Vrasjet e fundit dhe armët pa leje në duart e qytetarëve/ Ekspertët e sigurisë këshillojnë shtetin për ndërmarrjen e këtyre masave

Politika

Vrasjet e fundit dhe armët pa leje në duart e qytetarëve/ Ekspertët e sigurisë këshillojnë shtetin për ndërmarrjen e këtyre masave

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 gusht 2023 Në ora: 07:58
Pamje nga incidenti i fundit në Bon Vivant

“Zgjidhja” e hesapeve përmes armës ka filluar të praktikohet në Kosovë, e sidomos muajin e fundit.

Vetëm gjatë javës që shkoi brenda gjashtë ditëve në Kosovë kanë ndodhur tri vrasje në tri raste të ndryshme.

Të premten e 4 gushtit, Kosova u trondit nga një vrasje që ndodhi në lokalin “Bon Vivant”, e ku të plagosur mbetën edhe dhjetëra persona.

Incidenti në qendër të kryeqytetit, sipas policisë, erdhi pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) konfirmoi vdekjen e një burri 39-vjeçar, si pasojë e plagëve të rënda, teksa të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

Prokuroria bëri të ditur se të gjithë të dyshuarit për rastin kishin të kaluar kriminale.

Deri tani policia e Kosovës ka arrestuar 3 persona që dyshohet se janë të përfshirë në rast, ndërsa një është në kërkim.

Tri ditë më pas, një vrasje po ashtu në një lokal ndodhi në Klinë, ku një person u qëllua për vdekje. Viktima u dërgua me plagë të rënda në QKMF të Klinës, ndërsa nga aty është transferuar në Spitalin e Pejës ku është konstatuar vdekja e tij.

Policia tashmë ka shpallur në kërkim Tush Frrokun, si i dyshuar për vrasjen. Ai kishte qenë i akuzuar edhe për raste të tjera më parë.

Sipas Policisë, i dyshuari për vrasje gjatë arratisjes nën kërcënimin e armës ka grabitur veturën nga një qytetar dhe është larguar në drejtim të Gurrakocit. Vetura është gjetur më pas e braktisur në fshatin Kosh të Istogut. I njëjti vazhdon të jetë në arrati.

Rasti i fundit ndodhi të enjten pas mesnate në Runik të Skenderajit, ku një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën pas të shtënave me armë zjarri në një kafiteri.

Siç ka bërë të ditur policia, nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja.

Nga intensiva në QKUK ka bërë të ditur se njëri nga të plagosurit në incidentin në Runik të Skenderajit është në gjendje më të rëndë nga lëndimi që ka marrë nga arma e zjarrit në regjionin e gjurit dhe për këtë arsye pas një intervenimi kirurgjik është dashur t’i amputohet këmba.

Ekspertët e sigurisë kanë folur për “Bota sot” rreth masave që duhet t’i marrë shteti pas këtyre rasteve dhe cenimit të sigurisë.

Softa: Numri i madh i armëve pa leje në duart e qytetarëve në Kosovë është një problem serioz

Image
Fatjon Softa

Fatjon Softa, ekspert sigurie thotë se numri i armëve pa leje në duart e qytetarëve në Kosovë, është një problem serioz për sigurinë publike apo kombëtare.

Sipas tij, siguria kombëtare është siguria dhe mbrojtja e një shteti sovran, duke përfshirë qytetarët, ekonominë dhe institucionet e tij, që konsiderohet si detyrë parësie e qeverisë.

“Nga janari deri në korrikun e 2023-ës kanë ndodhur 14 vrasje, prej të cilave dy nga pakujdesia, sipas autoriteteve të rendit në Kosovë. Ndërkaq, në vitin 2022 janë regjistruar 21 vrasje, dy prej të cilave janë shkaktuar, po ashtu, nga pakujdesia. Numri i madh i armëve pa leje në duart e qytetarëve në Kosovë është një problem serioz për sigurinë publike apo sigurinë kombëtare. Siguria kombëtare, është siguria dhe mbrojtja e një shteti sovran, duke përfshirë qytetarët, ekonominë dhe institucionet e tij, që konsiderohet si detyrë parësire e qeverisë. Problem shqetësues që vrasjet po ndodhin ne ambiente publike si lokalet duke rrezikuar jetën qytetarëve të pa fajshëm”, shprehet Softa.

Ka ardhur koha për një aministi për të mbledhur armët, thotë Softa, gjersa shton se faktorët janë kompleksë dhe ndikojnë në burimet e ndryshme të rrezikut dhe gjendjen e sigurisë.

“Mendohet që janë mbi 250 mijë armë pa leje duart e qytetarëve. Numri rreth 636 armë të kapura për 7 muaj , kundrejt 1437 për vitin 2022 nga Policia e Kosovës, tregon për këtë potencial armësh dhe nivel risku për vendin. Ka ardhur koha për një amnisti për të mbledhur armët dhe mundësia e një kategorie të cilësuar me armë brezi për t’u regjistruar dhe dhënë me leje. Duhet të analizohen thellë faktorët. Shpesh here faktorët janë kompleksë dhe ndikojnë në burimet e ndryshme të rrezikut dhe gjendjen e sigurisë si dhe problemet shumëdimensionale që ajo ka, shtrojnë nevojën e analizës më të thellë, duke u fokusuar së pari tek sistemi i organeve përgjegjëse e funksionimi i tyre dhe pastaj tek organet e veçanta siç janë Policia e shtetit e agjenci të tjera ligj zbatuese”, thekson Softa.

Në anën tjetër, të shtëna me armë zjarri ka pasur edhe të hënën rreth orës 13:00 në rrugën “Xhevë Lladrovci”.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se nuk raportohet për persona të lënduar nga këto të shtëna.

“Sot rreth orës 13:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Xhevë Lladrovci” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e deritanishme nuk raportohet për persona të lënduar”, u shpreh ajo.

Islami: Vrasje të tilla cenojnë sigurinë publike

Image
Avni Islami

Ndërsa, profesori i sigurisë Avni Islami, thotë se vrasje të tilla nuk e cenojnë sigurinë nacionale, por publike, rendin dhe ligjin.

Sipas tij, përveç policisë duhet të ndërmarrin masa edhe restorantet, lokalet e diskoteka.

“Pas vrasjeve të fundit, e sidomos vrasjen në kryeqytet, ku bëri jehonë më të madhe për shkak se kishte më shumë të plagosur. Vrasje të tilla nuk e cenojnë sigurinë nacionale, por e cenojnë sigurinë publike, rendin dhe ligjin në rast se këto vrasje do të ishin të organizuar sikurse ajo në Skenderaj dhe të planifikuara, ato janë vrasje me peshë edhe më të madhe. Pra, rastet të tilla të vrasjeve që patëm këto kohë nxorën në pah se përveç organeve policore që duhet të ndërmarrin një varg masash siç është ajo që tashmë ka filluar të aplikohet, pra kontrollet rutinë nëpër automjete ku është gjetur një sasi e armëve, në anën tjetër duhet të ndërmerren masat e nevojshme nga ana e restoranteve, lokaleve e diskotekat që janë në numër të madh si në Bon Vivant që ndodhi, pra hyrja me armë pa një kontroll në numër aq të madh të njerëzve, pra e cenon sigurinë publike dhe jetën e qytetarëve. Domethënë janë lokalet që duhet të ndërmarrin masat në mënyrë që secili që hyn në lokal, edhe që dyshohet se mund të jetë i armatosur duhet ose të lajmërohet te organet përgjegjëse të sigurisë, ose të bëhet një lloj kontrolli sikurse në aeroport, të blihen pajisjet e nevojshme, dhe në anën tjetër policia duhet që me plan të saj sidomos në kohën e verës kur numri i qytetarëve rritet në enormë për shkak se vijnë ndërkombëtarët, edhe kështu në aspektin kriminologjik në muajt e verës rritet kriminaliteti, rritet adrenalina dhe emocionet te njerëzit, pra janë disa faktorë që ndikojnë në rritjen e vrasjeve”, deklaron Islami.

Ai ka kërkuar që shteti të vetëdijesojë qytetarët dhe t’i inkurajojë që t’i dorëzojnë armët.

Ndërsa, ata njerëz që kanë armë me leje, sipas Islamit, duhet të pajisen me dije, të kenë certifikata sesi duhet arma të lihet në shtëpi dhe të mos mbahet me veti.

“Çdo vit që nga përfundimi i luftës, sfidë në vendin tonë është armëmbajtja pa leje dhe numri i madh i armëve, përveç armëve të vogla, ekzistojnë në duart e qytetarëve edhe armë luftarake, që përdoren edhe në luftë. Shteti duhet të ndërmerr një sërë masash, duke filluar nga vetëdijesimi i qytetarëve, ose t’i inkurajojë në forma të ndryshme që t’i dorëzojnë armët dhe ato që ka mundësi t’i jepet leja t’ua mundësojë që njerëzit t’i pajisë me dije, të jepen certifikata sesi duhet që një armë të lihet në shtëpi dhe të mos mbahet me veti, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Në kuadër të kësaj, duhet që edhe shoqëria civile, shkolla dhe familja që të rritet vetëdija që nuk bën të përdoren armët, sepse secili person që mban armë e ndjen një forcë dhe një krenari që çështjet t’i zgjidh përmes armës dhe kjo shkakton vdekje si që ndodhi në javën e kaluar”, shprehet Islami.

Kujtojmë, se pas rastit në “Bon Vivant” policia ka filluar me zbatimin e planit operativ “Goditja 2023”.

Gjatë kontrolleve të mbi 1 mijë makinave e disa lokaleve në Prizren ka konfiskuar 10 armë dhe ka arrestuar 6 persona.

Këto kontrolle janë bërë nga data 8 deri 11 gusht.

“Drejtoria rajonale e Policisë Prizren ka rritur numrin e patrullimeve, kontrolleve në lokale, bare nate, kafiteri e lokacione te ndryshme që frekuentohen nga qytetarët. Në saje të këtyre angazhimeve në teren që nga data 08.08.2023 deri me datën 11.08.2023 përpos shume detyrave dhe angazhimeve të tjera janë realizuar edhe këto aktivitete: Kontrolluar 1074 automjete, legjitimuar 1646 persona, kontrolluar 26 lokale të ndryshme, janë konfiskuar 10 armë të ndryshme dhe janë arrestuar 6 persona”- thuhet në njoftimin e policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat