“Takimi sekret në New York me Vuçiqin tri ditë para sulmit terrorist”/ Bytyçi zbulon detajet: Ja pse Rama do që KFOR ta marr kontrollin në veri

Politika

“Takimi sekret në New York me Vuçiqin tri ditë para sulmit terrorist”/ Bytyçi zbulon detajet: Ja pse Rama do që KFOR ta marr kontrollin në veri

Nga: P.Rudi Më: 1 tetor 2023 Në ora: 18:53
Edi Rama- Aleksander Vuçiq

Pas sulmit terrorist që ndodhi në veri të Kosovës nga grupi terrorist serb, sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, KFOR-i duhet ta marrë nën kontroll këtë pjesë të Kosovës.

“Nga ana tjetër dua ta theksoj që gjërat mund të shkojnë larg dhe mund të shkojnë shpejt. Ndaj jo vetëm niveli i përfaqësimit të komunitetit euroatlantik duhet ngritur larg dhe duhet ngritur shpejt, por duhet pasur parasysh që kjo të bëhet se përndryshe bashkë me stokun e gjithë atyre marrëveshjeve përgjithësisht të pazbatuara, vonesa në hedhjen e këtij hapi mund të sjellë dhe një stok viktimash të një konflikti të armatosur Për të parandaluar këtë konflikt, KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë, edhe në Samitin e NATO-s”, u shpreh Rama.

E kundër kësaj kërkese të Ramës ka dalë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

Siç thotë Bytyçi, Rama sulmoi përsëri kryeministrin Kurti, ndërsa qëndroi në linjë me Aleksandër Vuçiqin.

“Kryeministri i Shqipërisë të gjitha zhvillimet në Kosovë i ka trajtuar në favor të Serbisë. Ai e ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, zotin Kurti, vazhdimisht në raportet që ai ka patur me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Së fundmi ndodhi kjo në qershorin e këtij viti, kur u inaguruan katër kryetarët e komunave të veriut të Kosovës. Atëherë Rama anuloi në minutën e fundit mbledhjen e përbashkët të dy qeverive dhe pas tij u vendosën masat e BE-së kundër Kosovës. U bë kështu jo vetëm paralajmëruesi, por edhe iniciatori i masave anti-Kosovë. Tani ndodhi terrori serb i datës 24 shtator. Por kaloi një javë dhe është i vetmi shqiptar, Edi Rama, ai që nuk e ka trajtuar ende këtë ngjarje si akt terrorist. Flet për grup kriminal, sikur ata që sulmuan policinë e Kosovës ishin trafikantët e tij të drogës”, deklaron Bytyçi.

Image
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

Ai e quan të tmerrshme kërkesën e Edi Ramës që KFOR-i ta marrë nën kontroll pjesën veriore të Kosovës.

“Por është e tmerrshme, që kryeministri i Shqipërisë i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare perëndimore që NATO dhe KFOR-i të marrin nën kontroll veriun e Mitrovicës. Madje e mbron me këmbëngulje këtë tezë. Këtë kërkesë e paraqiti te autoritetet ndërkombëtare edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Të njëjtën kërkesë ka bërë në SHBA ambasadori serb, Marko Gjuriq! Gjithashtu ministri i jashtëm serb, Daçiq, ka thënë se „NATO duhet ta marrë kontrollin në veri të Kosovës“! Edi Rama u përpoq ta argumentojë kërkesën e tij me tezën se „NATO nuk është pushtuese në Kosovë“, duke iu kundërvënë kritikëve të tij. Dmth na quan ne si njerëz „anti-NATO“! Ky qëndrim më kujton kohën e diktaturës kur njerëzit akuzoheshin edhe juridikisht si anti-shtet e anti-regjim, pse bënin kritika psh për cilësinë e bukës! Nëse pranojmë këtë tezë të Ramës, atëherë duhet të pranojmë se edhe Vuçiq, Daçiq, Gjuriq e madje terroristët e datës 24 shtator si Radojeçiq, na qenka pro-NATO, ndërsa unë, ju, ne, ata, ato që kritikojmë Ramën, qenkemi anti-NATO!”, shpjegon Bytyçi.

Por pse këmbëngul kaq shumë kryeministri i Shqipërisë në kontrollin e NATO-s në veri?

“Sepse për këtë plan ai ka rënë dakord me Vuçiq dhe Dritan Abazoviç në takimin sekret që kanë pasur tri ditë para aktit terrorist, në Nju Jork. Sepse Rama është aktiv në projektin serb të ndarjes së Kosovës. Kontrolli i NATO-s pa pjesëmarrjen e policisë dhe forcave të sigurisë së Kosovës, do të thotë që katër komunat në veri të trajtohen si protektorat i NATO-s dhe jo si pjesë e territorit të Kosovës. Kjo do të thotë që të ridiskutohet statusi i këtij territori pa të drejtën e vendimmarrjes së Kosovës. Do të thotë, shkëputje plotësisht e mundshme e këtyre komunave nga Kosova me arsyetimin se “banorët nuk duan të jenë pjesë e shtetit të Kosovës”!”, thekson Bytyçi.

Madje Bytyçi tregon edhe cilat janë arsyet e këtij qëndrimi kokëfortë të Edi Ramës.

Sjellja e tillë e zotit Rama lidhet me faktin se akti terrorist serb dështoi. Miku i tij, Vuçiq; dështoi dhe u turpërua! Pozicioni i Beogradit në dialog është dobësuar, pra ka marrë goditje të tmerrshme. Dhe si kompensim Edi Rama projekton kontrollin e NATO-s në veri të vendit, me qëllim që Vuçiq ti kapërcejë pa vështirësi këto pengesa që solli dështimi i aktit terrorist i 24 shtatorit. Sepse Rama ka marrë përsipër një rol parësor prej lideri rajonal e global për ti shkuar deri në fund projektit të ndarjes së Kosovës, projekt i cili është hartuar në Beograd dhe është dakorduar midis Vuçiq dhe Edi Ramës në Nish në vjeshtën e vitit 2017. Këtë e pohojnë autoritete, studiues dhe personalitete të Serbisë, jo vetëm ne. Ky projekt e çoi Hashim Thaçin në Hagë. Zoti Kurti tha dje se ky projekt përflitet në disa qarqe perëndimore, por fitorja kundër terrorit serb nga policia dhe shteti i Kosovës e ka varrosur atë. Por Rama nuk është pajtuar me këtë. Vazhdon përpjekjet e tij për të rikthyer Kosovën ose së paku një pjesë të saj në protektorat. Kjo i hap rrugë ose ndarjes së vendit, ose një konference ndërkombëtare për të ridiskutuar statusin e Kosovës. Të dyja këto opsione i përkrah kryeministri i Shqipërisë”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

“Edi Rama merr qëndrime të tilla, sepse është nën një presion të madh për shkak të dosjes „Metamorfoza“ dhe çështjes McGonigal në SHBA. Kërkon të tërheq vëmendjen e autoriteteve amerikane e europiane, sepse gjatë qëndrimit në SHBA nuk mundi të bëjë qoftë edhe një foto me Blinken, apo as me Escobar. Kryeministri i Shqipërisë është aktiv në këto teza anti-shqiptare e pro-serbe edhe për faktin se shpërfill vullnetin e të zgjedhurve të Republikës së Kosovës, të cilët janë kategorisht kundër propozimeve të tij. Një lider i Shqipërisë që bën propozime për Kosovën pa u konsultuar me ata dhe pa u dakorduar po ashtu me ta, ai në çdo rast nuk bën vetëm paternalistin, por edhe kundërpedalin me interesat e Kosovës”, shton profesor Bytyçi.

Më tej, ai thotë se kontrolli i pjesës veriore vetëm nga ndërkombëtarët, mund të bëhet vetëm me miratimin e qeverisë së Kosovës.

“Së fundmi më duhet të them se nëse veriu i Kosovës do të kontrollohet vetëm nga NATO ose jo, kjo nuk varet aspak nga Edi Rama. Për këtë ose duhet të bjerë dakord qeveria e Kosovës, ose do të duhet një rezolutë e re e KS të OKB-së. Në OKB së paku dy Fuqi të Mëdha, SHBA-të dhe Britania e Madhe, do të vinin veton, edhe pse Rusia, Kina, Franca, Edi, Vuçiq, Gjuqiq, Daçiq e të tjerë do të votonin për një protektorat të veriut. Qeveria e Kosovës duhet të ndryshojë kushtetutën që të nënshkruajë diçka të tillë. Por ajo nuk do të nënshkruajë edhe sikur kushtetuta të mos e pengonte për këtë. Qeveria e Kosovës e kryeministri Kurti, zonja Osmani dhe autoritetet e tjera të vendit kurrë nuk do ta bëjnë diçka të tillë. Ramës i duhet ta lirojë Hashimin nga Haga e ta rikthejë si president, që ta realizojë këtë projekt serb, për të cilin lufton”, nënvizon Bytyçi.

“Në Kosovë ka shumë prej tyre që nuk duan ta dënojnë Edi Ramën për këtë veprimtari anti-kombëtare. Thonë se Kosova duhet të jetë bashkë me Shqipërinë. Sa herë që Kosova ka varur shpresat e saj të kota te Shqipëria, aq herë është zhgënjyer ajo. Ndërsa sot, sa kohë që politikën e bën Edi Rama, Shqipëria është politikisht njësoj armike e Kosovës sa edhe Serbia!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat