“T’i shkrijë akujt mes Kurtit dhe Ramës”/ Cili është mesazhi që dha Vjosa Osmani në Tiranë?

Politika

“T’i shkrijë akujt mes Kurtit dhe Ramës”/ Cili është mesazhi që dha Vjosa Osmani në Tiranë?

Nga: P.R Më: 5 shtator 2023 Në ora: 08:03
Vjosa Osmani dhe Edi Rama

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri. E nga atje, Osmani ka bërë thirrje për bashkimin e shqiptarëve, siç ka thënë ajo përballë një plani të përbashkët të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

“Nuk duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiqi në Ballkanin Perëndimor. Duke e zbatuar në përpikmëri planin që Putini e pati zbatuar në vitin 2014 kundër Ukrainës, Vuçiqi dhe Serbia po synojnë ta destabilizojnë gjithë Ballkanin Perëndimor, e nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë ta atakojnë sistemin e vlerave mbi të cilin qëndron Bashkimi Europian dhe NATO. Pra, duhet ta shohim të gjithë pikturën e cila është shumë më e madhe sesa zhvillim në një vend apo në një rajon”, tha Osmani.

“Prandaj edhe në mbrojtje të këtyre vlerave të përbashkëta dhe të asaj që e kemi arritur me shumë mund e sakrificë, që është shteti i pavarur e sovran i Kosovës në kufijtë aktualë, duhet të qëndrojmë të bashkuar të gjithë shqiptarët në rajon në radhë të parë, por bashkë me aleatët tanë që na kanë ndihmuar të vijmë deri te ky moment”, deklaroi ndër tjerash Osmani, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin shqiptar, Bajram Begaj.

E sipas analistit politik, Faton Mehmeti, Vjosa Osmani po përçon mesazhe bashkimi pas tensioneve të krijuara në mes dy kryeministrave, Edi Rama dhe Albin Kurtit.

“Me këto mesazhe duket se presidentja Osmani tenton të shkrijë akujt mes Ramës dhe Kurtit si dhe vet Vjosës. Kur dihet fare mirë se marrëdhëniet mes tyre kane qenë të ftoha, kështu që me diplomaci zonja Osmani po tenton t'i japë dorën Ramës për tu kthyer kah Kosova”, shprehet Mehmeti.

Ai thotë se krijimi i një fronti shqiptar përballë Serbisë, është i vështirë përderisa në pushtet është Edi Rama.

“Natyrisht se një gjë e tillë është e mirëseardhur, ndonëse jam skeptik se Rama do të shkëputet kaq ehtë nga ndikimi i Vuçiqit. Vjosa s’duhet të besojë te Rama, edhe pse s’duhet rreshtuar dot të deklarojë vazhdimisht se Kosova dhe Shqipëria duhet ecin bashkë, dhe se Serbia është armik i të dyja shteteve. Uroj që sa më parë Rama të kuptojë këtë gjë, ndryshe do të ketë vazhdimisht tensione mes Osmanit dhe Kurtit me Ramën”, përfundon për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat