“Kërcënimi” i Macron – "Franca më përkëdhelëse ndaj Serbisë" / A po e përdorin si “gërbaç” liberalizimin e vizave ndaj Kosovës?

Politika

“Kërcënimi” i Macron – "Franca më përkëdhelëse ndaj Serbisë" / A po e përdorin si “gërbaç” liberalizimin e vizave ndaj Kosovës?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 31 gusht 2023 Në ora: 16:03
Presidenti francez Emmanuel Macron

Presidenti francez Emmanuel Macron u tregua i ashpër me Kosovën dhe Serbinë në rast se këto të dyja sillen pa përgjegjësi ndaj marrëveshjeve mes dy vete.

Ai ka thënë se si Franca ashtu edhe Gjermania do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë.

“Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi tejet kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, tha Macron.

Abazi: Kurti ka ndezur betejat e panevojshme

Deputeti i pavarur, Haki Abazi në një përgjigje për “Bota sot” ka kritikuar kryeministrin Albin Kurtin, për të cilin thotë se ky ka arritur që ta fusë Kosovën nën masa të BE-së, përfshirë këtu edhe kiberalizimin e vizave.

Image
Deputeti i pavarur, Haki Abazi

“Politika e Kurtit dhe sjellja e tij në raport me shtetet e BE dhe SHBA ka qenë e papërgjegjshme dhe ka krijuar efekte shumë negative dhe afatgjata me pasoja të rënda. Kurti ka arritur që për herë të parë të bëj Kosovën target të masave dhe potencialisht të sanksioneve të ashpra përfshirë edhe rishqyrtimin e liberalizimit të vizave”, nënvizon deputeti.

Më tej, ai thotë se, Kurti ka ndezur betejat e panevojshme.

“Kosovës po i rëndohet situata ekonomike, po humbet shpresa për jetë më të mirë dhe rrjedhimisht kemi largim të trurit dhe klasës së mesme përderisa Kurti ka ndezur betejat e panevojshme dhe në favor të Vuçiçit dhe qëllimeve të Serbisë për Kosovë të zbrazur dhe të varfër. Kurti pikërisht për këto arsye e ka dërguar parlamentin në pushim të dhunshëm që të mos ketë debat për koordinimin me Radojçiçin dhe për gabimet dhe dështimet sistematike në fushën e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare”, përfundon ai.

Elezaj: Franca është më përkëledhëse ndaj Serbisë

Analisti Rexhep Elezaj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se kjo deklaratë e Macron është një paralajmërim serioz për dy vendet, Kosovën dhe Serbinë.

Tutje, thotë se presidenti Macron ka të drejtë në zhgënjimin e tij sepse në Kosovës ndodhën tesnione muajt e fundit dhe ky tensionim paraqet rrezik të madh.

Image
Analisti Rexhep Elezaj

“Deklarata e presidentit francez, E. Macron, “se Franca dhe Gjermania do t’i rishikojë zotimet e bëra lidhur me politikat e vizave dhe për çështje tjera ekonomike, nëse dy palët dështojnë të sillen me përgjegjësi”, pra Kosova dhe Serbia, është pa dyshim, një paralajmërim serioz, se dy vendet kryesore të BE-së, Franca dhe Gjermania, si autorë dhe përpilues të Planit franko-gjerman për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, do t’i rishikojnë zotimet e tyre ndaj dy palëve në fjalë, po qese ato nuk i plotësojnë kërkesat e BE-së për të ecur përpara drejtë stabilizimit të situatës në Ballkanin perëndimor.

Nëse këtë “kërcënim” të presidentit Macron e shikojmë nga pozitat e politikave të BE-së të ofruara për lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe krahasuar me përpjekjet dhe angazhimin e saj/tyre për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme në normalizimin e marrëdhënieve të acaruara Kosovë-Serbi, pastaj punën dhe angazhimin e përhershëm të ndërmjetësuesit të saj në këtë dialog, z. M. Lajçak, më pas ofrimin e Planit konkret “franko-gjerman” si dhe ndihmat financiare për dy vendet në konflikt të vazhdueshëm, etj. etj., presidenti Macron ka të drejtë në zhgënjimin e tij kundrejt tensionimeve të ndodhura muajt e fundit në veriun e Kosovës, meqenëse ky tensionim paraqet rrezik të madh për eskalim të situatës deri në konflikt të armatosur, gjë të cilën BE-ja dhe SHBA-të, në asnjë rast nuk e lejojnë që të ndodhë”, thotë ai.

Elezaj thotë se, BE mund ta fusë në rishikim çështjen e liberalizimit të vizave, ta përdori si “gërbaç”, sepse mes dy vendeve duhet gjetur zgjidhje kompromisi e pranuar për dy palët.

“Prandaj, çdo ngecje dhe hezitim për vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nga cila do palë qoftë, e shton neveritjen dhe durimin e akterëve kryesorë të BE-së, të cilin e shprehin në formë kërcënimi ndaj dy palëve në dialog, siç bëri dje presidenti E. Macron, duke e kërcënuar Kosovën me rishikim të çështjes së liberalizimit të vizave dhe Serbinë me vendosjen e masave ekonomike, si “gërbaç”, të cilin mund ta fusin në veprim nëse Kosova dhe Serbia nuk i plotësojnë kërkesat e BE-së për ecje përpara në përmbyllje të dialogu për t’i dhënë fund njëherë e mirë konfliktit të hapur në veri, duke gjetur një zgjidhje kompromisi të pranueshme për të dyja palët”, deklaron ai.

Në fund, analisti shprehet se kërcënimi i Macron për viza, del të jetë që Franca është më përkëledhëse ndaj Serbisë, duke mos vendosur kurrfarë masave ndëshkuese ndaj saj.

Sipas tij, kur është fjala për sjelljet provokuese, armiqësore, luftënxitëse dhe kërcënuese të Serbisë, reagimi i Francës, të presidentit Emmanuel Macron, vije shumë i vonuar.

“Ndërsa, nëse kërcënimi i djeshëm i presidentit francez Macron, për rishikim të zotimit për heqjen e vizave për Kosovën, shikohet nga pozitat e palës kosovare-shqiptare, na del se BE-ja, në rend të parë, Franca, kur e krahasojmë qëndrimin e saj ndaj Kosovës me atë ndaj Serbisë, sidomos muajve të fundit, del se ajo ka pasur një qëndrim gati përkëdhelës ndaj Serbisë, duke mos vendosur kurrfarë masave ndëshkuese ndaj saj, e cila, në vend se ta ndëshkojë Serbinë për nxitjen e tensioneve dhe konflikteve fizike në veri të Kosovës, ajo bashkë me të gjitha vendet anëtare të BE-së, do i vendosin masa ndëshkuese vetëm Kosovës, pra duke e amnistuar palën serbe, e cila ekskluzivisht mbanë çdo lloj faji dhe përgjegjësie për nxitjen e serbëve lokalë për të protestuar ashpër ndaj policisë së Kosovës, madje duke i lënduar rënd mbi 41 ushtarë të KFOR-it, ndaj të cilës BE-ja nuk do ndërmerr asnjë lloj mase ndëshkuese..!?

Ndaj, thënë më së buti, kërcënimi i presidentit E. Macron, vije shumë i vonuar kur është fjala për sjelljet provokuese, armiqësore, luftënxitëse dhe kërcënuese të Serbisë, alias të fashistit serb, A. Vuçiq ndaj Kosovës, i cili shikuar me syrin e orlit, është nxitësi, inspiruesi, burimi dhe shkaktari i çdo fatkeqësie në Ballkan, i çdo tensioni dhe konflikti në veri të Kosovës, tani edhe në Republika Srpska në Bosnje, etj., por këtë fakt të zi dhe fat të keq për Evropën, mjerisht nuk ka pasur kush t’ia bëjë të qartë deri në fund presidentit francez, E. Macron dhe kancelarit gjerman, O. Scholz, se strumbullari i të gjitha këqijave dhe konflikteve në Ballkanin perëndimor, është Aleksander Vuçiq dhe banda afër tij, i cili, mafi e cila, kurrë nuk do ta tradhtojë vëllain e vetë/tyre në Moskë, kriminelin siamez, V. Putinin”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat