Vijnë propozimet, kështu duhet të veprojë Kosova në raport me Serbinë pas sulmit terrorist

Politika

Vijnë propozimet, kështu duhet të veprojë Kosova në raport me Serbinë pas sulmit terrorist

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 30 shtator 2023 Në ora: 14:01
Pamje nga veriu - Manastiri i Banjskës

“Nëse Beogradi dëshiron anëtarësimin në BE, Serbia duhet të: arrestojnë dhe dorëzojnë terroristët tek autoritetet e Kosovës. Të heqë dorë nga insistimi për qeverisje të ndarë të serbëve në Kosovë. Rreshtim me sanksionet e Ukrainës ndaj Rusisë. Përkrah anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara.” , kështu ka deklaruar njohësi i politikës së Ballkanit Perëndimor, Daniel Serwer duke komentuar situatën e krijuar pas sulmit terrorist të serbëve në veri të Kosovës.

Serwer ka propozuar gjithashtu që do të duhej të tërhiqeshin ambasadorët në Beograd për konsultime.

“Një qasje alternative do të denonconte mbështetjen e Beogradit për kryengritjen e armatosur, duke e etiketuar atë një akt terrorist dhe duke vendosur sanksione kundër Vuçiqit dhe zyrtarëve të tij të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. NATO do të përgatiste forcat e saj në veri të Kosovës për mbrojtje kundër një pushtimi të blinduar. Perëndimi do të lavdëronte policinë e Kosovës dhe do të kërkonte një gjykim të drejtë dhe të shpejtë për autorët në gjykatat e Kosovës. Ambasadorët në Beograd do të tërhiqen për konsultime.” – ka thënë Serwer.

Analistët politikë thonë se duhet të merren parasysh propozimet e profesorit Serwer, pasi sipas tyre, ai ka qenë parimor që nga fillimi kur ka pasur të bëj me dialogun Kosovë- Serbi.

Sipas tyre, përveç propozimeve të profesorit, Kurti duhet ta kushtëzojë dialogun edhe me mos përmendjen e asociacioneve.

Mehazi: Argumentet janë kthyer në anën e Kurtit

Analisti politik Sulejman Mehazi thotë se deklaratat e profesorit Serwer dalin të sakta, ku përkrahja e Serbisë nga BE dhe ShBA vetëm i kanë dhënë kurajo Vuçiqit për të nxitur terroristët e Radojçiqit të sulmojnë policinë e Kosovës dhe që mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Image
Analisti politik Sulejman Mehazi

Sipas tij, argumentet tashmë janë kthyer në anën e kryeministrit Kurti dhe ai do të pajtohej me propozimet e profesorit Serwer dhe përveç kësaj ai do të kërkojë që Serbia të heq dorë nga asociacionet serbe të ndarë nga pakicat tjera në Kosovë.

“Profesori amerikan, Serwer dhe para disa ditëve paralajmëroi BE-në dhe SHBA-në që të jenë të kujdesshëm ndaj Kosovës e jo ndaj Serbisë ruse e cila do të përhapë luftën ruse në Kosovë, dhe ja nuk shkoi shumë ditë doli e saktë deklarata e profesorit të mirënjohur Serwer se me përkrahjen e Serbisë BE-ja dhe SHBA-të vetëm që kurajuan Vuçiqin për të nxitur terroristët e Radojçiqit të sulmojnë policinë e Kosovës ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe pas kësaj vrasje policia e Kosovës la me gishta në gojë jo Vuçiqin, por dhe Lajçakun, Borrelin, Escobarin dhe tërë diplomacinë botërore. Normale se pas këtij debakli të terroristëve serbë në Banjskë nuk ka asnjë logjikë e arsye që Serbia, BE-ja e SHBA-ja të kërkojnë republikë serbe në veri të vendit. Argumentet janë kthyer në anën e Kurtit dhe nga dita e dielë Kosova nuk është më ajo që ka qenë e nënçmuar dhe e ofenduar jo vetëm nga Serbia, por edhe nga diplomacia e BE-së e SHBA-së, pas humbjes turpëruese të terroristëve shtetëror serbë në Manastirin Banjskë fjalën kryesore para gjithë diplomacisë botërore do ta ketë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që me siguri do pajtohej me kërkesat e profesorit amerikan, Serwer ku gjatë dialogut do kushtëzonte Serbinë me dorëzimin e terroristëve tek autoritetet e Kosovës, përveç kësaj Kurti do kërkojë nga BE-ja e SHBA-ja që Serbia të heq dorë nga asociacionet serbe të ndarë nga pakicat tjera në Kosovë, pozicioni fitues ndaj terroristëve të Vuçiqit i jep të drejtë Kurtit që Kosova të përfshihet në Kombet e Bashkuara”, deklaron Mehazi.

Sipas tij, Kosova ka dëshmuar se është e aftë t’i mbrojë qytetarët e saj dhe policia e Kosovës nuk ka nevojë për ndihmë.

Tani e tutje BE e ShBA nuk kanë të drejtë politike dhe morale të kërkojnë asociacione serbe, thotë Mehazi, duke shtuar se kjo gjë duhet t’i bëhet me dije Vuçiqit.

“ Fitorja e policisë së Kosovës ndaj terroristëve serbë i tregoi botës se MPB e Kosovës është e aftë të mbrojë qytetarët e saj dhe se policia e Kosovës nuk ka nevojë për ndihmë, me mposhtjen dhe eliminimin e terroristëve të Vuçiqit policia e Kosovës tregoi përgatitje elitare profesionale të jashtëzakonshme ndaj terroristëve të Vuçiqit, edhe policët e shteteve më të fuqishme ia kanë lakminë policisë së Kosovës. Qeveria e Kurtit, gjegjësisht, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës në Manastirin Banjskë me mposhtjen e shpejtë të terroristëve të Vuçiqit dekodoi të gjitha marrëzitë e Vuçiqit, Lajçakut dhe Borrellit, dekodoi gjithë diplomacinë botërore që ishin duke përkrahur popullin me gjenocidial në botë Serbinë, dhe se pas mposhtjes së terroristëve serbë ndërkombëtarët janë të detyruar të përkrahin kryeministrin Kurtin i cili gjatë cikleve dialoguese paralajmëronte se Serbia është për luftë e jo Kosova. Tani e tutje BE-ja e SHBA-të nuk kanë të drejtë politike, po dhe morale të pajtohen me asociacionet serbe të Vuçiqit në Kosovë, pas ngjarjes në Banjskë ndërkombëtarët duhet t'ia bëjnë me dije Vuçiqit që përgjithmonë të heqin dorë nga asociacionet serbe në Kosovë”, shton Mehazi.

Profesori Serwer ka folur edhe rreth Kosovës dhe veprimeve të saj, që sipas tij, SHBA dhe BE duhet të përgatiten për ta nxitur Kosovën që të kontaktojë serbët në veri për të gjetur një alterantivë ndaj “Srpskas” dhe përveç kësaj, sipas Serwer, Kosova do të duhej të kujdesej që të mos ketë incidente kundër serbe në të gjithë Kosovën.

“Uashingtoni dhe Brukseli duhet gjithashtu të përgatiten për të nxitur Prishtinën që të kontaktojë serbët e veriut për të gjetur alternativa ndaj Listës Srpska. Përveç kësaj, Prishtina duhet të përpiqet të sigurojë që të mos ketë incidente antiserbe në të gjithë Kosovën, në mënyrë që të zhvlerësojë pretendimet e Vuçiqit për spastrim etnik. Prishtina duhet të hetojë menjëherë çdo incident që ndodh. Gjykatat duhet të gjykojnë menjëherë autorët”, ka thënë ndër të tjera Serwer.

Mulliqi: Ngjarja e fundit sigurisht se e ka forcuar pozitën e Kurtit në vazhdim të dialogut

Image
Analisti politik Skënder Mulliqi

Ndërsa, analisti politik Skënder Mulliqi, shprehet se mendimet e propozimet e profesorit Serwer duhet të vihen në shprehje, pasi sipas tij, ai ka qenë dhe ka mbetur gjithmonë parimor kur bëhet fjalë për dialogun Kosovë- Serbi.

Sipas Mulliqit, nëse tanimë kërkohet një asociacion me kompentenca ekzekutive, veriu do të bëhej burim i pashtershëm i destabilizimit të Kosovës, deri në shkëputje nga ndikimi i Kosovës.

“Nëse BE-ja dhe Amerika reagimet i patën në kontestin e domosdoshmërisë të kthimit në tryezën e dialogut, atëherë duhet të vjen në shprehje mendimi i njohësit të çështjes ballkanike, Daniel Serwer-it, i cili tha së Serbia duhet të dorëzojë terroristët tek autoritet e Kosovës, të heqë dorë për qeverisje të ndarë të serbëve ne Kosovë, dhe t’i vënë sanksione ekonomike Rusisë, nëse Serbia dëshiron të bëhet pjesë e strukturës të BE-së. Me duket se Serwer ka qenë dhe ka mbetur gjithmonë parimor kur bëhet fjalë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pikat e propozuara ishte dashur të marren parasysh nga BE-ja dhe Amerika , me pika shtesë të largimet të embargos ekonomike të padrejta ndaj Kosovës, nëse dëshirojnë të arrijnë në një marrëveshje finale. Disa analistë të tjerë mendojnë dhe është shumë e vërtetë, se Asociacioni do të ishte në favor të Serbisë. Ajo që duhet të zhduket është niveli i tretë i pushtetit për minoritetin serb, që në fakt nuk figuron në asnjë shtet demokratik tjetër në botë. Në rast se kërkohet nga Borell, Lajçak dhe Escobar të krijohet asociacioni me kompetenca ekzekutive, veriu do të bëhej burim i pashtershëm i destabilizimit të Kosovës, deri në shkëputje të ndikimit nga Prishtina zyrtare, që është edhe synim i përhershëm i Serbisë grabitqare. Ngjarja e fundit sigurisht se e ka forcuar pozitën e Kurtit në vazhdim të dialogut, ku ai nuk bënë të futet pa kushte, siç e kanë bërë këtë punë ish- pushtetet tona. Mjaftë gjatë Serbia u inkurajua nga qëndrimet e dobëta të faktorit ndërkombëtar, të cilët ishin të ashpër ndaj Kosovës e në favor të Serbisë. Kjo praktikë e vjetër e qasjes së dialogut duke e bërë faktor Serbinë gjenocidiale përballë viktimës të saj, duhet të ndërpritet”, thekson Mulliqi.

Ai tani e tutje ka kërkuar që dialogu të ketë angazhim më të madh të Amerikës dhe të trajtohet edhe roli i Kishës Ortodokse Serbe në ngjarjen e sulmit terrorist.

“Edhe disa kohë bisedimet trelaterale të Brukseli do të merren më qetësimin e situatës në veri. Sulmi terrorist mbi Kosovën e bënë të pamundur që të shkohet përpara, nëse nuk kemi një qasje shumë më ndryshe, më pozitive, ku Kosova do të trajtohet palë e barabartë në bisedime, e jo palë që rregullisht mori shkopinj nga BE-ja. Trysnia politike dhe masat ekonomike duhet t’i adresohen regjimit kriminalë të Vuçiqit. Që dialogu të këtë sukses duhet një angazhim shumë më i madh se deri më tash i Amerikës mike. Politika perëndimore ka dështuar në këtë drejtim për një kohë të gjatë. Nëse akti terrorist serbo-rusomadh ishte shumë i ashpër më nxitje direkte të luftës, edhe strukturimi i bisedimeve të Brukselit duhet të jetë në këtë kontest. Duhet të trajtohet mendoj unë edhe roli i Kishës Ortodokse Serbe në këtë ngjarje, për faktin se këtu gjetën strehë grupi terrorist, dhe kur dihet për rolin kishës hiç të mirë më rastin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Një prani dhe angazhim shtesë të forcave politike dhe ushtarake të botës perëndimore në rajon, është domosdoshmëri e kohës, për të pamundësuar realizimin e ideve megallomane dhe raciste të botës serbe dhe të botës ruse të cilat kanë marrë hov”, përfundon Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat