Vuçiqit i bie ‘maska’ – ja si u koordinuan me Radoiçiqin për sulmin terrorist në veri

Politika

Vuçiqit i bie ‘maska’ – ja si u koordinuan me Radoiçiqin për sulmin terrorist në veri

Nga: Arife Morina Më: 9 tetor 2023 Në ora: 18:10
Aleksander Vuciq dhe Milan Radoiçiq

Kanë kaluar më shumë se dy javë nga momenti kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Në luftimet që pasuan pastaj në manastirin e fshatit u vranë tre sulmues serbë.

Policia e Kosovës e gjeti dhe e konfiskoi një arsenal të jashtëzakonshëm armësh në Banjskë dhe përreth në ditët pas sulmit.

Madje, dëshmitë tregojnë qartë përfshirjen e shtetit serb në këtë akt terrorist, mirëpo që ndërkombëtarët nuk kanë marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj Beogradit zyrtar.

Opinionisti Dedë Preqi në një bashkëbisedim me “Bota sot” komentoi pasojat e sulmit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit.

Ai tha se të gjitha provat tregojnë përfshirjen e drejtpërdrejt të Serbisë në këtë akt terrorist.

“Terroristët serb etnik dhe të viseve tjera të Serbisë e më gjerë, të pajisur me uniforma ushtarake e të armatosur rëndë me armatim të ndryshëm, me 24 shtator të këtij viti në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës, shkaktuan konflikt terrorist drejtpërdrejt ndaj policisë së Kosovës, që shuan jetën e oficerit policor Afrim Bunjaku, dhe lënduan disa policë të tjerë, duke mbetur të vrarë edhe tre e më shumë nga grupi terrorist.

Pasojat e këtij sulmi mund të ishin edhe më të rënda e më katastrofike, duke u bazuar në grupet e organizuara terroriste dhe armët e tyre të sekuestruara nga policia e Kosovës, një përpjekje e këtij niveli të përgatitur mirë që tregon se kishte një koordinim të drejtpërdrejt me ushtrinë dhe qeverinë e Serbisë, për të shkaktuar një konflikt të dhunshëm për ta futur nën kontroll veriun e Kosovës”, deklaroi opinionisti.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

Preqi ua rikujtoi SHBA-së dhe BE-së faktin se si shteti serb ka shkelur marrëveshjet e arritura deri më tani me agresionin e ushtruar në Manastirin e Banjskës.

“Ku janë marrëveshjet e deri tanishme, që janë me dhjetëra e dhjetëra, por aspak të zbatuara nga pala serbe, duke filluar që nga Brukseli dhe deri te Marrëveshja e Ohrit e më gjerë, me ndërmjetësimin e BE-së, dhe mbështetjen e SHBA-ve, për normalizimin e marrëdhënieve në mes këtyre dy vendeve, një ndër ato marrëveshje që nuk e obligojnë Serbinë, ta njoh pavarësinë e Kosovës, por që të dyja vendet të mos e pengojnë njëra-tjetrën në integrimet euroatlantike.

Tani më BE-ja, dhe SHBA-të, do ta kuptonin më mirë rolin e Serbisë së djeshme dhe të sotme, e cila nuk e ka ndryshuar fare kursin e saj karshi Kosovës, ku e ndërlidhin ngjarjet e njëpasnjëshme që e dëshmojnë hapur qëndrimin e Serbisë, e cila organizon në katër komunat veriore me shumicë serbe, që t’i zbrazin të gjitha Institucionet komunale, duke pamundësuar shërbimet dhe gjithçka tjetër që ofrohet nga këto shërbime komunale, me një qëllim të caktuar, që të nxisë reagime dhe revoltë ne mesin e kësaj popullate, kinse nuk janë të kënaqur me kushtet dhe ligjet shtetit të Kosovës”, theksoi ai.

Krahas kësaj, opinionisti kritikoi ashpër BE-në dhe SHBA-në për mosndëshkim të Serbisë, madje ai tha se sanksionet do duhej të vendoseshin kur u sulmuan ushtarët e KFOR-it, pra ende pa ndodhur sulmi në Banjskë.

“Në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, vendet e zbrazura në komunat veriore duhet të plotësohen përmes zgjedhjeve të shpallura, të cilat do të plotësohen me kandidat shqiptar, sepse serbët lokal të këtyre komunave nën urdhrat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk do të merrnin pjesë, me ç ‘rast edhe bashkësia ndërkombëtare ishte në ngjarje dhe në një mënyrë nuk reagoi, për deri sa reagimi dhe kundërshtimi i serbëve kundër kryetarëve shqiptar filloi me dhunë dhe me protesta të tmerrshme nga organizimet e kriminelëve serb, të cilët me gjësende të forta dhe me armë zjarri lënduan dhjetëra paqeruajtës të KFOR-it, polic të Kosovës dhe shumë gazetarë shqiptarë.

A nuk do të mjaftonte për bashkësinë ndërkombëtare që të merrte material nga këto ngjaje jo normale dhe jo demokratike, të cilat i dhanë mesazh të keq vendit dhe rajonit, por edhe botës, kur ushtarët paqeruajtës tërhiqeshin zvarrë të lënduar rëndë nga kriminelët serb, dhe në një mënyrë për të gjitha këto tensione dhe skandale, që i nxiti Vuçiqi dhe politika e Serbisë, do të dënohej Kosova, me sanksione apo masa ndëshkuese nga BE-ja dhe SHBA, por jo edhe nxitësi i kësaj dhune, apo bashkësia ndërkombëtare do të priste edhe ngjarje të tjera, ndoshta edhe më të rënda, siç ishte 24 shtatori i këtij viti pranë Manastirit serb në Banjskë të Zveçanit, dhe pastaj të pritet dhe të merren masa ndëshkuese ndaj Serbisë”, shpjegoi Preqi.

Më tej, tha se po vërehet qartë se shteti serb është i përfshirë direkt në këtë sulm terrorist, dhe janë të kot propagandat e Vuçiqit, kinse shteti i tij është vend demkratike dhe paqësor.

“Sulmi i fundit i terrorizmit serb në Banjskë të Zveçanit, i kurdisur dhe i koordinuar mirë nga qeveria e Vuçiqit dhe ushtria e Serbisë, e organizuar me kriminelin e Listës serbe Milan Radoiçiq, e tregoi fytyrën e politikës dhe strategjisë shoviniste serbe, që e ka ndaj Kosovës dhe ndaj këtij populli, duke e mashtruar opinionin e vet dhe atë ndërkombëtar se kjo Serbi, është një vend demokratik dhe me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-ve, po e ndërton paqen ndëretnike e fqinjësore në Kosovë, por në realitet ishte krejt ndryshe, sepse po e dëshmon edhe vet para botës se kush është në të vërtetë, e cila për momentin do dallohet si shteti më autokratik dhe luftënxitës në rajon dhe më gjerë, i cili mik të vërtetë e ka Rusinë fashiste të Putinit dhe Kinën imperialiste e anti demokratike të Xi Jinping-ut”, potencoi opinionisti.

Ndër të tjera, kërkoi nga shtetet e fuqishme perëndimore që të marrin masa ndaj Serbisë, para se të organizojë planet të reja për një luftë të re në Ballkan.

“Për momentin Kosova dhe qeveria Kurti, e ka të vështirë të ulët në një tavolinë me Vuçiqin, të bisedoj dhe negocioj për paqen dhe marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, pa u ndëshkuar Serbia dhe kriminelët e saj për terrorizmin e fundit dhe gjitha mëkatet tjera, duke ditur se ky njeri ende po punon pas shpine dhe po kurdis plane të tjera për aneksimin e veriut të Kosovës, prandaj komuniteti ndërkombëtar duhet ta merr parasysh, në veçanti shtetet e fuqishme evropiane, si Gjermania, Britania Franca dhe aleatët tjerë, në bashkëveprim dhe koordinim me SHBA-të, të veprojnë sa më shpejt që është e mundur, që Serbinë ta drejtojnë në binarët e duhur para se politika e Serbisë, do të krijonte ndonjë konflikt të mundshëm dhe luftë të re në Ballkan”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat