Rikthimi në dialog me 14 shtator - Analistët skeptikë për marrëveshje përfundimtare/ Këto janë planet e Beogradit zyrtar!

Politika

Rikthimi në dialog me 14 shtator - Analistët skeptikë për marrëveshje përfundimtare/ Këto janë planet e Beogradit zyrtar!

Nga: Qendresa Rexhaj Më: 2 shtator 2023 Në ora: 08:03
Albin Kurti- Aleksander Vuciq

Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillohet me 14 shtator, ka njoftuar në një konferencë për shtyp në Spanjë përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj - nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend thonë se rikthimi në dialog midis Kosovës dhe Serbisë pas 4 muaj ndërprerjeje, është i domosdoshëm. Ndërkaq, shpresat për marrëveshje përfundimtare në këtë takim, thonë se janë të vogla.

“Kosova dhe Serbia, nuk po mund të gjejnë zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve”

Për analistin politik, Rexhep Elezaj, konfirmimi i takimit më 14 shtator, nënkupton se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është proces tejet i rëndësishëm, jo vetëm për dy shtetet në fjalë, por edhe për vetë Brukselin zyrtar.

Ai shton se, dialogu Kosovë-Serbi nuk ka alternativë, pasi që sipas tij, pa normalizim të marrëdhënieve në rajonin e Ballkanit perëndimorë nuk do të ketë qetësi.

“Konfirmimi i takimit Kurti-Vuçiq me 14 shtator në Bruksel nga vetë Komisioneri i lartë i BE-së, J. Borrell, nënkupton qartë, se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është proces tejet i rëndësishëm, jo vetëm për dy shtetet në fjalë, por edhe për vetë Brukselin zyrtar, ngase pa normalizim të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve, ose thënë ndryshe; mes Kosovës si viktimë e gjenocidit serb, dhe Serbisë si xhelatë dhe ekzekutuese e këtij gjenocidi, në rajonin e Ballkanit perëndimorë nuk mund dhe as do të ketë qetësi, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm. Prandaj, pranë gjitha tensioneve, protestave të serbëve lokalë në veri dhe konfliktit fizik midis bandave çetnike dhe kriminale serbe me forcat e KFOR-it, pranë refuzimit të qeverisë së Kosovës që t’i tërheq forcat speciale policore nga 4 komunat në veri, e që për pasojë sollën acarim e marrëdhënieve të Kosovës me BE-në, mbase e cila edhe do t’i vendos asaj masa ndëshkuese, gjegjësisht sanksione të buta, të cilat janë ende në fuqi, dhe kur gjatë kësaj periudhe dialogu ishte ngrirë, etj., konfirmimi i takimit Kurti-Vuçiq me 14 shtator në Bruksel, e dëshmon faktin, se dialogu Kosovë-Serbi nuk ka alternativë, sidomos për Brukselin zyrtar. Është kështu për faktin, sepse derisa dy shtete në jug të Evropës, Kosova dhe Serbia, nuk po mund të gjejnë zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre, dhe, kjo siç dihet, ekskluzivisht për shkakun se Serbia nuk dëshiron t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, ngase e konsideron krahinë të saj, në anën tjetër, për shkak të kësaj gjendjeje të tensionuar në raportet Kosovë-Serbi, nuk mund të ketë as proces normal të zgjerimit evropian me anëtarë të ri, pra pa u siguruar qetësia, stabiliteti dhe siguria në Ballkanin perëndimorë. Pra, kjo është arsyeja se pse rikthimi në dialog midis Kosovës dhe Serbisë pas 4 muaj ndërprerjeje, për Brukselin është i domosdoshëm”, deklaron ai.

Tutje ai potencon se, as nga ky takim nuk ka pritshmëri të mëdha, për faktin që, Vuçiq nuk do të pranojë ndonjë kompromis me palën kosovare, përderisa në veri të Kosovës të mos formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Ky është qëllimi djallëzor i Beogradit

Derisa thekson se, dialogu duhet të përfundoj me njohjen e Republikës së Kosovës, nga Serbia.

“Ndërsa, sa i përket pritshmërive nga ky takim, jam thellë i bindur, se as nga ky takim nuk do të ketë ndonjë rezultat pozitiv dhe as përparim në dialog, për shkakun e vetëm, se është A. Vuçiqi, ai i cili kurrë nuk do të pranojë ndonjë kompromis me palën kosovare, pra me Prishtinën zyrtare, përderisa në veri të Kosovës të mos formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, dhe atë, sipas tyre, vetëm me kompetenca ekzekutive, siç po vazhdon të thirret qe disa vite Vuçiqi në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, të nënshkruara në Bruksel. Pra, jam i sigurt se pala destruktive serbe, siç është treguar në 10 vitet e kaluara, pa e realizuar kërkesën e saj neveritëse dhe fashiste; formimin e “Zajednicës” serbe me kompetenca të plota ekzekutive, ajo kurrë nuk do pranon çfarëdo lloj presioni dhe as shantazh që mund t’i bëhet nga faktorët ndërkombëtarë, për shkakun e vetëm, sepse me formimin e këtij asociacioni, ose kësaj Zajednice, Beogradi zyrtar, alias A. Vuçiq, duan ta realizojnë synimin “hyjnor” serbo-ortodoks, që është, së pari prezencën e shtetit serb në veri të Kosovës, dhe së dyti, përmes kësaj Zajednice, ta shtrijnë ndikimin e nacional-shovinizmit serb në tërë territorin e Kosovës, ku rolin kyç në realizimin e planit antishqiptar të Vasa Çubrilloviçit, do ta kenë kishat serbe në Graçanicë, ajo në Deçan, Pejë dhe Prizren. Pra, ky është qëllimi djallëzor serbomadh i Beogradit zyrtar, kur është pyetje insistimi këmbëngulës për formimin e asociacionit, alias Zajdenicës së komunave me shumicë serbe në Kosovë..!? Kështu që, nga takimi i ardhshëm Kurti-Vuçiq, unë nuk pres asgjë me peshë për Kosovën, por as ndonjë hap për shtyrjen përpara të procesit të dialogut, i cili edhe ashtu nuk do të sjellë kurrfarë rezultati, po qese në përmbylljen e tij nuk marrin pjesë aktive amerikanët, dialog ky, i cili një ditë duhet të marrë fund, kuptohet me njohjen e Serbisë të pavarësisë së Kosovës. Dhe, se çdo solucion ose zgjidhje tjetër për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, nënkupton asgjë tjetër, përveç se konflikt dhe luftë të re në Ballkan, gjegjësisht në Evropë”, thotë ai për “Bota sot”.

“Serbia është në pikën zero për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit”

Nga ana tjetër, analisti politik Blerim Burjani, deklaron se në takim duhet të flasin për zgjedhjet në veri dhe normalizimin e situatës atje.

Ndërkaq, thekson se edhe nga ky takim nuk ka shpresa për arritje të marrëveshjes përfundimtare.

Derisa shpalos pritshmërit e takimit të 14 shtatorit, ai thekson se Serbia është betonuar në interesat e saj se nuk lëshon as një milimetër ndaj Kosovës.

“Do të duhej të flasin për zgjedhjet në veri, për bindjen e serbëve lokal, për të dal në zgjedhje pa kushte. Kurti duhet t’i bindë kryetarët aktual të komunave të dorëhiqen si rrugë e shkurt dhe jo e komplikuar. Shpresat nuk janë kurrëfare drejt ndonjë marrëveshje përfundimtare. Serbia mohon kategorish zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, me përjashtim pikës themelimit të asociacionit. Pra Serbia është në pikën zero për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit, fjalët e Macronit nuk i hyjnë në vesh Serbisë, madje as nuk i intereson. Serbia është betonuar në interesat e saj se nuk lëshon as një milimetër ndaj Kosovës, në anën tjetër politika perëndimore del qesharake duke e lutur Serbin, e cila as që ka interes kurrë të njeh Kosovën. Kjo pikë është përfundimtare, pra s’ka gjë prej kësaj pune. Perëndimi ka mundur më herët të detyroj Serbinë të njoh Kosovën, këtu s’ka gjë, ka humbur gjasa”, deklaron Burjani.

Ndryshe, më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.

Dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.

Gjatë konferencës së tij, Borrell ka njoftuar se së bashku me presidencën spanjolle të BE-së do të mbajë një konferencë të përbashkët në nivel të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perendimor për të analizuar situatën në rajon. Ai shtoi se kjo do të bëhet krahas takimeve tjera që do të zhvillohen, siç është samiti i Procesit të Berlinit.

“Çështja e zgjerimit ka qenë në diskutimet tona. Kemi diskutuar për Ukrainën dhe për zgjerimin drejt Ballkanit perëndimor . Do të mbetet proces i zbatuar në meritat individuale”, ka thënë ai duke shtuar se edhe për BE-ja ka nevojë të përgatitet për zgjerim.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka propozuar këtë javë që viti 2030 të caktohet si afati deri kur edhe Bashkimi Evropian, edhe vendet kandidate duhet të jenë të gatshme për zgjerim.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri i ka bërë këto komente në një konferencë për shtyp pas takimit joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së në Toledo të Spanjës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat