“Do të elektrizojë situatën në veri, por edhe vendin”, ja çka pritet nga takimi Kurti-Vuçiq

Politika

“Do të elektrizojë situatën në veri, por edhe vendin”, ja çka pritet nga takimi Kurti-Vuçiq

 Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 shtator 2023 Në ora: 20:14
Foto takimi Kurti-Vuçiq

Herën e fundit ishin takuar më 2 maj, kishin zhvilluar biseda në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, e që nga atëherë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk janë takuar më.

Zgjedhjet në veri të Kosovës, tensionet e dhunën që shkaktuan ato, kanë bërë që Kurti e Vuçiq të mos takohen, e as të mos dëshirohet nga palët takimi i mundshëm.

Por, emisari evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ka “arritur” t’i bind palët për një takim të ri në nivel më të lartë politik dhe kjo është konfirmuar nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josef Borrell.

Takimi në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të zhvillohet më 14 shtator.

Analistët politikë nuk “parashikojnë” një marrëveshje Kosovë- Serbi, madje sipas tyre ajo është larg.

Analisti politik, Sulejman Mehazi, thotë se kur marrëveshja e Ohrit nuk e ka qetësuar Serbinë si një ndër takimet më serioze, atëherë takimet Kurti e Vuçiq shkaktojnë më shumë situata konfliktuoze.

Image
Sulejman Mehazi

“Përvojat e takimeve të mëhershme nuk na japin sinjale të shpresojmë se takimi i ardhshëm në mes Kurtit e Vuçiqit në Bruksel do na japin ndonjë marrëveshje përfundimtare. Kur Marrëveshja e Ohrit që ka qenë një ndër takimet më serioze e më shpresëdhënëse nuk qetësoi Serbinë dhe Kosovën e ku ka mbetur takimi që do mbahet së shpejti në Bruksel. Si vërehet e shihet, jo që takimet Kosovë - Serbi janë të dobishme, po përkundrazi sa më shumë që takohen Vuçiqi dhe Kurti në Bruksel aq më shumë konfliktuoze bëhet situata në veri të Kosovës. Edhe pse ne shpresojmë se takimet e Kurtit me Vuçiqin në Bruksel do qetësojnë situatën, përkundrazi pas çdo takimi situata në veri bëhet më e tensionuar e më e paqartë”, pohon Mehazi.

Sa më shumë që takohen Vuçiq e Kurti, sipas Mehazit, aq më luftënxitës e urrejtës bëhet veriu i Kosovës.

“Jemi të mendimit se sa më shumë që takohen Vuçiqi e Kurti aq më luftënxitëse e urrejtëse bëhet veriu i Kosovës. Nëse njëra palë, gjegjësisht, Albin Kurti nënshkroi marrëveshjen e paqes në Ohër, e tjetra palë, Vuçiqi nuk nënshkroi marrëveshjen e Ohrit si atëherë mund të ketë paqe në mes dy shteteve fqinje?, jo njëherë, por edhe 100 herë të takohet Kurti me Vuçiqin në Bruksel nuk do ketë marrëveshje përfundimtare, si mund të ketë marrëveshje kur BE-ja e SHBA-të veprojnë padrejtësisht duke mikluar Serbinë e qortuar Kosovën? Shkurt e qartë takimi i ardhshëm në Bruksel në mes Kurtit dhe Vuçiqit dhe më shumë do elektrizojnë situatën Kosovë-Serbi sesa do ta qetësojnë”, shton Mehazi.

Në takimin e 14 shtatorit, një ndër temat kyçe do të jetë zbatimi i marrëveshjes për normalizim të raporteve dhe shtensionimi i situatës.

Agjenda e takimit do të dihet në ditëve në vazhdim, thonë nga qeveria.

“Agjenda e plotë e këtij takimi do të specifikohet dhe dakordohet ditëve në vijim. Për të do të njoftoheni me kohë”, kanë thënë nga Qeveria e Kosovës.

Ndërsa, analisti politik Gani Qarri e quan Kosovën vend i promovimit të demokratizimit, integrimeve evropiane dhe ripajtimit ndëretnik.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, Serbia prej që ka filluar procesi i dialogut gjithmonë ka paraqitur kushte dhe ka pretenduar në diktime të temave.

“Megjithëse Kosova është vendi më demokratik dhe shembull në në rajon, për promovimin e demokratizimit, integrimeve evropiane dhe ripajtimit ndëretnik, ku pakicat trajtohen deri në "diskriminim" pozitiv, me një shtet agresor dhe shumë problematik për gjithë rajonin, si Serbia e cila ka për qëllim grabitjen e tokave dhe pasurive më jetike të Kosovës, madje kërcënim, paraqet edhe për Bosnje Hercegovinën dhe Malin e Zi, mbar bota e di, se pa ndryshimin e qasjes ndaj saj, me Serbinë është e pamundur të arrihet, çfarëdo marrëveshje paqësore politike. Në fakt, prej se ka filluar procesi i dialogut Serbia gjithmonë ka paraqitur kushte dhe pretenduar në diktime të temave, që do të diskutoheshin në takime, të cilat fatkeqësisht pranoheshin në heshtje edhe nga BE, akt i cili bëri, që për më tepër se një dekadë, të zhvillohet një dialog shterp e monoton dhe kohët e fundit edhe me tensionime të mëdha, pa treguar suksese as arritur qëllimin final, për të cilin, që në nismë edhe ishte filluar, si marrëveshja përfundimtare. Kjo bëri që edhe shumica e marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet të dy vendeve, me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel, të mos zbatoheshin nga Serbia hegjemoniste, duke quar edhe në retrograd, apo prapakthim, me rinegocimin e marrëveshjeve të arritura dhe nënshkruara shumë vite më parë, si marrëveshja për zëvendësimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia me targa legjitime, të miratuara nga shteti i Kosovës, gjë që çoi edhe në ngritjen e tensioneve dhe egërsimin e grupeve kriminale të udhëhequra nga Millan Radojçiq dhe bandave të mbështetura e të diktuara nga Serbia”, shprehet Qarri.

Nga takimi i 14 shtatorit, Qarri thotë se Serbia do të insistojë që të orientohet drejt asociacionit, pasi sipas tij, ky është qëllimi kryesor i Vuçiqit.

“Prandaj kësaj radhe, në kuadër të shtensionimit të gjendjes së acaruar ndërmjet të dy vendeve, Bashkimi Evropian ka vendosur të thërras një takim shtensionues, duke ftuar përfaqësuesit e të dy vendeve, kryeministrin e Kosovës, z.Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të diskutuar, gjetjen e mënyrave, për rivazhdimin e dialogut të bllokuar, tash e sa kohë, ku temë me prioritet, pritet të jetë dakordimi i mbajtjes së zgjedhjeve të lira në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakicës serbe, pa ndërhyrjen e Serbisë, siç ka vepruar, në vijimësi deri më tani. Takim që vjen pas disa muajsh ngecje ne dialog dhe nga i cili pritet dakordimi i mënyrës dhe kohës së mbajtjes së zgjedhjeve për emërimin e kryetarëve të rinj, me rregullat kushtetuese dhe ligjet e shtetit të Kosovës në komunat veriore të Republikës së Kosovës, pa ndërhyrjen e bandave kriminale të Radojçiqit dhe kërcënimet e Serbisë, për votuesit e pakicës serbe, në këtë pjesë legjitime të vendit tonë”, thekson Qarri.

Tutje, sipas tij, Kosova e Serbia janë larg për të formuar një marrëveshje, kjo sepse me Serbinë është e pamundur.

“Megjithatë insistimi i Serbisë pritet të orientohet te asociacioni me kompetenca ekzekutive, pasi që qëllimi kryesor i Vuçiqit, është që sa më gjatë, që të jetë e mundur, të zhvillohet dialog shterp dhe pa rezultate për Kosovën, për mos arritjen e marrëveshjes përfundimtare dhe mos-mbylljen e problemeve me shtetin tonë, në mënyrë që pavarësia e Kosovës të mos pranohet nga pesëshja e shteteve mos njohëse evropiane, të vazhdojë pengimi i pranimit të Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe pamundësohet anëtarësimi i vendit tonë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Madje se sa larg jemi, nga një marrëveshje reale Kosovë-Serbi, flet më së miri fakti se sa shume mosmarrëveshje ekzistojnë ende ndërmjet të dy vendeve dhe megjithëse Kosova është shteti më demokratik në rajon dhe shembull i përpjekjeve të ripajtimit ndëretnik, ku pakicat trajtohen deri në "diskriminim" pozitiv, me një shtet agresor dhe shumë problematik për gjithë Ballkanin Perëndimor, si Serbia e cila ka për qëllim grabitjen e tokave dhe pasurive më jetike të Kosovës, kërcënon Bosnjë Hercegovinën dhe Malin e Zi, mbar bota e di, se pa ndryshimin e qasjes ndaj saj, me Serbinë është e pamundur të arrihet, çfarëdo marrëveshje paqësore politike”, shprehet Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat