BE kërkon hetim të plotë, pastaj masa ndëshkuese, mësohet kush mund t’i sigurojë provat për sulmin terrorist

Politika

BE kërkon hetim të plotë, pastaj masa ndëshkuese, mësohet kush mund t’i sigurojë provat për sulmin terrorist

Nga: Naile Ejupi Më: 29 shtator 2023 Në ora: 10:05
Policia

Sulmi terrorist i 24 shtatorit nuk është duke e “bindur” Bashkimin Evropian që të marrin masat ndëshkuese ndaj Serbisë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se BE-ja po pret të kryhen hetimet e plota, para stë ndërmarrë ndonjë masë.

“Dua ta përsërisë qartë pozitën e BE-së për atë që ndodhi të dielën. Ky ishte sulm terrorist dhe ai duhet të hetohet, e përgjegjësitë duhet të sillen para drejtësisë. Të gjithë që janë të përfshirë apo që mund, janë të obliguar të bashkëpunojnë në mënyrë që të sigurohet që ky sulm të hetohet plotësisht dhe ata që e kanë planifikuar, që e kanë ekzekutuar apo që ishin prapa të sillen para drejtësisë. Këtë pozicion BE-ja e ka përsëritur disa herë”, ka thënë Stano.

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës të enjten ka miratuar një rezolutë që dënon sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar për shtetin e Serbisë dhe rolin e saj në këtë sulm

Rezoluta u miratua me 97 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Në Banjskë të Zveçanit një grup i armatosur sulmoi policinë dhe vrau një rreshter të policisë, ku nga përleshja më pas u vranë tre sulmues. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke lexuar tekstin e rezolutës tha, se "Kuvendi e dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës në termat më të ashpër: Sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës dhe kërkon nga komuniteti ndërkombëtar që ta ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe çfarëdo mbështetjeje që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës”.

Në rezolutë vlerësohet bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me misionin e EULEX-it dhe misionin e KFOR-it në aksionin e përbashkët, për t'i zmbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veriun e vendit”. Në rezolutë po ashtu kërkohet që; institucionet e Kosovës të punojnë në integrim të plotë të të gjitha komuniteteve, pa dallim dhe të inkurajohet dhe mbështetet pluralizmi politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë.

Duke folur rreth provave që nevojiten mbi rastin e sulmit terrorist, analisti politik Muhamet Kelmendi, thotë se kompentencat për nxjerrjen e këtyre provave i kanë organet e rendit dhe të sigurisë së Kosovës.

Sipas tij, si organ ndihmës është edhe EULEX-i, por edhe KFOR-i.

“Në Kosovë janë organet kompetente të Republikës, pastaj EULEX dhe vetë KFOR që nxjerrin prova mbi rastin e krimit terrorist në Banjske të Zveçanit. Kompetenca për nxerrjen e provave mbi rastin kriminalo-terrorist në Banjsk të Zveçanit është në kuadër të organeve të rendit dhe të sigurisë së Kosovës. Organ tjerë ndihmës për të nxjerrë prova dhe dëshmi është dhe i takon EULEX-it. Ky vjen nga Bashkimi Evropian dhe është hetim ndërkombëtar. Natyrisht se edhe KFOR-i ka organet e veta hetuese dhe merren me hetime mbi rastin terrorist serb në veri të Kosovës. Nëpërmjet këtyre hetimeve vërtetohet rasti, vepra penale e terrorizmit dhe e sulmi kriminalo-diverziv ndaj sovranitetit dhe të integritetit territorial të Republikës”, deklaron Kelmendi.

Ai nuk e sheh të nevojshëm rezulutën e Kuvendit të Kosovës, kjo pasi sipas tij, nuk ka fare nevojë që të mos besohen hetimet e organeve të Republikës, të EULEX-it dhe të NATO-s.

Kështu dalin në shesh edhe autorët e veprës, sikundër edhe përfshirja e Serbisë në rastin terrorist. Duke i shikuar këto kompetenca del se Rezoluta e Kuvendit të Kosovës është e panevojshme dhe ripërsëritje e hetimeve që i bëjnë organet e Kosovës, EULEX dhe KFOR. UE, NATO, SHBA etj., kërkohet dhe duhet të mbështeten në rezultatet e hetimeve të organeve kompetente. Ato janë të vendit dhe ndërkombëtare. Nuk ka fare nevojë që të mos besohen hetimet e organeve të Republikës, të EULEX-it dhe të NATO-së. Megjithatë, vendimi për Rezolutën u nxorë. Çështja kështu nuk dëmtohet. Duket se Kuvendi i Kosovës nuk ka ditur që të merret me tjetër pune dhe të nxjerrë tjetër vendim. Dhe, për të treguar se po bëjnë punë, e nxorën Rezolutën”, shton Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat