Vizita e presidentes Osmani në Shqipëri në momentin e duhur – ky veprim ka rëndësi të madhe për shqiptarët

Politika

Vizita e presidentes Osmani në Shqipëri në momentin e duhur – ky veprim ka rëndësi të madhe për shqiptarët

Arife Morina Nga Arife Morina Më 3 shtator 2023 Në ora: 22:21
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj

Me ftesë të Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë shtetërore dy ditore (4 dhe 5 shtator) në Shqipëri gjatë së cilës do të pritet me nderime të larta shtetërore nga homologu i saj, Presidenti Begaj.

Përveç takimit tête à tête, të dy presidentët do të takohen edhe me delegacione.

Pas takimit, të dy presidentët do ta mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ndërkaq në mbrëmje Presidenti Begaj do të shtrojë darkë shtetërore për Presidenten Osmani dhe delegacionin nga Kosova.

Presidentja do të shoqërohet nga Zotëria i Parë Prindon Sadriu, i cili gjatë ditës do të vijojë me agjendë të përbashkët me Zonjën e Parë të Shqipërisë, Armanda Begaj.

Kjo vizitë e presidentes Osmani vjen pas anulimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverieve shqiptare, të cilën refuzoi ta zhvillojë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Mehazi: Vizita e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, në Shqipëri është e mirëseardhur sepse gëzon gjithë shqiptarët

Këtë vizitë të Osmanit në një prononcim për “Bota sot” e komentoi profesori, Sulejman Mehazi.

Fillimisht, ai u shpreh se nuk ka më kënaqësi sesa kur takohen dy krerët e dy shteteve shqiptare.

Sipas tij, simbolika e kësaj vizite ka kuptimin e një dashurie e bashkimi shpirtëror në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Image
Sulejman Mehazi.

“Vizita e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, në Shqipëri është e mirëseardhur sepse gëzon gjithë shqiptarët, nuk ka më kënaqësi për qytetarët shqiptarë sesa kur takohen dy krerët e dy shteteve shqiptare, presidenti Bajram Begaj i Shqipërisë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Simbolika e vizitës së presidentes, Vjosa Osmanit, në Shqipëri e ka kuptimin e një dashurie e bashkimi shpirtëror në mes dy shteteve shqiptare sesa kuptime bashkuese kombëtare, fizike, politike e ideologjike. Në këtë rast mosmarrëveshjet dhe inatet politike në mes Kurtit dhe Ramës duhet të lihen anash që presidentja e Kosovës, Osmani përveç me presidentin, Bajram Begaj, të takohet pse jo edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën”, deklaroi profesori.

Po ashtu, Mehazi tha se Rama nuk ka arsye që të mos takohet me presidenten Osmani, pavarësisht kundërshtimeve politike që ka me Kurtin.

Ndër të tjera, ai përmendi faktin se Rama më parë kishte pritur në Tiranë edhe presidentin serb,

“Nëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me nderime të mëdha shtetërore ka pritur në Tiranë, presidentin e Serbisë armike për Kosovën, Vuçiqin, pse Rama mos të takohet me presidenten motër e mike të Kosovës, Vjosa Osmanin. Nëse Rama e Kurti kanë kundërshtime politike e diplomatike në mes veti për shkak Serbisë nuk do të thotë që Rama mos takohet në Tiranë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin. Nëse kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, do i mungonte zemra e shpirti për t'u mos u takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, atëherë lirisht mund të themi se Rama i Shqipërisë anon nga Vuçiqi i Serbisë e është kundër motrave e vëllezërve politik, Vjosa Osmanit e Albin Kurtit të Kosovës”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Në agjendën e Presidentes Osmani është edhe një aktivitet i përbashkët i dy presidentëve me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave në Presidencën e Shqipërisë. Poashtu, në Tiranë Presidentja do të ketë edhe një takim me grupin e grave deputete, vizitë te Muzeu i Gjetheve dhe aktivitete të tjera.

Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, Presidentja Osmani në një ceremoni do t`ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.

Zogaj: Vizita e Presidentes Osmani në Shqipëri është, jo veprim i mirë por absolutisht i domosdoshëm

Krahas kësaj, opinionisti Skënder Zogaj, takimet e dy presidentëve shqiptarë i cilësoi si thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Sipas tij, vizita e Osmanit në Shqipëri është një veprim jo vetëm i mirë, por edhe i domosdoshëm.

Image
Skënder Zogaj

“Vizitat shtetërore të presidentëve me homologët e tyre në vendet e ndryshme janë shenjat e vullnetit të mirë për lidhje miqësore dhe për thellim të bashkëpunimit ndërmjet popujve më të ndryshëm e më të largët! Duke qenë kështu, vizita e Presidentes Osmani në Shqipëri është, jo veprim i mirë por absolutisht i domosdoshëm sepse, kjo vizitë është e dy kryeshtetasve që rastësisht janë dy, teksa bëhet fjalë për dy pjesët e një territori etnik shqiptar, të ndarë me dhunë dhe që vazhdon të mbetet i ndarë ngase rrethanat historike ende e pengojnë bashkimin kombëtar, i cili është i pandalshëm”, theksoi ai.

Po ashtu, opinionisti u shpreh se presidentët Osmani dhe Begaj janë personalitete të denja, dhe se këto takime do kenë rëndësi të madhe për të gjithë shqiptarët.

“Prandaj, vizita e Presidentes Osmani ka rëndësi të madhe për të gjitha shqiptarët që të reflektojnë dhe të japin kontributin e tyre të pandalshëm për çdo lloj bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Dy presidentët Osmani dhe Begaj janë personalitete të denja dhe jam i bindur se kjo vizitë ka qëllim thellimin e mirëkuptimit shqiptaro-shqiptar”, përmbylli Skëndër Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat