Eksperti austriak vjen me një parashikim të fuqishëm pas ‘përplasjes’ së Kurtit me Brnabiqin: Fundi i Vuçiqit më afër se kurrë!

Politika

Eksperti austriak vjen me një parashikim të fuqishëm pas ‘përplasjes’ së Kurtit me Brnabiqin: Fundi i Vuçiqit më afër se kurrë!

Nga: A.M. Më: 29 gusht 2023 Në ora: 19:17
Ana Brnabiq dhe Albin Kurti

Forumi i Bledit në Slloveni, mblodhi edhe njëherë liderë të ndryshëm përfshirë këtu edhe liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë Forum i cili ka nisur punimet dje, po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti gjatë ditës së djeshme ishte në një panel diskutimi së bashku me kryeministrat e vendeve tjera të rajonit, përfshirë këtu edhe kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq, me të cilën patën edhe një përplasje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, kanë pasur një përplasje verbale në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, nëse Kosova është e pavarur apo jo dhe se cili vend është më pro Bashkimit Evropian.

Ishte fillimisht kryeministrja serbe ajo e cila se Kosova nuk është vend i njohur ndërkombëtarisht dhe se dyshon që do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

Pas kësaj deklarate ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili tha se nuk është e lehtë për Kosovën që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, një shtet ky që nuk është distancuar as nga Millosheviqi e as nga Putini.

“Mbështetja në Kosovë për BE-në është 94%, në Serbi është 36%. Ne i kemi vendosur sanksione ndaj federatës ruse, Serbia as nuk po i mendon, nuk janë distancuar as nga Millosheviq as nga Putin. Nuk është e lehtë për neve. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është shumë më i vështirë. Mund të ndodh, por normalizimi në psikologji do të thotë mungesë e konfuzionit mes realitetit e fantazisë. Dhe ky është regjistër tjetër që unë nuk mund të kontribuoj”, tha Kurti.

E këtë ‘përplasje’ të Kurtit me Brnabiqin e komentoi eksperti austriak, Gunther Fehlinger.

Ai në një prononcim për “Bota sot” mbështeti deklaratat e Kurtit, derisa tha se Brnabiq e bëri të qartë së e përfaqëson Serbinë e Millosheviqit dhe jo atë evropiane.

Image
Eksperti austriak, Gunther Fehlinger.

“Kryeministri Kurti bëri thirrje për njohje reciproke dhe kjo është qartazi e justifikuar.

Kryeministrja e Serbisë duket se përfaqëson Serbinë e Millosheviqit dhe jo Serbinë kandidate për në BE.

Serbia nën të dhe presidentin Vuçiq është gjithnjë e më e dëshpëruar, ndërsa Serbia është gjithnjë e më e izoluar në botë. Disa në Serbi madje promovojnë anëtarësimin në BRICS”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Fehlinger parashikoi edhe fundin e Vuçiqit, derisa tha se qeveria e re e Serbisë do ta njohë Kosovën.

“Jam thellësisht i zhgënjyer nga Serbia dhe bëj thirrje kundër Serbisë plotësisht të izoluar deri në një kthesë drejt Perëndimit.

Fakti që Serbia reagon në mënyrë kaq agresive është një shenjë se regjimi i Vuçiqit është afër fundit.

Qeveria pasardhëse pas rënies së Vuçiqit do të njohë Kosovën dhe do të anëtarësohet në NATO dhe do të nënshkruajë një traktat paqeje”, theksoi eksperti austriak.

Ndër të tjera, ai shtoi se Qeveria e Kosovës duhet ta mbështesë opozitën serbe dhe të mundohet të gjej bashkëpunim për t’i dhënë fund regjimit të Vuçiqit.

“Kosova duhet të mbështesë dhe gjejë opozitën serbe dhe të punojë për të ndryshuar regjimin e Vuçiqit dhe për t'i dhënë fund regjimit rus serb që pushtoi Serbinë që nga vrasja e Gjingjiqit më 12 mars 2003.

Mjaftojnë 20 vjet Serbi ruse. Tani është koha për SrboMaidan dhe Serbinë Evropiane”, përmbylli Gunther Fehlinger për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat