Marrëveshja e fundit ‘sekrete’ me Amerikën, Kelmendi zbërthen detaje: Këto janë përfitimet e mëdha që do t’i ketë Kosova

Politika

Marrëveshja e fundit ‘sekrete’ me Amerikën, Kelmendi zbërthen detaje: Këto janë përfitimet e mëdha që do t’i ketë Kosova

Nga: A.M. Më: 27 gusht 2023 Në ora: 17:16
Foto ilustrim

Së fundi, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë nënshkruar një marrëveshje për shkëmbimin dhe ruajtjen e informacioneve të klasifikuara.

Përmes kësaj marrëveshjeje, SHBA dhe Kosova kanë ndërmarrë obligime për t’i mbrojtur informacionet e klasifikuara të njëra-tjetrës, duke e hapur rrugën për shkëmbimin e tyre.

Kjo për vlerësohet si një marrëveshje historike, nga e cila vendi ynë do të përfitojë shumë.

Në një bashkëbisedim me “Bota sot” për këtë marrëveshje foli njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi.

Fillimisht, u shpreh se në të kaluarën shpesh ka dështuar ruajtja e sekreteve shtetëore, ku në këtë rast ka pësuar Kosovën.

Mirëpi, ai tha se me marrëveshjen e arritur me SHBA-të është rritur ndjeshëm niveli i sigurimit të informatave shtetërore.

“Kosova është shtet i ri, nuk ka përvojë në ruajtjen e sekretit shtetëror. As në mbrojtje nuk ka arritur të ketë sekret, shpesh ka ndodhur që gjërat e humbin sekretin.

Shumë herë ka ndodhur që çështjet sekrete të dalin në publik dhe e ka pësuar vendi. Ka raste kur mendohet se nga ky fakt ka pasur edhe vepra të rënda.

Me marrëveshjen mbi masat e sigurisë të nënshkruar me ambasadorin e SHBA-ve është arritur tek niveli që së bashku të kenë qasje në ruajtjen e sekretit shtetëror”, deklaroi ai.

Kelmendi këtë e sheh si një hap shumë të rëndësishëm, sidomos për fushën e sigurisë.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai vlerësoi se vendi ynë ka ‘vuajtur’ sa i përket mbrojtjes së informacionit shtetëore, e që fatmirësisht marrëveshja me Amerikën e ka përmirësuar këtë aspekt.

“Ky është një hap i rëndësishëm në ruajtjen e shtetit në të gjitha fushat.

Tash krijohen kushtet që organet e sigurisë nga SHBA të merren me ruajtjen e sekretit të shtetit të Kosovës. Sidomos në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë është hap shumë i rëndësishëm.

Kosova ka vuajtur nga mbrojtja e dobët e sekretit. Madje mund të thuhet se nuk ka pasur mbrojtje të sekretit. Shpesh ka ndodhur që Republika të ketë të ‘qara’ në informatat sekrete.

Me SHBA-në, ngritet mbrojtja e sekretit. Në bashkëpunim zgjidhet kuadri adekuate për ruajtjen e sekretit dhe natyrisht edhe vetë organet e SHBA-ve merren me sekret”, theksoi juristi.

Krahas kësja, ai shtoi se kjo marrëveshje shkon në favor të Kosovës, ku me përfshirjen e Amerikës do bëhet mbrojtje e dyfishtë e sekretit.

“Ky bashkëpunim është shumë domethënës. Me marrëveshje krijohet një mbrojtje e dyfishtë e sekretit dhe këtej edhe kontrolli nga organet e SHBA-ve rritet dhe thellohet.

Ky kontroll është i domosdoshëm. Kosova si shtet i ri ka nevojë për kuadro të përgatitura. Besohet se rikualifikimi i kuadrit nga Kosova do të bëhet.

Thjeshte: Është hap i rëndësishëm në fushën e ruajtjes së shtetit, të rendit dhe të sigurisë.  Kjo i duhet Republikës”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat