Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare flet për takimin Kurti-Vuçiq: Ky duhet të jetë kushti i Kosovës, ja pse dështoi

Politika

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare flet për takimin Kurti-Vuçiq: Ky duhet të jetë kushti i Kosovës, ja pse dështoi

Nga: P.Rudi Më: 17 shtator 2023 Në ora: 15:56
Josep Borrell, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u takua me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq,  në bisedimet e ndërmjetësuara nga dy zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak në Bruksel. Ashtu si takimet tjera, edhe ky takim përfundoi pa ndonjë marrëveshje ndërmjet dy vendeve.

“Dialogu nuk ka dështuar, por se takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i zhvilluar një ditë më parë në Bruksel, nuk ka dhënë rezultate. Palët nuk janë në gjendje të tejkalojnë dallimet e tyre”, deklaroi Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano pas takimit në Bruksel.

Kurse shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiq pranoi propozimin e tyre" për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit. Në vend të kësaj, ai ka insistuar që të formalizohet njohja de facto [e Kosovës] si hap i parë", tha Borrell.

E sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, me dështimin e takimit në Bruksel, Serbia po e merr një favor nga bashkësia ndërkombëtare.

Image
Gurakuç Kuçi

Si duket, të gjitha palët kishin shkuar në Bruksel për një takim, por jo për dialog. Secila palë ka mbrojtur qëndrimin e saj pa ofruar hapësirë për negociata diplomatike. Mungesa e progresit në gjetjen e një zgjidhjeje për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duket të jetë pasojë e një favorizimi gjeostrategjik që Serbia po merr nga Perëndimi. Ky favorizim po i konvenon Serbisë, pasi ajo dëshiron që çështja e Kosovës të përfundojë në një Konferencë Ndërkombëtare, ku do të vendoset edhe fati i luftës në Ukrainë”, shprehet Kuçi për “Bota sot”.

“Arsyeja tjetër për mungesën e progresit është diplomacia e qeverisë së Kosovës, e cila duket se po ndjek një strategji vetizoiluese dhe joalternative. Megjithatë, qeveria e Kosovës duhet të jetë më proaktive, duke marrë parasysh rrethanat aktuale. Refuzimi i komunikimit diplomatik është i dëmshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj. Kryeministri Kurti, sllovaku Lajçak dhe spanjolli Borrell, duket se kanë thyer çdo përpjekje për komunikim të respektueshëm”, shton Kuçi.

Siç thotë Kuçi, Kosova duhet ta kushtëzojë formimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë.

“Në një moment, kemi dëgjuar një deklaratë nga kryeministri Kurti, ku ai pretendonte se vetëm pala kosovare kishte ofruar një propozim. Më vonë, u zbulua se BE-ja ka ofruar një propozim që ishte mjaft i pranueshëm me disa ndërhyrje. Kështu, Kosova mund të kushtëzojë hyrjen në fuqi të Asociacionit me njohje nga Serbia ose anëtarësim në OKB, duke pasur parasysh kufizimet e Kushtetutës së saj për krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe. Në fund të fundit, qeveria Kurti është ajo që ka nënshkruar këto dokumente”, nënvizon Kuçi.

“Akrobacionet e tanishme janë të tepërta nga Qeveria pasi asgjë nuk mund të shtrëngohet pafundësisht por duhet të zhvillohet në formën diplomatike. Akrobacionet e tanishme jodiplomatike nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës janë duke treguar cektësi dhe jo që vërtet janë duke dashur zgjidhjen më të mirë për Kosovën. Së fundi, kemi dëgjuar deklaratën e kryeparlamentarit Konjufca, ku ai theksoi se janë pro pranimit të Asociacionit nëpërmjet Marrëveshjes së vitit 2013, me njohje de facto, duke lënë mënjanë njohjen de jure”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat