Dëshmia e Vuçiq-it për rastin “Panda”/ Koha që shqiptarët të pastrohen nga akuzat e rreme të Serbisë

Politika

Dëshmia e Vuçiq-it për rastin “Panda”/ Koha që shqiptarët të pastrohen nga akuzat e rreme të Serbisë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 15 gusht 2023 Në ora: 11:51
Aleksandar Vuçiq

Krimi i njohur si rasti “Panda” është kryer më 14 dhjetor të vitit 1998. Autoritetet e atëhershme të shtetit serb e patën quajtur akt terrorist dhe për të i patën fajësuar shqiptarët dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në atë krim makabër u vranë 6 të rinj serbë.

Ditë më parë, përfaqësuesi ligjor i prindërve, djemtë e të cilëve u vranë në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998, ka dorëzuar në Prokurorinë për Krim të Organizuar (PKO) kërkesën për dëgjimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në cilësinë e dëshmitarit.

Siç raporton Danas, si zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Serbisë dhe shef i Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, Aleksandar Vuçiq, më 26 dhjetor 2013, në emisionin “Teška reč” (Fjala e rëndë) në TV Pink tha: “Krimi në ‘Panda’ nuk është kryer nga shqiptarët, siç kemi besuar deri më tani. Publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta”.

Dy vjet më vonë, në një konferencë për media në Qeverinë e Serbisë, më 11 dhjetor 2015, Vuçiq tha se ishte pothuajse i sigurt se çfarë ndodhi në kafenenë “Panda”.

“Vuçiq tha në konferencën për shtyp se “informacione të caktuara” flasin për, siç tha ai, autorët e mundshëm të krimit dhe se “nuk pajtohen me atë që është komunikuar”. “Unë nuk jam prokuror dhe nuk mund të flas për këtë”, tha Vuçiq, duke shtuar se ai e di “çfarë mund të ketë ndodhur”.

Prindërit cituan edhe deklaratën e Vuçiqit nga një nëntori i 2018-ës:

“Ne kemi informacione dhe oficerët tanë po kërkojnë informacione më të plota. Ne po bëjmë gjithçka dhe ata të jenë të sigurt se nuk do ta fshehim të vërtetën. “Nëse janë shqiptarë apo serbë”, deklaroi atëbotë ai.

Hetimi për masakrën në kafenenë “Panda” në Pejë ka nisur tek në nëntor të vitit 2015 në Prokurorinë për Krimin e Organizuar në Beograd.

Me rikthimin në skenë të hetimeve për këtë rast janë ngjallur edhe shpresat që shqiptarët të pastrohen njëherë e përgjithmonë nga akuzat për krimin që nuk e kanë kryer.

Gashi: Rasti “Panda” është një prej rasteve që vërteton se çka janë në gjendje të bëjnë serbët për t’i fajësuar shqiptarët

Image
Avokati Tomë Gashi

Në lidhje me këtë avokati Tomë Gashi në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, ka rasti “panda” është rast që vërteton se çka janë në gjendje të bëjnë serbët për t’i fajësuar shqiptarët.

Sipas tij, ata duhet që ta detyrojnë Presidentin e tyre Vuçiq që të shkojë në Prokurorinë Speciale për Krime të Luftës, në Beograd, që të dëshmojë dhe t’i japë emrat e vrasësve.

“Rasti  Panda - i vrasjes së të rinjve serbë, nga njësitë elitare të policisë serbe - është një prej rasteve që vërteton se çka janë në gjendje të bëjnë serbët për t’i fajësuar shqiptarët.

Familjarët e 6 të rinjve serbë të vrarë në lokalin në Pejë duhet të kërkojnë drejtësi për fëmijët e tyre dhe duhet ta detyrojnë Presidentin e tyre Vuçiq që të shkojë në Prokurorinë Speciale për Krime të Luftës, në Beograd, që të dëshmojë dhe t’i japë emrat e vrasësve. Vuçiq, i cili ende mban në Kushtetutën e Serbisë territorin e Kosovës, le të dëshmojë në Beograd, ndërsa, me pranimin e realitetit - se Kosova është shtet i pavarur, pa asnjë problem, Vuçiq mund të dëshmojë dhe t’i japë emrat e vrasësve edhe në Kosovë, në Prokurorinë Speciale”, përfundon ai.

Haziri: Prapa rastit “Panda” qëndrojnë strukturat shtetërore të kohës së Millosheviqit

Analisti Nexhat Haziri thotë se nuk pret që presidenti serb të dëshmojë për rastin “Panda”.

Image
Analisti Nexhat Haziri

"Nuk pres që presidenti serb Vuçiq të dëshmojë për rastin e vrasjeve të rinjve serb në Pejë, gjatë luftës në Kosovë, rast ky i njohur edhe si rasti "Panda", përkundër që vet Vuçiq e ka pranuar se pas këtij krimi makabër nuk qëndrojnë shqiptarët por vet serbët, pra strukturat shtetërore të kohës së Millosheviqit.

Pra nuk shohë një disponim dhe kushte aktualisht në Serbi për t’u hapur rasti "Panda" dhe për t’u zbardhë historia kriminale e kësaj ngjarje, për faktin se Vuçiq nuk do të rrezikonte imazhin e tij edhe ashtu në rënie e sipër në opinionin serb, por edhe me goditjet që po i merr edhe nga mediat ndërkombëtare”, thotë ai.

Tutje, ai ka thënë se Vuçiq dëshirojë akoma ta mbajë pushtetin dhe nuk është i interesuar të sjellë drejtësi për asnjë rast ndodhur në të kaluarën.

“Kështu që i gjendur në një realitet aspak të volitshëm për të ai do të zgjedhë që ta heshtë dhe ta injornoj rastin "Panda" për të vazhduar të luaj serbin e madh, shpëtimtarin e Serbisë në mënyrë që të vazhdojë pushtetin e tij prej një autokrati në Serbi, dhe se nuk është i interesuar të sjellë drejtësi për asnjë rast nga e kaluara në të cilat janë të lidhur drejtpërsëdrejti shteti i Serbisë, qoftë për krimet ndaj shqiptarëve qoftë edhe për krimet që i kanë bërë edhe ndaj serbëve si preteks për t’i fajësuar shqiptarët”, përmbylli ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat