Analisti politik për sulmin në veri: Kjo është fytyra e vërtetë e Serbisë, problem për tërë Ballkanin

Politika

Analisti politik për sulmin në veri: Kjo është fytyra e vërtetë e Serbisë, problem për tërë Ballkanin

Nga: Q.R Më: 25 shtator 2023 Në ora: 11:55
Pamje nga situata ne veri të Kosovës

Analisti politik, Fidan Ukaj, duke komentuar sulmin terrorist në veriun e Kosovës, vlerëson se ajo që pamë dje është fytyra e vërtetë e Serbisë.

Pas këtij sulmi, Ukaj thotë se u vërtetua se Serbia është problem i tërë Ballkanit dhe pengesë për integrimin e rajonit në Evropë.

“Sulmi terrorist i cili ndodhi në Kosovë në fakt është fytyra e vërtet e Serbisë, dhe tanimë kjo fytyrë u shfaq edhe në realitet dhe u pa se Serbia është problemi i tërë Ballkanit, dhe vendi ku grupet kriminale dhe krimi i organizuar dhe financuar jeton atje dhe mund te jete problem për tër Ballkanin dhe penges për integrimin e rajonit në Evropë”, thotë ai për “Bota sot”.

Image
Fidan Ukaj

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë, vdiq nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.

Sipas tyre, njësitë policore vunë re në orët e para të së dielës vendosjen e dy kamionëve pa targa në urën në hyrje të fshatit Banjskë, të cilët kishin bllokuar lëvizjen.

Njësitë që shkuan në vendin e ngjarjes, u qëlluan me armë zjarri dhe njëri prej policëve u vra.

Policia e Kosovës tha mbrëmjen e së dielës se situata në veri, përkatësisht në fshatin Banjskë, vazhdon të jetë e tensionuar, edhe pse intensiteti i sulmeve ndaj zyrtarëve policorë ka rënë.

Disa rrugë lokale dhe dy pika kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, u mbyllën gjatës ditës.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të dielën në konferencë për media se sulmet në zonën ku është vrarë zyrtari policor në veri janë duke vazhduar akoma.

Kurti e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.

"Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”.

Polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra dje në veri të vendit, do të varroset sot nga ora 16:00.

Ai do të varroset në varrezat e fshatit Samadrexhë, sipas faqes jozyrtare të këtij fshati në Facebook.

“Nesër nga ora 16:00 bëhet varrimi i policit të rënë në detyrë, Heroit, Afrim Bunjaku. I njoftojmë të gjithë bashkëvendësit dhe të gjithë popullin e Kosovës se nesër, ditë e hënë, nga ora, 16:00, në varrezat e fshatit Samadrexhë, me nderime shtetërore, do të bëhet varrimi i policit të rënë në detyrë, bashkëvendësi ynë, Heroi, Afrim Bunjaku”, thotë njoftimi në këtë faqe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat