“Duhen bërë kompromise për dialogun Kosovë-Serbi”/ Cili është mesazhi që Ashton përçoi me deklaratën e fundit!

Politika

“Duhen bërë kompromise për dialogun Kosovë-Serbi”/ Cili është mesazhi që Ashton përçoi me deklaratën e fundit!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 16 shtator 2023 Në ora: 13:57
Bisedimet Kosovë-Serbi. Bruksel, 14 shtator 2023

Dialogu Kosovë-Serbia edhe pas takimit të 14 shtatorit ka mbetur temë pa një rezultat përfundimtar.

Së fundmi është ish-përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Catherine Ashton, e cila ka folur të premten në Prishtinë për rëndësinë e bërjes së kompromiseve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të arritur diçka më të madhe.

Në një bashkëbisedim me ish-të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Philip Reeker, Ashton ka folur për vështirësitë në dialogun mes dy vendeve në kohën kur ajo e ka ndërmjetësuar këtë proces 10 vjet më parë.

“Shpresoj që e kuptoni sa të rëndësishëm jeni për mua”, ka thënë ajo, duke shtuar se beson që e ardhmja e Kosovës do të jetë në Bashkimin Evropian.

“BE-ja bën vazhdimisht kompromise të brendshme për të fituar diçka më të madhe, por pa hequr dorë nga parimet. Megjithatë, duket gjetur mënyra si mund të bëni ndryshime të vogla për të krijuar diçka më të madhe”.

Kujtojmë që rundi i ri i dialogut të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, është mbajtur më 14 shtator.

Takimi ka përfunduar pa ndonjë rezultat. Departamenti amerikan i Shtetit është shprehur i zhgënjyer për një epilog të tillë.

Ashton ka pasur një këshillë për liderët aktualë që janë pjesë e dialogut – të pyeten se në çfarë drejtimi i shtyn përpara udhëheqësia e tyre.

Mulliqi: Palës tonë edhe kësaj radhe po i servohet diçka jashtë çdo logjike

Image
Skënder Mulliqi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Skënder Mulliqi.

Ai u shpreh se takimi i 14 shtatorit nuk ka pasur sukses dhe se deklarata e Ashton nënkupton që sipas saj pala e Kosovës duhet të jetë ajo që bën kompromise.

“Për fat të keq edhe nga takimi i nivelit të lartë në Bruksel ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit ndërmjetsit në bisedime Lajçak dhe Borrell nuk treguan gatishmëri që dialogu të zhvillohet midis dy palëve të barabarta. Ata tehun e kritikës gjoja për mos avancim të procesit ja fakturuan kryeminstrit Albin Kurti. Edhe deklarimi i zonjes Catherine Ashton se dialogu është i zorshëm me kompromose lënë për të nënkuptuar se pala e Kosovës është ajo e cila duhet të lëshon pe. Janë arritur deri më tash 39 marrëveshje të cilat shumicën prej tyre nuk i ka zbatuar Vuçiqi”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që Borrell dhe Lajçak po vazhdojnë të i jepin të drejtë Vuçiqit në çdo takim.

“Presidenti serb nuk i zbatoj as dy marrëveshjet e fundit të Brukselit dhe të Ohrit dhe nuk mori kritika nga BE-ja. Kritika dhe madje ndëshkime absurde me masa ekonomike mori Kosova. Po jemi dëshmitar të një ndryshimi radikal të bisedimeve nga Borell dhe Lajçak të cilët në çdo takim trilateral në Bruksel po e fajësojnë Kosovën për mos kooperim e asnjë vërejtje të vetme ndaj Vuçiqit i cili madje u lavdërua nga Borell. Kosova është pranuar si shtet me kompromis të dhmbshëm me planin e Ahtisarit”, tha analisti.

Gjithashtu ai shtoi që procesi mund të ketë përparime vetëm midis dy palëve të barabarta në bisedime e jo duke i bërë favore një shteti me apetite hegjemoniste.

“Çdo kompromos tjetër siç po kërkon BE është në favor të Serbisë. Serbisë po i lihen duart e lira në veprimet e tyre subverzive që me dhunë të ndajnë veriun e Mitrovicës nga jugu ndoshta edhe më shumë. Një Asociacion të zbatimit të marrëveshjes të Brukselit të vitit 2013 që shumë po i shihet sherri të cilin po e kërkon Vuçiq para zbatimit të planit franco- gjerman bie ndesh edhe me parimet e kërkuara nga vet BE. Palës tonë edhe kësaj radhe po i servohet në tavolinë diçka jashtë çdo logjike për një shtet ligjor e demokratik. Procesi mund të ketë përparime vetëm midis dy palëve të barabarta në bisedime e jo duke i bërë favore një shteti me apetite hegjemoniste”, nënvizoi Mulliqi për “Bota sot”.

Duhanaj: Kemi dy gjëra të ndara, të cilat nuk janë të bazuara siç duhet në realitet

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa analisti politik Leon Duhanaj në një bashkëbisedim për “Bota sot”, tha BE, ashtu si dhe SHBA, e shohin regjionin si pjesë të pandashme të unionit Europian, si të tillë, ata veprojnë dhe besojnë që në një të ardhme të afërt.

“Për ta trajtuar zhvillimin e negociatave rreth normalizimit të marrëdhënieve Kosovë -Serbi, dhe për t'i kuptuar deklarimet e zyrtarëve të ndryshëm europian karshi temës, kjo çështje, duhet të trajtohet nga këndvështrimi i BE-së. BE, ashtu si dhe SHBA, e shohin regjionin si pjesë të pandashme të unionit Europian. Si të tillë, ata veprojnë dhe besojnë që në një të ardhme të afërt, do të mund të jetohet pa kufij dhe pa konflikte, ku temë dhe preokupim kryesor i njerëzve, jo më të jetë nacionalizmi por bashkëjetesa. Në ketë kontekst, për mendimin tim, kemi dy gjera të ndara, të cilat nuk ja në të bazuara siç duhet në realitet. Nga njëra anë kemi ndërkombëtarët, të cilët nisur nga praktikat e tyre të mira, e kanë kuptuar se bashkëjetesa është çelësi i mirëqenies dhe paqes”, shpjegon analisti.

Në fund, ai nënvizoi që është detyrë e jona që të gjejmë rrugë sa me të mira, në mënyrë që t'u përshtatemi pritshmërive europiane, sepse jemi ne që me padurim presim integrimin tonë.

“Nga ana tjetër jemi ne dhe të tjerët në regjion, të cilat akoma nuk i kemi mbyllur problemet e shekullit 19 dhe 20 dhe nuk jemi të gatshëm ta kalojmë ylberin për të cilin beson Europa. Gjithashtu, europianët duke u nisur nga praktika e tyre, nuk janë në gjendje ta kuptojnë drejtë situatën tek ne. Optimalja do të ishte një miks i te dyjave, ku edhe ata edhe ne do të perafroheshim, këtu bën pjesë edhe kompromisi. Nga ne kompromisi në ide dhe lëvizje, përderisa nga ata kompromisi në standarde. Megjithatë, mendoj që është detyrë e jona që të gjejmë rrugë sa me të mira, në mënyrë që t'u përshtatemi pritshmërive europiane, sepse jemi ne që me padurim presim integrimin tonë, si shpëtim në të gjitha aspektet. Nuk na takon neve që të luajmë lojëra destruktive në raport me interesin e integrimit, sepse deshëm apo nuk deshëm, o do integrohemi si komb e shtete aktive, ose ndryshe, sipas trrendeve, do të zbrazet i terë regjioni”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat