“Albin Kurti i dha përgjigjen e duhur Ana Brnabiqit” – Kush i tha Vuçiqit “vazhdo bablok ofensivën kundër Kosovës”!

Politika

“Albin Kurti i dha përgjigjen e duhur Ana Brnabiqit” – Kush i tha Vuçiqit “vazhdo bablok ofensivën kundër Kosovës”!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 4 shtator 2023 Në ora: 14:35
Ana Brnabiq dhe Albin Kurti

Në Lubljanë të Sllovenisë është mbajtur samiti vjetor i Bledit, një samit ky që bën bashkë BE-në dhe vendet e Ballkanit Perendimor.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq. Kjo e fundit në fjalën e saj tha se Kosova është pjesë e Serbisë dhe foli me fodullëkun e dikurshëm të Milosheviçit.

Kështu shprehet profesori dhe analisti politik Enver Bytyçi, i cili shton se Brnabiq është e atij formati si Milosheviçi.

Sipas tij, shefi i saj, presidenti Vuçiq, ia ka kaluar kasapit të Ballkanit në pikëpamjen retorike.

“Pra Serbia në sy të europianëve, para pesë shefave të qeverive të vendeve të tjera të Ballkanit Perendimor, nuk trembet aspak dhe kërcënon Kosovën si pjesë të Serbisë. Albin Kurti ia dha përgjigjen që meritonte dhe të pranishmit të vetmen meritë kishin kur duartrokitën reagimin e zotit Kurti. Duartrokitja ishte mos-aprovim i deklaratës së Brnabiq dhe pohim i të vërtetës të artikuluar nga kryeministri i Kosovës. Pretendimi serb u shndërrua në të kundërtën e qëllimit që kishte, u përmbys. Kjo falë mençurisë, të drejtës dhe arsyetimit logjik të zotit Kurti. E përmenda këtë fakt për të shpjeguar shkakun e retorikës serbe kundër lirisë, pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Shkaku është se ata pretendojnë “të drejtën” mbi Kosovën, pra sovranitetin mbi të. Këtë lloj sovranitetit të fantazuar e kanë shkruar në kushtetutë. Dhe megjithëse Aleksandër Vuçiq ka dhjetë vite në pushtet, madje me një shumicë dërmuese, nuk tentoi asnjëherë ta ndryshojë dokumentin themelor të shtetit dhe t përkufizojë Serbinë në kufijtë realë të saj të sotëm. Në vend të kësaj përdori retorikën luftënxitëse, urrejtëse dhe hakmarrëse”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Image
Profesori Enver Bytyçi

Por, pse ndodhi kjo?

“Kjo ndodhi sepse disa politikanë e diplomatë në Europë e besa edhe në SHBA i krehën dhe vazhdojnë t’i krehin bishtin. Sepse këtë gjë bëri dhe vazhdon ta bëjë edhe vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Në vend që t’i kërkohej Serbisë dhe presidentit të saj të nxihej e së paku të skuqej për genocidin kundër shqiptarëve në Kosovë, i thanë atij vazhdo me këtë politikë, faljen kërkoje në fund të procesit. Pra i thonin: - Vazhdo bablok ofensivën kundër Kosovës deri në fund dhe pasi të kesh fituar territore ose prezencë serbe në territorin e Kosovës, atëherë “thuaj ndonjë fjalë keqardhjeje për krimet makabre që ke bërë kundër shqiptarëve”! Publikisht kjo retorikë është artikuluar nga Edi Rama. Por jo publikisht ka patur mbështetje në Perëndim”, thotë ai.

Prandaj sipas tij, Serbia po bëhet gjithnjë e më agresive.

“Ata thonë: - Kur ka politikanë e diplomatë perendimorë që më tolerojnë, pse të mos tregohemi agresivë e pse të mos e kërcënojmë Kosovën?! Kur kryeministri i Shqipërisë na thotë “Mos çani menderen për vrasjet, masakrat, dhunimet, përdhunimet, djegjet, shkatërrimet, dëbimet masive të shqiptarëve”, pse duhet ta pranojmë këtë krim?! Prej kësaj buron jo vetëm retorika e agresiviteti politko-doplomatik dhe praktik i Serbisë në Kosovë, por edhe paraqitja e saj si viktimë në Kosovë”, shton profesori.

Andaj shtohet pyetja se çfarë mund të pritet tjetër në këto rrethana nga një vend i inkriminuar masivisht, si Serbia?!

“Si mund të reflektojë një president si Vuçiq, pjesmarrës aktiv në masakrat në Bosnjë e në Kosovë, kur atij i japin leje të tallet me viktimën e vet, shqiptarët dhe boshnjakët?! Në vend të reflektimit kemi ende sot pas 24 vitesh çlirim retorikën e Pashiqit, Rankoviçit dhe Milosheviçit. Madje kemi retorikën e para vitit 1966. Si atëherë edhe sot serbët e quajnë Kosovën jo me emrin e saj, por me emrin “Kosovo-Metohi”! Edhe në prezencë të ndërkombëtarëve, edhe në prezencë të Edi Ramës e madje të ish-presidentit Thaçi. Sot së paku Albini ua kthen dhe u thotë se “Konflikti zgjidhet menjëherë nëse Serbia do të ishte si Çekia”! Dhe e vërteta është shumë e thjeshtë: - Konfliktin e ka shkaktuar fillim e mbarim Serbia. Pasojat i ka vuajtur Kosova. Ndërsa muajt e fundit kemi parë që të fajësohet qeveria e Kosovës”, potencon ai.

Megjithatë, sipas profesorit palët anti-Kosovë kanë gojë të flasin për “të drejtën” ndërkombëtare!

“Në fakt e shkelin atë me të dy këmbët, duke e arsyetuar me lloj-lloj fabrikimesh për gjeopolitkën, sigurinë, stabilitetin etj. Harrojnë formulën e famëshme të presidentit amerikan, sipas të cilit “Nuk është vetëvendosja që prish ekuilibrat e paqes e të sigurisë, përkundrazi, është rendja pas ekulibrit të Fuqive të Mëdha ajo që i prish këto ekiulibra”! Fatkeqësisht, pas një periudhe 20-30 vjeçare kur u predikuan vlerat perendimore, tani ka marrë përparësi parimi i ekuilibrit të Fuqive të Mëdha. Pikërisht për shkak të këtij parimi të shëmtuar shqiptarët janë dënuar të copëtohen, ndërsa serbët janë favorizuar me epërsinë e dominimit të tyre në Ballkan. Tani është koha kur ne shqiptarët, qoftë dhe të vetëm, duhet ta ndalojmë këtë fenomen”, thotë profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat