Rrezikim i dëshmitarëve dhe paralajmërim për arrestime të reja? A është ky mesazhi i Gjykatës Speciale?

Politika

Rrezikim i dëshmitarëve dhe paralajmërim për arrestime të reja? A është ky mesazhi i Gjykatës Speciale?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 16 shtator 2023 Në ora: 11:26
Gjykata Speciale

Gjatë kësaj jave, Gjykata Speciale zhvilloi aksionin e radhës në Kosovë. Cak i Speciales ishin dy ish deputetë të PDK-së, Rrustem Mustafes dhe Nait Hasanit, të cilëve iu konfiskuan telefonat.

Po ashtu gjatë kësaj jave u bastis edhe shtëpia e dëshmorëve, Bahri e Fahri Fazliu nga hetuesit e EULEX-it.

Për krejt këto, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë që nuk komenton në çështjet operacionale pasi është pyetur për ndalimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafës – Remit, si dhe bastisjen e kryer në shtëpinë e Bahri e Fahri Fazliut.

E këto aksione të Speciales nga analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike po shihen si shenjë paralajmërimi se mund të ketë arrestime të reja nga Gjykata Speciale.

Transformim i skenës politike

Image
Faton Mehmeti

“Besoj se do të ketë arrestime bazuar në zhvillimet e fundit të Gjykatës Speciale. Nuk pritet të këtë konfiskim të telefonave vetëm të Remit dhe Nait Hasanit, mund dhe pritet të ketë edhe raste të tjera. Pastaj pritet brenda pak kohësh të ketë arrestime të disa personave, them kështu duke u bazuar në veprimet e Gjykatës Speciale me arrestimet e Thaçit dhe të tjerëve. Në këtë kuptim pritet mos të ketë ndryshim”, thotë analisti, Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”

Sipas Mehmetit, skena politike mund të pësojë transformim në rast të arrestimit të ndonjërit nga krerët e partive politike në Kosovë.

“Natyrisht se nëse do të ketë arrestime të ndonjërit nga kryetarët e partive apo zyrtarëve të lartë, skena politike mund të pësojë transformim. Gjithsesi pritet të ketë tension të situatës, por jo në masën e mashe të ndonjë përplasje apo diçka të tillë”, deklaron Faton Mehmeti.

Rrezikim i dëshmitarëve

Kurse analisti Gani Qarri thotë se telefoni i është konfiskuar edhe vëllait të Salih Mustafës - Calit.

“Telefoni thuhet se i është marrë së fundi, nga Gjykata Speciale edhe vëllait të Salih Mustafës-Calit, me arsyetimin se ekziston dyshimi i kryerjes së veprës penale “pengim i drejtësisë”, gjë që tregon se gjuetia e telefonave nga personat e caktuar ka shpërthyer ngjashëm si afera e publikimit të kopjeve të shumëzuara të dosjeve nga Gjykata Speciale, duke shkaktuar kërcënim të rëndë me synim frikësimin e dëshmitarëve dhe penguar hetimet dhe ndjekjet penale. Në fakt atëbotë, kopjet e dosjeve deponoheshin në OVL me paketa nga postier të "panjohur", për të cilat në maj të vitit 2022, janë dënuar me nga 4.5 vite dhe vazhdojnë të mbahen në burg, jo postierët fantom, por Hysni Ngucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, veprime të përbashkëta për frikësim të dëshmitarëve, shkelje të fshehtësisë, zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë, zbulim të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”, të Gjykatës Speciale etj”, shprehet Qarri.

Image
Gani Qarri

Siç thotë Qarri, konfiskimi i telefonave ka të bëjë me pengimin dhe rrezikimin e dëshmitarëve të Gjykatës Speciale.

“Drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gucati dhe Haradinaj u akuzuan para dy vitesh nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, kështu që duket se njëjtë si me dosjet e "porositura" nga komandantët, të cilat në OVL, arrinin me postier special, edhe kontrollimi dhe konfiskimi i telefonave, që aktualisht po ndodhë, tek personat e lidhur me të arrestuarit nga Gjykata Speciale në Hagë, kanë të bëjnë me informata mbi të kaluarën, përgjime, informata të ndjeshme apo edhe porosi të veçanta, të cilat mund të jenë të rëndësishme për prokurorinë, Gjykatën, apo dyshohet se kanë të bëjnë serish, me dëshmitarët e mundshëm”, nënvizon Qarri.

“Informata irrituese dhe me përmbajtje, që mund të paraqesin rrezik për dëshmitarët si dhe rrjedhjen e informatave të klasifikuara, nga vet Gjykata Speciale, si në kohën kur OVL publikonte dokumentet e shumëfishuara të dosjeve të Gjykatës në fjalë, të cilët u akuzuan se kanë kryer veprat penale të zbulimit të informacionit të mbrojtur dhe kanë pasur synim të drejtpërdrejt zbulimin e identitetit të qindra dëshmitarëve të Dhomave të Specializuara”, shton Qarri.

Madje Qarri paralajmëron arrestimin e Faton Klinakut, i cili së fundi i drejtoi haptas një kërcenim me vrasje kryeministrit Kurti.

“Por ajo që bie në sy, me këtë rast, është fakti, se aktet e fundit, janë kualitete të reja veprimi, deri më tani të panjohura të Gjykatës Speciale, të cilat natyrisht, mund të lidhen me përcjelljen e informatave specifike, apo edhe të dërgimit të porosive të veçanta për persona dhe ngjarje që kanë të bëjnë me të arrestuarit në Gjykatën Speciale, njohuri mbi autorët dhe viktimat, apo edhe detaje që lidhen me ish komandantët e zonave operative si Remi, etj. dhe ish të burgosurit si Nait Hasani. Ajo që habit me këtë rast, është fakti se edhe U.D së kryetarit të Organizatës së Veteranëve, Faton Klinaku, njëjtë si Nasim Haradinaj dikur, ka filluar të kruhet jo pak me Gjykatën Speciale, duke ironizuar me konfiskimet e fundit të telefonave, ndaj nuk duhet të habitemi, nëse një ditë të ironizojë edhe Specialja me arrestimin e tij, njëjtë si me paraardhësit, me apo, edhe pa policinë e Kosovës”, shpjegon Qarri.

Ashtu si Mehmeti, edhe Qarri thotë krejt këto veprime janë sinjal i arrestimeve të reja.

“Aksionet e fundit të EULEX-it, me urdhër të Gjykatës Speciale, duket se bazohen edhe në informatat më të reja, që mund të kenë dalë nga dëshmitarët në procesin e gjykimeve që aktualisht po mbahen në Hagë, ndaj kjo mund të jetë edhe si parapërgatitje dhe paralajmërim, për valën e arrestimeve të reja, të cilat pak kohë më parë janë paralajmëruar edhe në media, akte që mund të krijojnë edhe ndonjë tronditje të vogël të skenës politike, shkaku i këtyre ngjarjeve. Në fakt, tronditje nuk duhet e madje as që mundet të ketë fare, sepse janë po këto parti dhe mbi 80 deputet të po këtyre partive, të cilët me vetdëshirë, vullnetarisht dhe me aklamacion, e kanë votuar formimin e Gjykatës Speciale”, shprehet Qarri.

“Andaj tani edhe duhet ti binden secilit urdhër të kësaj gjykate, tu binden akuzave dhe nënshtrohen hetimeve deri në sqarimin përfundimtar të rasteve edhe nëse hetuesit e speciales, i arrestojnë vet ata, me dyshimet për kryerjen e veprave penale, posedojnë dëshmi kundër tyre për krime lufte apo edhe për vrasjet e pasluftës, të pa zbardhura asnjëherë tash e mbi 23 vite me radhë, të cilat është koha e fundit që të sqarohen dhe autorët, kushdo qofshin ata, të marrin dënimin e merituar”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat