Mbështeti hapur Serbinë, ja çfarë fshihet pas deklaratës së Hill-it – kërkohet edhe largimi i tij

Politika

Mbështeti hapur Serbinë, ja çfarë fshihet pas deklaratës së Hill-it – kërkohet edhe largimi i tij

Arife Morina Nga Arife Morina Më 19 shtator 2023 Në ora: 10:11
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ka befasuar sërish me deklaratat e tij në mbështetje të Serbisë. 

Ai ka thënë se përshtypja e tij pas takimit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ishte se “ka pasur njëfarë progresi për Serbinë”. 

Hill ka deklaruar se negociatat e së enjtes në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ishin “vërtet të vështira”, por se Serbia i kishte “bërë detyrat e shtëpisë” dhe se “ishte përgatitur mirë”. 

Diplomati amerikan shpreson që procesi i dialogut të vazhdojë, dhe se Serbia me pjesëmarrjen në të mund të vazhdojë të punojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. 

Hill mori reagime të ashpra për këtë mbështetje publike ndaj shtetit serb. 

Analistët për “Bota sot” komentuan këtë deklaratë të ambasadorit amerikan. 

Mehmeti: Është mirë që të kërkohet shkarkimi i Hill pas qëndrimeve anti Kosovë dhe që vështirësojnë dialogun 

Analisti politik, Faton Mehmeti vlerëson se deklaratat e Hill nuk përputhen me qëndrimet e Bidenit. 

Ai në një prononcim për “Bota sot” kërkoi shkarkimin e tij, pasi konsideroi se deklaratat e tij po e vështirësojnë dialogun. 

Image
Analisti politik, Faton Mehmeti

“Ka kohë që Hill bën deklarata në favor të Serbisë, nuk dihet çfarë fshihet pas saj por nuk besoj se është në përputhje me qëndrimin e z. Biden. Mbase është mirë që të kërkohet shkarkimi i tij pas qëndrimeve anti Kosovë dhe që vështirësojnë dialogun”, deklaroi ai. 

Sipas tij, me këtë qasje po favorizohet  Vuçiqi, ndonëse ai nuk i ka kryer detyrat e tij. 

“Faktikisht, Serbia s’ka bërë asnjë detyrë ajo veç sa ka vështirësuar dialogun. Me qëndrimet e tij, z.Hill nuk po shfaqet korrekt dhe i drejtë. Me këtë qasje vetëm sa do favorizohet Vuçiqi për të vazhduar kushtet e tij anti Kosovë”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”. 

Zogaj: Situata po merr kahje të keqe dhe me shenja keqësimi 

Kurse, Skënder Zogaj, në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” kritikoi ashpër qasjen e Serbisë ndaj dialogut me Serbinë. 

Ai tha se shteti serb po luan një ‘tinëzare’ dhe me të po tenton të përfitojë. 

“Serbia hap pas hapi po e realizon perfiditetin e saj politiko-diplomatik, duke luajtur rolin e skuthit, tinëzar,  me "lëmo e kafsho", që është thelbi gjenetik i serbëve dhe mjeti kryesor përfitues në historinë shekullore! 

Duke ua puthur këmbët dhe duke ua dhuruar nderin, carët serbë shekuj me radhë kanë joshur sulltanët dhe kanë gëzuar privilegjet e tyre, për dallim nga shqiptarët që sapo u janë hequr prangat, kanë rrëmbyer shpata dhe kanë luftuar me sulltanët. Kjo është qasje gjenetike e serbëve që po luhet qe 23 vjet dhe po e mbanë peng lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës”, deklaroi ai. 

Image
Skënder Zogaj

Po ashtu, ai komentoi edhe strategjinë e Kosovës në raport me Serbinë, derisa tregoi pse po dështojnë negociatat. 

“Elita politike shqiptare për fat të keq nuk ka mësuar asgjë nga e kaluara historike prandaj po i përsëritë gabimet e së kaluarës, duke harruar se në politikë: 1 edhe 1 kurrë nuk bëjnë 2, dhe as diplomacia nuk bëhet me kushtëzimin "ja hunin, ja tirqit"!  Janë 15 vjet që Kosova bën përpjekje për të krijuar fqinjësi të mirë, por pa asnjë plan konkret dhe të programuar strategjik, (qoftë edhe humbës), prandaj, kemi dështuar në negociata”, nënvizoi opinionisti. 

Në fund, tha se deklarata e Hillit, kinse Serbia ka kryer detyrat e saj është absurde dhe nuk duhet marrë seriozisht. 

“Situata po merr kahje të keqe dhe me shenja keqësimi, sepse, Serbisë që po cenon sovranitetin e Kosovës po vlerësohet se "po i bën mirë detyrat e shtëpisë" ndërsa Kosova e kafshuar nga Serbia po fajësohet pse nuk po pajtohet me kafshimin! Absurditet i llojit të vet, që duhet të merret shumë seriozisht, jo përmes deklarataev refuzuese, por me vlerësime institucionale dhe me ndërmarrje diplomatike, kontakte me  elitën aktuale politike, shtetërore e diplomatike botërore, nga SHBA-ja e deri te Mali i Zi, të cilat kanë nevojë të informohen me realitetin në Kosovë dhe bashkë me to të vlerësohet çka duhet bërë dhe si duhet bërë? Pa këtë, shkojmë drejt gijotinës... Sa i përket Christopher Hillit, ai është ambasador dhe e din mirë se çka duhet të deklaroj në Beograd, dhe pse”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”. 

Takimi i nëntë ndërmjet Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiqit nuk prodhoi ndonjë rezultat. 

Sipas Shefit të Diplomacisë së BE-së ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiqi e pranoi. 

Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiq kërkoi themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. 

Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi. 

Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”. 

Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit. Ky është thelbi i gjithçkaje”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat