“Kurti dhe Vuçiq përballë njëri-tjetrit”/ Dialogu rikthehet në shtator?

Politika

“Kurti dhe Vuçiq përballë njëri-tjetrit”/ Dialogu rikthehet në shtator?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 31 gusht 2023 Në ora: 19:56
Josep Borrell, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq/Foto ilustrim nga "Bota sot"

Pas tensioneve që u krijuan në veri të Kosovës, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Prishtinës tashmë ka stagnuar. Edhe pse ndërkombëtarët e panë si përparim i madh kur të dyja palët pranuan planin franko-gjerman, më 27 shkurt dhe më pas Plani i Veprimit për zbatimin e asaj që u dakordua në Ohër më 18 mars. Por deri më tani zbatimi i këtij plani ka dështuar plotësisht.

E muaji shtator po shihet si koha kur do të rikthehen në tavolinë përballë njërit-tjetrit kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Gjithçka varet nga BE dhe SHBA

Por çështja e rikthimit të Kosovës dhe Serbisë në dialog tani varet më së shumti nga BE-ja dhe SHBA-ja. Së paku kështu thotë doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

“Nëse këta do fillojnë të luajnë një rol më të balancuar duke mos e favorizuar Serbinë dhe duke dhënë garanca që Serbia do i përgjigjët në përpikëri marrëveshjes politike të Brukselit dhe asaj të zbatimit në Ohër. Serbia është pala e vetme e cila publikisht ka shprehur vullnetin e saj për të mos zbatuar marrëveshjet duke njohur vetëm disa pika selektive dhe duke thënë se e pranojnë vetëm në koncept por jo në përmbajtje”, thotë Kuçi për “Bota sot”.

Image
Gurakuç Kuçi.

Sipas tij, nëse qasja e Perëndimit ndaj Vuçiqit do jetë e njëjtë sikur ndaj Putinit, atëherë do kemi eskalim dhe jo deeskalim të situatës.

“Perëndimi e sidomos BE-ja duhet të ndryshojë qasjen e saj ndaj Kosovës, pasi ata janë duke pësuar humbje strategjike të mëdha në Afrikë dhe në shumë zona në Azi dhe nuk duhet të lejojnë që të forcohen aleatët rusë dhe kinezë edhe në Evropë. Qasja e Serbisë në forumin e Bledit tregoi edhe një herë se sa nuk mund ta durojnë ekzistencën e shtetit të Kosovës”, shton Kuçi.

Për fund, doktor Kuçi kritikon ashpër qasjen e perëndimit ndaj Serbisë.

“Nëse Perëndimi e detyron Serbinë të luaj rol konstruktiv në zgjedhjet në veri të Kosovës atëherë mund të kemi hapa për rikthim në dialog, në të kundërt Serbia do mbetet një shfrytëzuese e madhe e politikës ledhatuese perëndimore dhe një shfrytëzuese e ashpër e forcimit të Rusisë dhe Kinës të cilat po e shtrijnë pamëshirshëm gjeopolitikën e tyre në Afrikë dhe Azi. Kjo po e mban të fuqishëm edhe Serbinë”, shprehet doktor Gurakuç Kuçi.

Shtatori, muaji i rikthimit në dialog

Kurse analisti Nexhat Haziri thotë se rikthimi në dialog do të vije pas presionit të madh ndërkombëtar.

“Po patjetër që palët do të rikthehen dialogut dhe tashmë ka një presion të madh ndërkombëtar në drejtim të Kosovë dhe të Serbisë. Dhe ky presion u pa edhe me deklaratën e presidentit francez Makron i cili deklaroi se Kosovën dhe Serbinë do ti presin pasojat nëse të dyja palët nuk bëjnë përparim në procesin e dialogut dhe në shtensionim të situatës në veri të Kosovës”, nënvizon Haziri.

Image
Nexhat Haziri

“Po ashtu dialogu pritet të vazhdoj në shtator, ku do të ketë një takim në mes kryeministrit të Kosovës Kurti dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq ashtu siç edhe e paralajmëroi emisari special i BE-së për dialogun Kosovë -Serbi Mirosllav Lajcak, dhe ky do të jetë takimi zhbllokues i procesit të dialogut Kosovë -Serbi”, shpjegon analisti Haziri për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se marrëveshja e Ohrit, do të jetë baza për arritjen e një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sa i përket marrëveshjes së Ohrit ajo do të jetë baza për të arritur deri të marrëveshja finale Kosovë-Serbi, dhe mendoj se Marrëveshja e Ohrit do të filloi së zbatuari shumë shpejtë pasi ka përkrahjen jo vetëm të Bashkimit Evropian por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa sa i përket marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, marrëveshje kjo që duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë, që është i vetmi kusht për paqe dhe stabilitet në rajon dhe normalizim definitiv të raporteve në mes dy shteteve fqinje, pra Kosovës dhe Serbisë, do të mund të ndodhë në pjesën e parë të vitit të ardhshëm”, shprehet Haziri.

“Me këtë dinamikë të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, por edhe me vazhdimin e luftës në Ukrainë ku fokusi më i madh i bashkësisë ndërkombëtare është përqendruar në këtë krizë, nuk pres që marrëveshja finale në mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet me shpejtë”, përfundon për “Bota sot” analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat