Sërish tensione në veri? Vjen paralajmërimi i fortë i ekspertit: Serbia po bën çmos t’ia arrijë qëllimit, ja si të zgjidhet kjo situatë

Politika

Sërish tensione në veri? Vjen paralajmërimi i fortë i ekspertit: Serbia po bën çmos t’ia arrijë qëllimit, ja si të zgjidhet kjo situatë

Nga: A.Zh Më: 3 shtator 2023 Në ora: 10:17
Pamje nga tensionet e fundit në veri të Kosovës

Eksperti i çështjeve të sigurisë Hajrullah Tërnava, vlerëson se kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës, po i kryejnë detyrat e tyre institucionale. Duke folur për gazetën “Bota sot”, ish-zëvendësministri i Brendshëm, fajëson presidentin serb Aleksandar Vuçiq, që sipas tij, iu bëri presion serbëve që të bojkotojnë zgjedhjet në veri të vendit.

“Para një viti presidenti serb Vuçiq, i pati tërhequr nga institucionet komunale të Kosovës funksionarët e komunave, gjygjtarët, prokurorët, policinë serbe dhe vendi mbeti në atë gjendje të mjerueshme, gjë që u desh të shkohej në zgjedhje të parakohshme. Edhe pse u shpallën zgjedhjet, serbët nuk morën pjesë në to dhe ato zgjedhje u desh që të shtyhen për një kohë.

Megjithatë pas disa muajve zgjedhjet në ato pjesë të veriut u desh të mbahen dhe u ftua i tërë populli, i cili jeton atje të marrin pjesë në ato zgjedhje. Popullata nën presionin e Serbisë, prapë i bojkotoi ato zgjedhje edhe që serbët në një numër të vogël disa kanë dalë në zgjedhje, por popullata shqiptare edhe pse janë pakicë në ato pjesë i fituan zgjedhjet në katër komunat. Edhe sot ata kryetarë janë duke i kryer punët e tyre institucionale. Këto zgjedhje i përkrahen shtetet demokratike në krye me Amerikën”, ka thënë Tërnava.

Image
Hajrullah Tërnava

Ai vlerëson se Serbia po bën gjithçka që të tensionojë sërish situatën në Kosovë. Këtu ai përmend edhe dorëheqjet e policëve të rinj serbë, që po braktisin punën e tyre, nën shantazhin e Beogradit.

“Duke e pasur parasysh popullatën serbe si shumicë që nuk mori pjesë në zgjedhjet e fundit, themi se Serbia me veprimet e saj të luftërave speciale, po bën çmos që situatën ta tendosë me konflikte të lloj-llojshme, duke e përdorur popullatën serbe si pretekst për konflikte të mundshme.

Edhe pse policët serbë e patën lëshuar punën e tyre me dirigjim të Serbisë, kosovarët kanë shkolluar numër të ri të policëve serbë dhe së bashku me shqiptarë i kanë kyçur që të punojnë në ato komuna, tani nga ta po ka të tillë, që nën ndikimin e politikave serbe të lëshojnë prapë punën”, është shprehur më tej eksperti.

Sipas Tërnavës, qëllimi i Serbisë është të përvetësojë veriun e Kosovës, ose që kjo pjesë të ketë një autonomi.

“Paralajmërimet e kryeministrit Kurti se mund të ketë sërish eskalime të situatës në veri po e dëshmon këtë çfarë e thashë deri më tani.

Serbia me veprime të tilla do të tentojë në çdo mënyrë t’ia arrijë qëllimit të saj, së paku veriun ta përvetësojë ose ta ketë një status të tillë si autonomi që në një të ardhme jo të largët megjithatë t’ia arrijë atij qëllimi të përvetësimit”, thotë ai.

Ai tregon edhe mënyrën se si mund të zgjidhet situata.

“Kjo situatë mund të zgjidhet vetëm me ndihmën e miqve tanë amerikanë si evropianë, dhe duke e pasur parasysh situatën luftarake mes Rusisë dhe Ukrainës, e që Ukraina me të madhe po jep sinjale se do ta njeh pavarësinë e Kosovës, dhe trysnia e shteteve mike të Kosovës ndaj atyre 5 shteteve të BE-së që s’e kane njohur pavarësinë e Kosovës, dhe me njohjen e atyre 5 shteteve, Kosova të pranohet në NATO.

Me këtë sa i përket pavaresisë së Kosovës do të marr fund dhe njëherë e përgjithmonë në këto pjesë të Ballkanit do të mbretërojë demokracia dhe rehatia e përjetshme”, pohon eksperti.

Ndërsa, lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Tërnava thekson se ato duhet të mbahen me kushtin që në to të marrin pjesë edhe serbët që jetojnë në Kosovë.

“Kryetarët e komunave të zgjedhur me votë të popullit tani janë duke i kryer detyrat e përditshme të tyre. Nëse faktori ndërkombëtar dhe Serbia e vlerësojnë se duhet të shkohet në zgjedhje të reja, të gjitha gjasat janë se qeveria në pushtet dhe kryetarja e shtetit mund të vendosin që të shkohet në zgjedhje të reja, por me kusht që edhe serbët duhet patjetër të marrin pjesë në ato zgjedhje. Me këtë do të dëshmohet se kosovarët janë të përkushtuar që të jetojnë në demokraci dhe në fqinjësi të mirë me të gjithë fqinjët e tyre, pavarësisht cilit komb i takojnë ata”, shton ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat