Presionet ndërkombëtare për asociacion, profesori amerikan reagon “ashpër”: Nuk shoh të keqe në refuzim, ja çka duhet të bëj Kosova

Politika

Presionet ndërkombëtare për asociacion, profesori amerikan reagon “ashpër”: Nuk shoh të keqe në refuzim, ja çka duhet të bëj Kosova

Nga: Naile Ejupi Më: 23 shtator 2023 Në ora: 15:06
Jeffrey Hovenier- Albin Kurti- Gabriel Escobar

Bashkimi Evropian fillimisht, ndërsa gjatë kësaj jave edhe nga Amerika kanë filluar ta kërkojnë asociacionin e komunave me shumicë serbe si zgjidhje e “bllokimit” të dialogut”.

Të enjten ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara presin, si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, që t’i zbatojnë të gjitha detyrimet dhe angazhimet e ndërmarra me Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas tij, Kosova duhet të fillojë ta çojë përpara Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe “ky duhet të jetë ndër hapat e parë”.

“Ne besojmë se ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Ne besojmë se duhet të jetë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk besojmë se duhet të ketë autoritete apo kompetenca ekzekutive”, thotë Hovenier.

Ndërsa, të premten i dërguar i posaçëm i ShBA-së për dialog, Gabriel Esobar, deklaroi se asociacioni nuk duhet të krijojë probleme brenda Kosovës për funksionalizim.

“E kemi thënë vazhdimisht se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të krijojë probleme brenda Kosovës për funksionalizim, duhet të jenë në përputhje me Kodin e saj ligjor, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Pra, brenda kësaj, unë ende mendoj se ka një kapacitet të madh për t’i lejuar serbët të menaxhojnë shërbimet e tyre komunale në një mënyrë që u përshtatet më së miri qytetarëve të tyre, pa u bërë Republikë Sërpska.

Ne e kemi adresuar atë në mënyrë të përsëritur. Dhe, jam i zhgënjyer që ajo pikë bisede vazhdon të ngrihet - se kjo do të jetë Republika Sërpska. Nuk do të bëhet [një Republikë Sërpska]. Me të vërtetë bëhet fjalë për autoritete komunale që bëjnë atë që komunat tashmë e bëjnë në gjuhën serbe”, shprehet Escobar.

Por njëjtë nuk mendon profesori amerikan në universitetin “John Hopkins”, Daniel Serwer.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Serwer thotë se nuk sheh asgjë të keqe në refuzimin e pranimit të asociacionit.

Sipas tij, është e qartë se ai paraqet kërcënim për sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, prandaj ai duhet të lihet në fund të procesit.

“Unë nuk shoh asgjë të keqe në refuzimin e pranimit të Asociacionit si parakusht, pa asnjë kuid pro quo. Është e qartë se Asociacioni paraqet kërcënim për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës përderisa Serbia nuk e ka njohur Kosovën. E kam këshilluar Lajçakun vite më parë se nëse Asociacioni është i nevojshëm mund të vijë vetëm në fund të procesit, së bashku me njohjen, jo në fillim”, pohon Serwer.

Image
Daniel Serwer

I pyetur se si duhet të veprojë Kosova kur tashmë presionet janë shtuar, ai thotë se ajo ka nevojë të përmirësojë marrëdhëniet me Uashingtonin dhe Brukselin.

“Do t'ua lë në dorë autoriteteve të Kosovës se si duan të reagojnë. Por shpresoj që ata ta bëjnë këtë në një mënyrë që synon të përmirësojë marrëdhëniet me Uashingtonin dhe Brukselin. Kosova ka nevojë për miqtë e saj”, thekson profesori.

Ai shton se BE dhe ShBA duhet të jenë garantuesit nëse Serbia duhet të ndërmarrë hapa tjerë në rast të pranimit të asociacionit, por sipas tij, ata nuk janë seriozë.

“BE-ja dhe SHBA-ja duhet të jenë garantuesit që Serbia të ndërmarrë ndonjë hap për respektim të marrëveshjes. Nuk shoh asnjë shenjë se ata janë seriozë për të marrë përsipër atë përgjegjësi. Kjo është pjesë e problemit”, përfundon Serwer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat