“Edhe më shumë dhunë në veri të Kosovës”/ Analistët për paralajmërimin e Lajçakut: Presion i hapur, ky është qëllimi kryesor

Politika

“Edhe më shumë dhunë në veri të Kosovës”/ Analistët për paralajmërimin e Lajçakut: Presion i hapur, ky është qëllimi kryesor

 Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 17 shtator 2023 Në ora: 22:02
Foto ilustrim, protestat e dhunshme në veri

Për më shumë se 11 vite Kosova po bisedon me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Serbia është ajo e cila ka bërë gjenocid në vendin tonë dhe akoma mban të tensionuar situatën sidomos në veri të Kosovës.

Serbia është një shtet i cili nuk i përmbahet asnjë marrëveshjeje që deri tani është nënshkruar në letër e as atyre që janë thënë gojarisht.

Siç duket Serbia është toleruar shumë nga emisarët e BE-së, ata të cilët po e ndërmjetësojnë procesin e dialogut dhe të cilët vijnë nga shtetet mosnjohëse të Kosovës.

Edhe më 14 shtator u mbajt takimi mes dy vendeve, por që nuk u arrit asnjë marrëveshje.

Kryeministri Albin Kurti akuzoi Vuçiqin se po e kushtëzon dialogun, dhe këtë kushtëzim po e mbështesin emisarët Miroslav Lajçak dhe Joseph Borrell.

Madje pas takimit Lajçak theksoi se është thelbësore që këtë vit të nisë zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Nëse procesi mund të ngrihet dhe të fillojë, ai do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.

“Nëse ato vendime themelore nuk merren para fundit të vitit, kam frikë se kalendari politik në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara do të jetë i tillë që ta shtyjë këtë axhendë në fund. Jam i bindur se marrëveshja e Ohrit është dokumenti më i mirë. Të dyja palët e pranuan dhe do të ishte turp nëse do të binte në pluhur. Në atë rast presim më shumë konflikte, përshkallëzim të tensionit dhe ndoshta edhe më shumë dhunë në veri të Kosovës”, ka përfunduar ai.

Ahmeti: Emisarët e BE-së janë të njëanshëm

Analsiti Hidajet Ahmeti vlerëson se deklarata e Lajçakut është e njëanshme dhe potencialisht nxitëse.

Image
Analsiti Hidajet Ahmeti

“Deklarata të tilla nuk i kontribuojnë procesit dialogues, pasi në thelb janë të njëanshme dhe potencialisht nxitëse. BE dhe emisarët e saj në dialog duhet të jenë shumë të matur në deklarata publike, por mbi të gjitha duhet të jenë neutralë.

Kjo çka kemi parë në të kaluarën dhe çka po shohim tani, na japin mesazhin se emisarët e BE-së janë të njëanshëm”, deklaron ai.

Elezaj: Deklarata e Lajçakut ishte paralajmërim për Kosovën dhe Serbinë

Analisti Rexhep Elezaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deklaratën e Lajçakut nuk duhet ta marrim si nxitëse sepse ajo më shumë është presion i hapur ndaj Kosovës e Serbisë për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit, e cila sipas Elezajt është marrëveshja më e mirë për çuarjen përpara të dialogut Kosovë-Serbi.

Image
Analisti Rexhep Elezaj

“Mendoj se deklarata e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, z. M. Lajçak, “se në rast të mos zbatimit të marrëveshjes së Ohrit do të ketë më shumë tensione dhe konflikte në veri të Kosovës”, nuk është deklaratë nxitëse, veçse presion i hapur ndaj Kosovës dhe Serbisë, me qëllim që të angazhohen më shumë për stabilizim të situatës në veri, sepse në të kundërtën mund të vijë deri te përshkallëzime dhe konflikte të reja, e që një sjellje e tillë pasive marrëveshjen e bazë të Brukselit si dhe Aneksin e saj të miratuar në Ohër, do ta zhbënte në tërësi.

Është kështu për faktin, sepse marrëveshja, apo Plani i BE-së (franko-gjerman) si dhe Aneksi i implementimit të saj i aprovuar në Ohër, nuk ka asnjë dyshim, se është dokumenti dhe korniza më e mirë për çuarjen përpara të dialogut Kosovë-Serbi, i cili faktikisht i hapë rrugë marrëveshjes finale për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me njohje “de-facto” të pavarësisë së Kosovës nga ana e regjimit fashist të Beogradit zyrtar.

Dhe, për këtë shkak mendoj se emisari i BE-së, z. M. Lajçak ka thënë, se dështimi i marrëveshjes së Ohrit do të ishte turp për të dyja palët, po qese nuk punojnë në implementimin e saj të plotë, e cila faktikisht do t’i jepte fund armiqësisë dhe konflikteve shekullore midis serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan”, shprehet analisti.

Tutje, Elezaj thotë se deklarata e Lajçakut ka për qëllim që palët të angazhohen seriozisht ndryshe, vazhdimi i tensioneve në atë pjesë të Kosovës, edhe mund t’i shkojë për shtati të dyja palëve, sidomos asaj serbe.

Ai shton, se është detyrë e tij që të paralajmërojë palët për pasojat dhe rreziqet që mund t’i presin, nëse dialogu dështon për shkak të mos implementimit të marrëveshjes bazë të Brukselit si dhe mos zbatimit të pikave të Aneksit të Ohrit.

“Po ashtu, deklarata e z. Lajçak nënkupton se nëse palët në dialog nuk angazhohen seriozisht për de-eskalim të situatës së tensionuar qe disa muaj në veri të Kosovës, i bie që palët me qëllim po ikin nga gjetja e një zgjidhjeje të konflikteve në veri, meqenëse vazhdimi i tensioneve në atë pjesë të Kosovës, edhe mund t’i shkojë për shtati të dyja palëve, sidomos asaj serbe, e cila qe 13 vite rresht përmes nxitjes dhe përkrahjes së grupeve kriminale dhe Listës serbe në veri, ka tentuar hapur që përmes trazirave dhe akteve kriminale në veri ta destabilizojë si dhe sa më shumë ta pengojë shtet-ndërtimin e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, jo vetëm në veri por edhe në planin ndërkombëtar.

Është mendim imi personal, se akuzat për njëanshmëri dhe anim ndaj Serbisë të z. M. Lajçak, si dhe kërkesat për largimin e tij nga detyra e ndërmjetësuesit në dialogun Kosovë-Serbi, se gjoja ai po e mban anën Serbisë, janë të paqëndrueshme por edhe të dëmshme për Kosovën, ngase vlerësimet e tilla paushall dhe ndërhyrja në politikën e brendshme të BE-së, se cilin diplomat të saj, dhe në cilin mision ajo e emëron dhe dërgon, është çështje e politikës dhe strategjisë së 27 vendeve anëtare të BE-së, në vendimet e të cilës nuk duhet dhe as nuk mund të ndërhyjë Prishtina dhe as Beogradi !

Sido që të jetë, mendoj se z. Lajçak e di fare mirë, se çfarë thotë dhe pse e thotë një gjë të tillë, sepse përveç faktit se është njeriu më i informuar se çfarë po bën Beogradi dhe çfarë po bën Prishtina për ta përmbyllur me sukses dialogun Kosovë-Serbi, është pikërisht roli i tij si ndërmjetësues që t’i paralajmërojë palët për pasojat dhe rreziqet që mund t’i presin, po qese dialogu dështon për shkak të mos implementimit të marrëveshjes bazë të Brukselit (Plani franko-gjerman) si dhe mos zbatimit të pikave të Aneksit të Ohrit, ngase nuk ka dyshim, se nëse kjo marrëveshje do zbatohet nga të dyja palët, i hap rrugën marrëveshjes finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila, sot apo nesër, do të përmbyllet me njohje “de-jure” të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat