“Hoqën maskat”/ Profesori “godet” emisarët dhe disa shqiptarë, zbulon qëllimin e tyre - Ky ishte konflikti kryesor midis dy palëve në dialog

Politika

“Hoqën maskat”/ Profesori “godet” emisarët dhe disa shqiptarë, zbulon qëllimin e tyre - Ky ishte konflikti kryesor midis dy palëve në dialog

Nga: A.SH Më: 17 shtator 2023 Në ora: 10:05
Foto nga takimi i 14 shtatorit

Më shumë se 11 vite po bisedohet me Serbinë për normalizim të marrëdhënive por që Serbia nuk pranon assesi.

Ajo as nuk u përmbahet marrëveshjeve që deri janë nënshkruar në letër e as atyre që janë thënë gojarisht.

Siç duket Serbia është toleruar shumë nga emisarët e BE-së, ata të cilët po e ndërmjetësojnë procesin e dialogut.

Edhe më 14 shtator mes dy vendeve nuk u arrit asnjë marrëveshje.

Kryeministri Albin Kurti akuzoi Vuçiqin se po e kushtëzon dialogun, dhe këtë kushtëzim po e mbështesin emisarët Miroslav Lajçak dhe Joseph Borrell.

Madje pas takimit Lajçak theksoi se është thelbësore që këtë vit të nisë zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Nëse procesi mund të ngrihet dhe të fillojë, ai do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.

“Nëse ato vendime themelore nuk merren para fundit të vitit, kam frikë se kalendari politik në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara do të jetë i tillë që ta shtyjë këtë axhendë në fund. Jam i bindur se marrëveshja e Ohrit është dokumenti më i mirë. Të dyja palët e pranuan dhe do të ishte turp nëse do të binte në pluhur. Në atë rast presim më shumë konflikte, përshkallëzim të tensionit dhe ndoshta edhe më shumë dhunë në veri të Kosovës”, ka thënë ai.

Profesori Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Lajçak dhe Borrell gjithmonë kanë mbajt anën e Serbisë, por në takimin e fundit ata hoqën maskat.

Sipas Bytyçit, Asosacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë ishte konflikti kryesor midis dy palëve, palës së Brukselit që përfaqësoi interesat e palës serbe dhe palës së Kosovës.

Tutje, shprehet se, të dy emisarët treguan se po punojnë për ndajren e Kosovës dhe krijimin e Serbisë së Madhe.

“Të enjten e kaluar në Bruksel pati shumë debat midis Borrell, Lajçak dhe Albin Kurtit. Dy përfaqësuesit e Bashkimit Europian në dialogun Kosovë-Serbi ia lehtësuan shumë debatin presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ata morën kësaj radhe një qëndrim të hapur pro Beogradit. Gjithnjë kanë qenë ata aleatë të Serbisë, por kësaj radhe hoqën maskat. Kryeministri i Kosovës paraqiti radhën e punës për implementimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Po ashtu një të tillë projekt e kishin përgatitur edhe Borrell e Lajçak.

Ndërsa Albin Kurti kishte vënë si pikë të parë në radhën e punës njohjen de facto të Kosovës nga ana e Serbisë, Borrell dhe Lajçak kishin shkruar të zezë në të bardhë se duhet nisur gjithçka nga krijimi i Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Ky ishte konflikti kryesor midis dy palëve: – Palës së Brukselit që përfaqësoi interesat e palës serbe dhe palës së Kosovës. Kështu për herë të parë Vuçiç foli plotësisht me gojën e shefit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë Europiane si dhe të negociatorit Lajçak.

Duke kërkuar krijimin e asosacionit para njohjes de facto, pra para pranimit të simboleve, shtetësisë, të drejtës ndërkombëtare e heqjes së futnotës, para pranimit të pasaportave dhe dokumenteve shtetërore, si dhe integritetit territorial të Kosovës, Borrell dhe Lajçak u pajtuan që Vuçiç ta shfrytëzojë këtë asosacion për ta ndarë Kosovën. Ata për herë të parë treguan hapur se po punojnë për projektin e Serbisë së Madhe dhe ndarjen e territorit të Kosovës. Ky është misioni i përfaqësuesve të Brukselit”, deklaron profesori.

Image
Profesor Enver Bytyçi

Megjithë presionet, Kurti i tha “jo” asociacionit, ndarjes së Kosovës.

Por, profesori thotë se ka edhe shqiptarë të cilët e duan që interesi i Serbisë të realizohet nga Albin Kurti, për të arritur disa objektiva.

"Albin Kurti tha “JO” të madhe! Asosacioni si instrument i ndarjes së Kosovës nuk kalon. Ka shqiptarë trukripur me diploma profesorësh, me tituj akademikë, me çertifikata politikanësh e analistësh, të cilët thonë se “Kurti duhet të bashkëpunojë me ndërkombëtarët”! Po për çfarë? Për ta realizuar projektin e Beogradit për ndarjen e Kosovës. Për ti dhënë Serbisë pasuritë e çmuara të vendit. Për të inicuar krijimin e Serbisë së Madhe dhe për ta rrënuar e shkatërruar shtetin, shtetësinë dhe ekzistencën e Kosovës! Këta mbetje apendicite të shqiptarisë duan që interesi i Serbisë të realizohet nga Albin Kurti dhe me këtë veprim të arrijnë dy objektiva, në mos tri: 1) Të bëjnë të mundur justifikimin e shërbimeve që i kanë bërë dhe i bëjnë Serbisë. 2) Ta shpallin Albin Kurtin “tradhtar” të interesave të Kosovës e të shqiptarëve. 3) Të thonë se “nuk jemi ne tradhtarët që nisëm procesin e ndarjes së Kosovës”! Pra të rehabilitohen!”, shprehet ai.

Tutje, profesori nënvizon se intrigat e Borrellit, Lajçakut dhe Aleksandër Vuçiç zhvillohet më tej në terrenin shqiptar edhe ashtu ata e zyrtarizuan rolin e tyre të zëdhënësit të Aleksandër Vuçiç.

Ai thotë se dy diplomatë që ndërmjetësojnë dialogun nuk e duan ekzistencën e shtetit të Kosovës.

"Intriga e Borrell, Lajçak dhe Aleksandër Vuçiç zhvillohet më tej në terrenin shqiptar. Ndërsa dy të parët e zyrtarizuan të enjten e shkuar rolin e tyre të zëdhënësit të Aleksandër Vuçiç, taborri shqiptar i anti-shqiptarëve ka së paku një dekadë që e luajnë këtë rol. Nëse dikujt i intereson mendimi im, atëherë e përsëris për të disatën herë: - Asosacioni mund të krijohet në kuadër të kushtetutës së Kosovës, jo thjesht pas njohjes de fakto, por pas njohjes de jure dhe pranimit së paku në NATO të Kosovës, në mos edhe në OKB e në BE! Nuk ka alternativë tjetër. Ata që duan ti besojnë Vuçiçit ose janë naivë, ose janë armiq të kombit shqiptar! Pas gjithë këtyre akteve anti-shqiptare të qeverive serbe dhe të Aleksandër Vuçiç, duhet të jesh veshgjatë, nëse i beson Serbisë. Pas gjithë atyre pabesive që janë përsëritur së paku në dy shekujt e fundit nga ana e Serbisë, duhet të jesh idiot, nëse beson sërishmi. Çdo marrëveshje me Serbinë duhet ta ketë një çelës sigurese të garancisë më të lartë.

Propagandistët e Serbisë në shqiptari na thonë se “garanci është BE dhe SHBA”! Do të kisha dashur të isha aq naiv sa ta besoja këtë përrallë të “Mama dhisë”! Me qëllim që të kurseja akuzat që më bën edhe ndonjë profesor me mjekërr si “anti-amerikan”! Por nuk do të bëhem për hir të kësaj as naiv, aq më pak tradhtar i ideve dhe interesave të kombit tim! Shihni kush e përfaqëson Europën në dialog. Janë dy diplomatë që nuk e duan ekzistencën e shtetit të Kosovës. Dy diplomatë, të cilët kanë qenë në krye të diplomacisë së vendeve të tyre dhe kundërshtuan njohjen e saj. Borrell dhe Lajçak. Mos i besoni as Katerine Ashton, kur thotë se ‘Lajçak ka qëllime të mira”!”, thekson ai.

Duke elaboruar më tej, Bytyçi deklaron se takimi i 14 shtatorit 2023 më ka bindur se Borrell dhe Lajçak kanë të njëjtin skenar e projekt si edhe Aleksandër Vuçiç.

“Problemi i dytë, me të cilin u ballafaqua zoti Kurti, ishte kërkesa e dy përfaqësuesve europianë që kryetarët e komunave në veri të detyrohen të japin dorëheqje. Dhe e përligjin këtë me fjalinë se “Kemi marrë garanci nga Vuçiç, të ndikojë në marrjen pjesë të serbëve në zgjedhjet e parakohshme”! A nuk ishin këta që i thanë Kurtit dhe Osmanit, kur këta shtynë datën e zgjedhjeve për në prillin e shkuar se kishin marrë garanci se serbët do të merrnin pjesë në to?! Me kë duan të tallen kaq lehtësisht këta? Apo duan ta përsërisin skenarin e 23 prillit?! Në mbrojtje zoti Kurti kërkoi respektimin e kushtetutës. Kërkesën e vetë serbëve që të zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Pse Vuçiç nuk e pranon këtë version ligjor dhe kushtetues? Sepse kërkesa për zgjedhje të parakohshme deligjitimon mos-pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Pikërisht për këtë arsye janë investuar në versionin e Beogradit edhe Borrell dhe Lajçak.

Përfundimisht data 14 shtator 2023 më ka bindur se Borrell dhe Lajçak kanë të njëjtin skenar e projekt si edhe Aleksandër Vuçiç. Ta përsërisin kriyën në veri të Kosovës pambarim, të lodhet pala e Kosovës dhe në fund të pranohet projekti i ndarjes! Këtë qëllim pa edhe këmbëngulja për ta krijuar asosacionin para njohjes de facto e de jore nga ana e Serbisëtë shtetit të Kosovës. Kushdo politikan, analist dhe shtetar që mbështet plane të tilla shkoftë në ferr”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat