“Maqedonasve ju djeg Kurti për shkak të dy gjërave”, analisti shqiptar në Maqedoni tregon pse kanë frikë atje!

Politika

“Maqedonasve ju djeg Kurti për shkak të dy gjërave”, analisti shqiptar në Maqedoni tregon pse kanë frikë atje!

Nga: Naile Ejupi Më: 14 gusht 2023 Në ora: 21:22
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në dy komunat me shumicë shqiptare, Tetovë dhe Çair ka trazuar politikën në vend e në rajon.

Reagime të ashpra ka pasur në Maqedoni të Veriut, Serbi por edhe në Kosovë.

Ai ka qëndruar atje me ftesë të kryetarit të Çairit, Visar Ganiu dhe atij të Tetovës, Bilall Kasami. Në Çair, Kurti ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit Adem Demaçi, e ndërsa në Tetovë është pritur me flamuj e simbole kombëtare shqiptare.

Pas kësaj vitize, ka reaguar presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili ka kërkuar që organizatorët të sanksionohen për “provokime nacionaliste”.

”Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. I bëj thirrje organeve kompetente që sa më parë t’i kryejnë procedurat e parapara", nënvizoi Pendarovski në reagim.

Nga ana tjetër, presidenti Serb, Aleksandar Vuçiç e ka konsideruar si “skandali i skandaleve”.

“Ajo që ndodhi në Maqedoninë e Veriut ishte skandal i skandaleve. Aty u promovua ideja e ‘Shqipërisë së madhe’, u theksuan simbolet e saja, e Kurti u prezantua si kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe kryeministër i Tetovës, ndër të tjera”, tha Vuçiç në një intervistë për mediat.

Reagime nuk kanë munguar as nga opozita në Kosovë, nga LDK thonë se ai ka shkuar në Maqedoninë e Veriut t’i mbulojë skandalet e qeverisë, ndërsa nga AAK thonë se ai pasi nuk mund t’i gënjejë më qytetarët e Kosovës, paska shkuar t’i mashtrojë në Maqedoni.

Gjersa, tashmë në Maqedoni ende komentohet vizita e kryeministrit Kurti, analisti shqiptar në Maqedoni, Sulejman Mehazi, thotë se maqedonasve ju djeg Kurti për shkak të dy gjërave:

“Maqedonasve ju djeg Kurti për shkak dy gjërave! Maqedonasve i ka djegur ardhja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në Tetovë për shkak dy gjërave: - shkuarja e Kurtit në Vicë e ka simbolikën e vrasjeve të policëve maqedonas në këtë fshat nga ana e ushtarëve të UÇK-së më 2001; - Pollogu me shumicë shqiptare gjeografikisht krahasohet me veriun e Kosovës me shumicë serbe që kërkojnë republikë serbe brenda Kosovës, frika e maqedonasve është se mos Kurti nxit shqiptarët e Tetovës e Gostivarit për një Republikë Shqiptare të Pollogut në RMV”, shprehet Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Tutje, Mehazi thotë se kur serbët kërkojnë republikë serbe në Kosovë, pse edhe shqiptarët të mos e kërkojnë atë në emër të Albin Kurtit.

“Nëse 60,000 serbë të Kosovës kërkojnë republikë serbe në Kosovë në emër të Vuçiqit, pse mos të kërkojnë Republikë shqiptare 350,000 qytetarë shqiptarë të Pollogut në emër të Albin Kurtit”, thekson analisti.

Rreth vizitës së Kurtit, ka reaguar të hënën edhe kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, e cila ka nisur një iniciativë për ndërrimin e emrit të asaj rruge dhe kthimin e emrit të mëparshëm “Brigada e Dytë Maqedonase”.

Ajo e ka dorëzuar sot, nismën në Këshillin e Qytetit.

“I bëj thirrje të gjithë këshilltarëve të Qytetit të Shkupit të votojnë për këtë propozim, përmes të cilit do të përmirësohet padrejtësia ndaj 230 heronjve, pjesëtarë të brigadës së dytë maqedonase që kanë dhënë jetën për Maqedoninë”, tha ajo.

E para e Shkupit pati porosi edhe për shefin e qeverisë nga Kosova.

“Apeloi që kjo nismë të mos politizohet dhe të mos keqpërdoret për rritjen e tensioneve ndëretnike”, theksoi e para e Shkupit.

Ndërkohë. Danella Arsovska, po ashtu i propozon kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, që në Prishtinë të emërtojë një rrugë me emrin e revolucionarit maqedonas Todor Aleksandrov, i cili sipas saj ka bashkëpunuar me Hasan Prishtinën, Hasan Bejta dhe Bajram Currin në luftën kundër okupimit të mbretërisë jugosllave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat