Jo asociacion, juristi jep propozim si duhet të zgjidhet çështja e minoritetit serb

Politika

Jo asociacion, juristi jep propozim si duhet të zgjidhet çështja e minoritetit serb

Nga: Naile Ejupi Më: 18 shtator 2023 Në ora: 22:23
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe themelimi i tij ka filluar të jetë çështja më e komentuar dhe më “problematikja” në Kosovë e në dialogun e saj me Serbinë.

Kryeministri Albin Kurti të hënën ka dhënë detaje nga takimi i fundit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq i mbajtur në Bruksel më 14 shtator.

Ai e ka quajtur të pavërtetë publikimin e një dokumenti të BE-së ku thuhet se Kurti e refuzoi planin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes ndërkaq Vuçiq e pranoi.

Kurti vazhdoi kritikat ndaj ndërmjetësve të dialogut, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak të cilët sipas tij e ekspozuan përballë një skenar që e kishin dizajnuar më herët për ta vënë në qendër themelimin e Asociacionit në kuadër të marrëveshjes bazë dhe moszbatimin e pjesës tjetër të ujdisë.

Këtë Kurti tha se e ka refuzuar kategorikisht duke ofruar plan konkret për zbatim të sekuencuar të marrëveshjes mbi bazën e parimit të gjithëpërfshirës.

"Ofrova propozim konkret për zbatim të plotë të marrëveshjes bazike mbi parimin e gjithëpërfshirës, ku zbatohet secili nën i kësaj marrëveshje. Por mua në takim mu kërkua që të kalojmë në një proces negocimi për hartimin e statutit të Asociacionit, por unë iu bëra të qartë përfaqësuesve evropian se duhet zbatim i plotë i tërë marrëveshjes dhe jo fokus në një pikë", tha Kurti në konferencë për medie të hënën.

Gjersa, presionet ndërkombëtare për formimin e asociacionit janë shtuar, janë shtuar edhe “alternativat” vendore sesi duhet të veprojë Kosova sa i përket kësaj çështjeje.

Juristi Muhamet Kelmendi, propozon që Kosova të organizojë shoqatë për minoritetin serb në Kosovë.

Sipas tij, kjo formë e organizimit të Asociacionit është subjekt politiko- juridik dhe shtëtëror.

“Qeveria e Kosovës kërkohet të organizojë shoqatë për minoritetin serb në Kosovë!

Jo Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe!

Kjo formë e organizimit të Asociacionit është subjekt politiko-juridik dhe shtetëror!

Mjaftojnë kompetencat e komunave të bashkohen për të dalë pushteti shtetëror!

Kosova është shtet unitar dy shkallës. Kushtetuteshmërisht është e ndaluar organizimi i ndonjë subjekti të karakterit shtetëror të nivelit të trete të pushtetit.

Nuk lejohet me kushtetutën e Kosovës Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe. Vetë ky emërtim dhe rrethet e organizuara nëpër komuna, nëse bashkohen me Asociacion, dërgon te ndarja e Kosovës.

Kjo, edhe për faktin se kompetencat ekzekutive nga komunat serbe kalojnë në një qendër dhe kështu shndërrohet Asociacioni në Autonomi të gjerë”, deklaron Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai sqaron se kushtetuta e Kosovës lejon që brenda shtetit të organizohen shoqata jo qeveritare (asociacione) të ndryshme.

Prandaj, sipas tij, asociacioni duhet të formohet pa lidhje me territor dhe me komb.

“Me kushtetutën e Kosovës përcaktohet që brenda organizimit të pushtetit dy shkallës në Kosovë nuk ka vend për ndonjë organizim juridiko-territorial me karakter të pushtetit. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk e lejon. Kushtetutshmërisht ka mundësi që brenda shtetit të Kosovës të organizohen shoqata jo qeveritare ( asociacione) të ndryshme.

Prandaj, Asociacion për minoritetin serb në Kosovë, si organizate jo qeveritare, pa lidhje me territor, është gjë normale dhe kushtetuese. Ndërlidhja me territor dhe me komb, kur Kosova është multinationale, nuk ka baze juridiko-kushtetuese. Asociacionin si organizatë jo qeveritare duhet që Qeveria e Kosovës të organizojë, pa e zgjatur çështjen”, pohon juristi.

Tutje, sipas tij, tërë puna e shoqatës është e karakterit jo qeveritar dhe ka rol këshillues në fushën e kulturës, të gjuhës, të arsimit etj.

“Mbi këtë mund të diskutohet në Bruksel. Për atë kërkohet statuti i shoqatës dhe organet.

Tërë puna e shoqatës është e karakterit jo qeveritare dhe ka rol këshillues në fushën e kulturës, të gjuhes, të arsimit etj. Pushteti në Kosovë ushtrohet nëpërmjet Qeverisë dhe Kuvendit në nivel qendror, si dhe komunave si organe të shkallës së parë.

Shoqatat regjistrohen pranë organeve kompetente dhe përgjigjen para tyre për punën që bëjnë. Asnjë aktivitet i shoqatës nuk ka karakter shtetëror. Pushteti mbetet te organet e shtetit”, përfundon Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat