Kërcënim i hapur dhe paralajmërim për vrasjen e Albin Kurtit? Deklarata skandaloze e Faton Klinakut

Politika

Kërcënim i hapur dhe paralajmërim për vrasjen e Albin Kurtit? Deklarata skandaloze e Faton Klinakut

Nga: P.Rudi Më: 31 gusht 2023 Në ora: 18:16
Faton Klinaku dhe Albin Kurti

Ushtruesi i detyrës së kreut të veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, përmes një postimi në facebook ka shokuar opinionin publik në Kosovë.

“I thashë: As se kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”, kishte shkruar Klinaku.

“Nëse mediave ju duket postimi im si skandaloz, atëherë të më thonë se: A më shumë vlen Albini, apo atdheu ynë? Prapë po e përsëris pra, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: “Më parë e vras Albin Kurtin sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”, shkroi edhe një postim tjetër Faton Klinaku, ku përsëriti fjalinë e njëjtë se më parë e vret Albin Kurtin se sa ia lëshon rrugën e ikë nga Kosova.

E për këtë deklaratë, Faton Klinaku gjatë ditës së djeshme është intervistuar nga Policia e Kosovës, ndërsa nxiti reagime të shumta në Kosovë.

Kritika të ashpra për Klinakun ka edhe analisti politik, Gani Qarri, sipas të cilit, deklarata e Klinakut është paralajmërim për vrasje.

Image
Gani Qarri

“Mjerisht duke pasur parasysh faktin se në Kosovën e pasluftës, janë vra e plagos mbi 1000 persona, dhe asnjëri prej dorasëve nuk është hetuar deri në fund, nuk është zbuluar kurrë dhe as dënuar deri më tani tash e mbi 24 vite me radhë, deklarata e Klinakut flet se mbetja në errësirë e akteve të tilla monstruoze, i ka trimëruar aq shumë disa persona, sa që tani janë të gatshëm ta bëjnë publikisht paralajmërimin e vrasjes së radhës, apo vrasjeve të mundshme pa ju trembur syri fare nga prokuroria e korruptuar, gjykatat e kapura dhe sistemi i kalbur i drejtësisë”, shprehet Qarri për “Bota sot”.

Sipas Qarrit, deklarata e Klinakut është edhe një dëshmi se vrasja e kryeministrit Kurti ishte diskutuar tërthorazi edhe më parë.

“Madje ushtruesi i detyrës së kryetarit të organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, është marrë në pyetje edhe nga policia e Kosovës për deklaratën e trishtë se më parë do ta vriste Albin Kurtin sesa të linte Kosovën, gjë që sikur dëshmon tërthorazi se vrasja e Kurtit dhe të tjerëve është diskutuar nëse jo edhe planifikuar disa herë më parë, nga njerëz ku mund të ketë qenë i pranishëm, apo edhe i involvuar në takime e biseda të tilla edhe Klinaku & Co, ku planifikohen vrasje të liderëve shqiptar”, thekson Qarri.

“Sado që Klinaku u përpoq të sqaronte se pohimi i tij, gjoja është nxjerrë nga konteksti, deklarata private e Klinakut është kërcenim i hapur për kryeministrin Kurtin dhe një nga deklaratat më skandaloze nga kreu i OVL-së për vrasjen e Kurtit, i cili duket se Klinakut dhe atyre që janë mësuar të qërojnë hesapet politike me armë dhe vrasje, po u pengon shumë Albin Kurti?!”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat