14 shtatori, analisti “zbulon” temat ku do të ketë “fërkime e tensione” mes Kurtit e Vuçiqit

Politika

14 shtatori, analisti “zbulon” temat ku do të ketë “fërkime e tensione” mes Kurtit e Vuçiqit

Nga: Naile Ejupi Më: 4 shtator 2023 Në ora: 23:02
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

14 shtatori do të jetë dita e cila do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Për këtë takim ka njoftuar përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

“Më 14 shtator do të mbaj takim të ri të nivelit të lartë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si lehtësues, për të kërkuar zgjidhje”, ka thënë ai, ndërsa shtoi se procesi i zgjerimit është diskutuar me ministrat e Jashtëm të BE-së dhe ky proces ka marrë kah të ri pas luftës në Ukrainë, megjithatë ka shtuar se procesi do të zbatohet “në bazë të meritave”.

Zbatimi i marrëveshjes për normalizim të raporteve dhe shtensionimi i situatës në veri pritet të jenë temat kyçe të diskutimit në takimin e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Nga Qeveria thonë se agjenda e takimit të 14 shtatorit do të dihet ditëve në vijim.

“Agjenda e plotë e këtij takimi do të specifikohet dhe dakordohet ditëve në vijim. Për të do të njoftoheni me kohë”, kanë thënë nga Qeveria e Kosovës.

Në anën tjetër, para takimit të 14 shtatorit, janë shtuar edhe deklaratat për asociacionin.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hilli, i cili për formimin e asociacionit është më i zëshëm prej zyrtarëve amerikanë, këtë herë e ka shtruar më ndryshe, duke e kundërpeshuar me atë se çfarë i nevojitet edhe Kosovës: integrimi i saj në strukturat ndërkombëtare dhe evropiane, e që është “punë që bëhet”, tha ai.

“Të dyja palët duan diçka që është punë që bëhet”.

Se Asociacioni do të bëhet, Hill e merr për të mirëqenë, dhe nuk e vendos në dyshim, por se kësaj here, e shtroi pak më ndryshe tërë çështjen, teksa rikujtoi se sa ka mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kjo çështje.

“Për nga pikëpamja e Kosovës, ata e kthejnë kokën pas në dekadat e fundit dhe shohin se ju nevojiten hyrje/anëtarësime (foothold) më të madhe ndërkombëtare dhe kërkojnë që negociatat të përfundojnë ku ata janë në gjendje të anëtarësohen në struktura evropiane”, ka thënë Christopher Hill në një intervisë në “Nova”.

Në dritë të kësaj, Hill përfundon se “të dyja palët duan diçka që është punë që bëhet”.

Për komunitetin serb në Kosovë, Hill sërish u thirr në “nevojën” për themelimin të Asociacionit, ngase, siç thotë ai, “ata duhet të dinë se si do të duken jetët e tyre”.

“Prandaj edhe ShBA’ja i jep kaq shumë mbështetje Asociacionit”.

Rreth asociacionit dhe mundësisë që kjo të jetë temë e takimit të 14 shtatorit, ka folur edhe analisti politik Faton Mehmeti, i cili thotë se kryeministri Kurti nuk do ta zbatojë asociacionin e nënshkruar më 2015, por do mund të ketë një model tjetër.

Sipas tij, takimi i 14 shtatorit nuk do të ketë diçka të re, përveç kërkesës së perëndimit për formimin e asociacionit dhe gjuhës kërcënuese të Vuçiqit.

“Ka kohë që ShBA kërkon Asociacion, pasi vetë Kosova në 2013 dhe 2015 ka pranuar një gjë të tillë. Pra, po kërkohet vetëm ajo çfarë është nënshkruar, jo diçka konkrete. Ish- politikanët e kaluar të Kosovës janë përgjegjës për situatën aktuale politike, dhe eventualisht nëse krijohet Asociacioni që pritet vetëm të krijojë telashe tjera. Nuk besoj se Kurti do e zbatojë Asociacionin aktual të nënshkruar më 2015, mund të ketë model tjetër por jo ekzistuesi. Këtu edhe po lindin krejt fërkimet, tensionet mes Kosovës dhe perëndimit. Takimi i 14 shtatorit nuk pritet të ketë diçka të re, përveç kërkesës së vazhdueshme të perëndimit për formimin e tij si dhe gjuhës kërcënuese të Vuçiqit për formimin e Asociacionit. Nuk pres diçka konkrete”, ka deklaruar Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.

Më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.

Dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat