“Të gjithë do të humbasim”/ Deputeti austriak i kërkon Kurtit dhe Vuçiqit të mos udhëtojnë në Bruksel, nëse do të vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë

Politika

“Të gjithë do të humbasim”/ Deputeti austriak i kërkon Kurtit dhe Vuçiqit të mos udhëtojnë në Bruksel, nëse do të vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë

Nga: A.Zh Më: 5 shtator 2023 Në ora: 10:14
Helmut Brandstätter

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve, do të vazhdojë në shtator.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka konfirmuar se takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillohet me 14 shtator.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj - nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe, nga të cilat pasuan një sërë tensionesh dhe krizash.

Se çfarë pritet nga ky takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, sipas deputetit austriak Helmut Brandstätter, varet shumë nga sinjalet që liderët do të dërgojnë para takimit.

Ai u ka kërkuar dy udhëheqësve që të mos udhëtojnë fare për Bruksel, nëse do të vazhdojnë të luajnë me kartën nacionaliste për audiencën në vendet përkatëse.

“Varet nga sinjalet që Kurti dhe Vuçiq do të dërgojnë përpara atij takimi. Nëse ata të dy vazhdojnë të luajnë vetëm për audiencën vendase, nacionaliste, ata mund të kursejnë kohë për udhëtimet. Por, BE-ja do t'u bëjë kërkesa të dyja palëve, si gjithmonë, dhe nëse njëra palë dëshiron të thotë jo, të gjithë do të humbasim. Unë dua një Komunitet Evropian paqësor me të gjitha shtetet e Ballkanit, ku nacionalizmi nuk luan më rol. Presidenti i ndjerë francez tha në fjalimin e tij të fundit: "Le nacionalizmi, c‘est la guerre." Ai e dinte se për çfarë po fliste”, ka deklaruar deputeti Brandstätter, për gazetën “Bota sot”.

Ai ka vlerësuar se kompromisi është zgjidhja më e qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, në dialog as Kosova dhe as Serbia nuk do të marrin gjithçka që dëshirojnë, por se Serbia do të duhet ta njohë Kosovën.

“Siç ndodh në të gjitha mosmarrëveshjet politike, zgjidhja është kompromisi. Unë e kuptoj se do të jetë po aq e vështirë për Kosovën të pranojë një rol thelbësor të serbëve në vendin e tyre, sa për Serbinë të pranojë pavarësinë e Kosovës. Shumë histori, shumë dhimbje dhe vuajtje, dhe sigurisht, shumë narrativa politike për “tjetrin” në të dyja anët. Por, asnjëra palë nuk do të marrë gjithçka që dëshiron dhe do të ketë paqe dhe prosperitet në të njëjtën kohë. Pjesa e dhimbshme e politikëbërjes së suksesshme është se kërkon kompromis. Por sigurisht që Serbia duhet ta njohë pavarësinë e shtetit të Kosovës. Dhe të gjitha vendet e BE-së duhet ta bëjnë këtë”, ka thënë deputeti nga NEOS - Austria e Re dhe Forumi Liberal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat