E kritikoi Osmanin për paralajmërimin që ia bëri Macron-it, vjen reagimi i ashpër ndaj Baton Haxhiut

Politika

E kritikoi Osmanin për paralajmërimin që ia bëri Macron-it, vjen reagimi i ashpër ndaj Baton Haxhiut

Nga: A.M. Më: 3 shtator 2023 Në ora: 15:59
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani

Ditë më parë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani iu është kundërpërgjigjur paralajmërimt të presidentit të Francës, Emmanuel Macron se mund të rishikohet liberalizimi i vizave për Kosovën në rast se shteti nuk sillet me përgjegjësi në dialogun me Serbinë.

Osmani tha para gazetarëve se nëse kjo ndodh, mund të rezultojë me vdekjen e dialogut.

“Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj ndonjë politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë, i paprecedentë, i cili edhe ashtu ka qenë një padrejtësi e madhe në raport me popullin e Kosovës, unë besoj që do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka askush më mandat në Republikën e Kosovës që të vijojë të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet në aso mënyre”, tha Osmani.

Baton Haxhiu, në një tekst autorial të publikuar në median e tij e ka kritikuar skajshëm presidenten Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit ka qenë e ashpër në përgjigjen që i ka kthyer presidentit të Francës për punën e vizave, duke thënë se nëse ndodh shtyrje e liberalizimit, një gjë e tillë do të nënkuptonte “vdekje të dialogut një herë e përgjithmonë”.

Analisti politik, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se dialogu Kosovë-Serbi nuk ka dhënë shumë shpresë për arritje të një marrëveshjeje finale, pasi që pas më shumë se 12 viteve negociata, shumica e marrëveshjeve të arritura nuk janë zbatuar.

Image
Analisti politik, Gani Qarri

“Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 e këndej, zhvillojnë bisedime pothuajse kot, madje përkundër ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian, në emër të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve, megjithëse janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, zbatimi i shumicës prej tyre, veçanërisht nga Serbia kanë ngelur të shënuara vetem në letër, dhe pa u jetësuar asnjëherë.

Për aq më tepër, edhe disa marrëveshje të arritura para shumë vitesh si ajo për zëvendërsimin e targave ilegale serbe me targa legjitime të shtetit të Kosovës, marrëveshja për dokumentet dhe njohjen e diplomave etj, me insistimin e Serbisë, dhe mbështetjen e saj nga përfaqësuesit e BE-së, jo vetëm që nuk janë zbatuar nga Serbia por me insistimin e saj edhe janë rinegociuar përsëri, gjë që dëshmon marrjen anë publikisht të BE-së dhe qorrsokakun e një dialogu shterp, kështu që vet historia e deritanishme e dialogut plot turbulenca Kosovë-Serbi, as pas më se 12 vitesh të kaluara, nuk lë shumë vend për optimizëm”, deklaroi ai.

Qarri e vlerësoi lartë Osmanin, duke thënëse është presidentja me e ngritur që ka pasur Kosova ndonjëherë.

Sipas tij, presidentja ka plotësisht të drejtë në kundërpërgjigjen e saj ndaj presidentit francez, Emmanuel Macron, ku në rast të bllokimit të liberalizimit të vizave për Kosovën, të shpallet ‘i vdekur’ dialogu me Serbinë.

“Në anën tjetër sa i takon presidentes së vendit tonë deri më tani Kosova asnjëherë nuk ka pasur një presidente më të ngritur intelektualisht, mbrojtëse më besnike të interesave të vendit tonë, interfereuese më të mirë të bashkëpunimit me partnerët evroperëndimor dhe farkuese e raporteve me miqtë tanë ndërkombëtar, nga BE deri SHBA.                                                                         

Kështu që nëse nga Franca apo kushdo tjetër insistohet me këmbëngulje në rrezikimin e integritetit territorial dhe shuarjen e shtetësisë së Kosovës, për krijimin e "zajednicës" me kompetenca ekzekutive, duke kërcënuar me bllokimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, presidentja ka plotësisht të drejtë se nëse vërtetë ndodh shtyrje e liberalizimit, jo vetëm që do të nënkuptonte, por dhe do duhej të shpallej publikisht “vdekja një herë e përgjithmonë”, e një dialogu të tillë fantom, i cili tenton ta-ha pjesë, pjesë-shtetin e Kosovës”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, analisti tha se Baton Haxhiu po e shpreh frustrimin e dështimit të tij personal ndaj presidentes Osmani.

Ndër të tjera, shtoi se sa më shumë po avancon shtetësia e Republikës së Kosovës, Haxhiun e disa të tjerë, pa asnjë mëshirë, po i hedh poshtë.

“Përndryshe sa i takon ish spiunit të Serbisë të cilin udhëheqësit e shantazhuar nga Serbia e ngritën në piun të politikës së inkriminuar fataliste kosovare, ai shpreh frustrimin e tij të madh, për dështimin e pësuar personal, ikjen e një kohe të dyshimtë dhe fiaskon e një politike të kriminalizuar e cila diktohej nga Vuçiqi dhe Serbia hegjemoniste.

Prandaj në qoftë se dikush ishte produkt një përdorimësh dhe i pa ripërdorshëm, që dhe po shuhet si histori turpi, në vendin tonë, ata pa asnjë dyshim ishin spiunët e Stanishiqit si Baton Haxhiu dhe bashkëpuntorët besnik të Serbisë hegjemoniste, të cilët sa më shumë po avancon shtetësia e Republikës së Kosovës, ata pa asnjë mëshirë, po i hedh poshtë e më poshtë, në koshin e plehrave dhe bërllogun e historisë, kundërmimi i të cilëve, duket se po tenton  ende ta  kontaminojë atmosferën politike, qoftë edhe nga azili në shtetet tjera, ku kanë gjetur strehim të kontrabandueshëm, si Baton Haxhiu me shokë, te miqtë e Aleksandër Vuçiqit”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat