, zgjeron turizmin dhe i kontribuon një zhvillimi më të madh dhe më të hovshëm ekonomik, nga të cilat, të paktën në këtë shekull, që në fakt, konsiderohet edhe si qindvjeçari i globalizmit botëror, nuk duhet të frikësohet askush, e as sllavomaqedonasit, kur dihet se shqiptarët janë pjesë me përqindje tejet të madhe konstituive fizike dhe politike e këtij shteti të përbashkët, pa të cilët, të gjithë e dimë se nuk mund të funksionojë paqja, politika, ekonomia dhe asgjë shtetërore”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”. 

Mulliqi: Opozita ekziston për të kritikuar pushtetin, por jo edhe në të gjitha rastet kur bëhet fjalë për interesat kombëtare 

Kurse, analisti tjetër politik, Skënder Mulliqi në prononcimin e tij për “Bota sot” e vlerësoi pozitivisht vizitën e Kurtit në Tetovë. 

Image
Skënder Mulliqi

Sipas tij, autostrada Tetovë-Prizren, do i kontribuonte jo vetëm bashkimit kulturor e ekonomik, por edhe bashkimit kombëtar. 

“Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tetovë, duhet shikuar si axhendë e vizitave që ka filluar tu bëj trojeve etnike. Kjo për të vizituar Tetovën, ka lidhshmëri edhe me deklarimin për autostradën që lidh Tetovën më Prizrenin, dhe që një autostradë e tillë është shumë e dobishme për lidhjet më të afërta të banorëve të këtyre dy lokaliteteve, por edhe të Kosovës me Maqedoninë Veriore. Integrimet ndër-shqiptare i kontribuojnë shumë bashkimit jo vetëm kulturor edhe ekonomik të viseve tona, por edhe bashkimit kombëtar, si synim i të gjithë shqiptarëve”, deklaroi analisti. 

Madje, Mulliqi kritikoi opozitën për akuzat ndaj Kurtit se po përçanë shqiptarët në RMV, derisa tha se po nxjerrin vetëm pretekste për ta kritikuar Kurtin. 

“Kryeministri Kurti u pritë jashtëzakonisht mirë nga tetovarët, që është për çdo lëvdate. Unë mendoj, se kryeministri ka pasur për axhendë vizitën në Tetovë, e jo agjendë ndërshtetërore, ku opozita edhe e mori si pretekst për ta kritikuar vizitën e kryeministrit. Drejtuesit e opozitës e kritikuan kryeministrin e Kosovës, pse ai nuk e ka takuar, Ali Ahmetin kryetarin e BDI-së si partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Nëse Kurti nuk e ka takuar Ahmetin me këtë rast, nuk do të thotë se nuk e takon herave të tjera. Dhe, është absurde të pohosh, se një vizitë e tillë e kryeministrit të Kosovës, është përçarëse për shqiptarët në Maqedoninë Veriore dhe në Kosovën Lindore”, potencoi ai. 

Tutje, analisti beson se Kurti nuk merret me mashtrime siç kanë potencuar nga partitë opozitare. 

Krahas kësaj, ai dyshon e LVV ka edhe mundësi të hapë degën e saj në Maqedoni të veriut. 

“Nuk ka mundësi që Kurti të merret më mashtrime të tilla të ultë, ku u kritikua nga taborët e AAK dhe PDK, duke thënë së kryeministri po mashtron, se ai ka bllokuar projektet e rëndësisë nacionale, siç është edhe rruga e filluar  Kosovë –Plavë, i cili projekt duhet  të realizohet mendoj unë nga qeveria së bashku më projektin e  rrugës, Tetovë –Prizren, kur dihet rëndësia e tyre strategjike kombëtare. Kurti nga opozita u kritikua se ka formuar degën e LVV në Shqipëri, e që ka të drejtë kushtetuese. Nuk dua të manipuloj por, ka mundësi që LVV do të ketë planifikuar edhe formimin e një dege të saj, në Maqedoninë e Veriut. Kjo ka mundësi të jetë spekulim”, shpjegoi Mulliqi. 

Në fund, ai shtoi se opozita nuk duhet të kritikojë edhe në rastet kur në pyetje është interesi kombëtar, si në rastin e vizitës së Kurtit në RMV. 

“Vizita e shefit të Qeverisë së Kosovës në Maqedoninë e Veriut nga shumica shihet si përpjekje për thellimin e bashkëpunimit me opozitën shqiptare në shtetin fqinj dhe jo me institucionet legjitime të shtetit ku bëjnë pjesë edhe ministrat e deputetët shqiptarë, në shumicë ata të BDI-së. Qeveria ka pohuar se vizita e kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut është bërë më ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, me rastin e riemërtimit të një rruge në Shkup me emrin e veprimtarit, Adem Demaçi. Dihet se opozita ekziston për të kritikuar pushtetin, por jo edhe në të gjitha rastet kur bëhet fjalë për interesat kombëtare. Edhe diçka kur jemi këtu. Ka mundësi që kryeministri i Kosovës, ta këtë shpërfillur Ali Ahmetin, sikur që e shpërfilli Edi Ramën për shkaqe të mos pajtimeve të ndërsjella politike, sidomos ka mos pajtime rreth përfundimit të procesit të bisedimeve me Serbinë”, përmbylli Skënder Mulliqi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat