“ShBA po krijon rrethin e arritjes së marrëveshjes përfundimtare”/ Analistët ‘zbërthejnë’ deklaratat e ambasadorit Hovenier për asociacionin

Politika

“ShBA po krijon rrethin e arritjes së marrëveshjes përfundimtare”/ Analistët ‘zbërthejnë’ deklaratat e ambasadorit Hovenier për asociacionin

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 14 tetor 2023 Në ora: 08:01
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori Jeff Hovenier, Aleksander Vuciq

Ditë më parë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se Kosova duhet që së bashku me Shtetet e Bashkuara të përgatisë draftin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por sipas ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, Kosova mund t’i ndajë idetë për Asociacionin me SHBA-të, por që pastaj duhet punuar me BE-në.

“Unë e shoh rolin e SHBA në këtë mënyrë siç e shoh rolin e SHBA në pjesën tjetër të dialogut. Pra, nëse qeveria e Kosovës dëshiron të parashtrojë idetë e saj se si të ecë më mirë përpara me një proces të besueshëm për themelimin e një Asociacioni duke përfshirë dhënien e ideve ose një draft aktual të një draft statuti, ne do ta mirëpresim këtë. Dhe nëse qeveria e Kosovës dëshiron ta ndajë këtë fillimisht me Shtetet e Bashkuara për reagimet tona, kjo është në rregull. Do ta mirëprisnim edhe atë” ka deklaruar Hovenier në një intervistë për “Bloomberg”.

Garancia e SHBA-së

E profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi për “Bota sot” thotë se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin pas garancisë që ka marr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së ky Asociacion nuk do të përmbajë kompetenca ekzekutive.

“Themelimi i Asociacionit tani është një hap i domosdoshëm, duke pasur parasysh miratimin e qeverisë aktuale. Megjithatë, theksin duhet ta vëmë mbi përmbajtjen dhe funksionimin e tij, ndryshe vetëm emri nuk mjafton. Kosova ka një sekuencë të rëndësishme të garancive që e bëjnë krijimin e Asociacionit një proces të rëndësishëm. Në fillim, ka një garanci të Bashkimit Evropian, e shprehur në letër nga Federica Mogherini ndaj ish-kryeministrit Isa Mustafa. Po ashtu, një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nënkupton një përkushtim të brendshëm. Së fundi, garancia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një faktor i rëndësishëm”, shprehet Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

Më tej, Kuçi thekson se deklarata e ambasadorit Hovenier për krijimin e Asociacionit me kufizime, tregon vullnetin e tyre se Kosova nuk do të bosnjëzohet.

“Nëse këtë deklaratë të ambasadorit Hovenir e përcjellim edhe me deklaratën e fundit për “Zërin e Amerikës” se armët e sulmit terrorist në Banjskë janë të sofistikuara që nuk blihen në tregun lokal por zakonisht nga një strukturë shtetërore dhe se të angazhuarit ishin serbë dhe jo grup spontan, atëherë kuptojmë që SHBA-ja është duke krijuar rrethin e arritjes së marrëveshjes përfundimtare”, deklaron Kuçi.

“SHBA-ja në këtë rast e mban të angazhuar edhe BE-në e cila ka një funksion të rëndësishëm edhe pse jo rrallë herë të njëanshëm dhe kundër Kosovës. Megjithatë, BE-ja në parim ka paralajmëruar masa për Serbinë por nuk janë duke hequr masat ndaj Kosovës. Por, Serbisë me aktin e fundit terrorist që ka bërë në Kosovë i janë humbur motivacionet për të kundërshtuar një paqe me Kosovën dhe të kërkojë e viktimizohet me gjëra joreale, ndërsa Kosova do shtyhet të ecë përpara nëpërmjet shkopit dhe karotës”, shpjegon Kuçi.

Por a mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare pas sulmit të fundit terrorist serb në veri të Kosovës?

“E gjithë kjo gjendje mund ta nxjerrë një kompromis që Serbia potencialisht nuk do sanksionohet për organizimin e sulmit terrorist në Kosovë nëse pranon që në Kosovë të krijohet një asociacion pa kompetenca ekzekutive dhe eventualisht të njihet Kosova si shtet. Ndërsa Kosova nëpërmjet kërcënimit të sanksioneve si shkop dhe nëpërmjet ofrimit të garancive për asociacion pa kompetenca ekzekutive dhe perspektivës së qartë të avancimit në marrëdhëniet ndërkombëtare si karotë do nxitet që të shkojë drejt një marrëveshje përfundimtare me Serbinë”, nënvizon Kuçi.

“Cila do palë nuk e pranon këtë do ndëshkohet, por që Serbia për shkak të situatës së pafavorshme që mund t’i krijohet mund edhe të tentojë prapë të angazhohet me luftë hibride dhe terroriste në destabilizimin e Kosovës dhe rajonit me ndihmën e Rusisë. Megjithatë, kjo nuk nënkupton që Kosova nuk duhet ta bëjë diplomacinë e saj pasi gjatë procesit mund të pësojë edhe goditje, dhe vetë-goditje siç di shpesh t’i bëjë”, përfundon Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.

Qëndrimi amerikan për Asociacionin

E analisti politik, Nexhat Haziri thotë se deklarata e ambasadorit Hovenier, është vazhdimësi e qëndrimit amerikan për Asociacionin.

“Deklarata e ambasadorit Hovenier për Asociacionin i cili nuk duhet të përmbajë kompetenca ekzekutive dhe “duhet të ketë kufizime, nuk është diçka e re, por vazhdimësi e qëndrimit amerikan sa i përket kësaj çështje, e për të cilën qeveria e Kosovës, konkretisht kryeministri Kurti nuk ka reflektuar. Asociacioni duhet të bëhet pasi është obligim të cilën e ka marrë Kosova dhe është vonuar në këtë proces”, shprehet Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Ai thotë se pas garancisë së SHBA-së, Kosova duhet të nisë procesin e formimit të Asociacionit.

“Garancitë e faktorit ndërkombëtar, sidomos SHBA-ve që është vërtetuar së fundi edhe me deklaratën e ambasadorit Hovenier në intervistën në të cilën po i referoheni edhe ju, kanë qenë edhe më parë se ky mekanizëm do të jetë në përputhje të plotë më ligjet dhe kushtetutën e Kosovës. Mendoj se mbi këto garanci është dashur që qeveria e Kosovës të fillonte procesin për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe tani Kosova do të ishte në një situatë më të favorshme në rrafshin ndërkombëtar, do të kishim raporte normale e pozitive me aleatët tanë dhe nuk do të kishim një situatë të tensionuar në veri të vendit”.

“Por si duket z. Kurti ishte dhe vazhdon të jetë peng i opozitarizmit të tij kundërshtues të asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tani në pushtet po e kundërshton themelimin e tij duke llogaritur në pasojat elektorale që mund ti ketë por jo edhe në interesin e vendit. Asociacioni i komunave me shumicë serbe pa kompetenca ekzekutive është në interes të Kosovës, dhe këtë qeveria aktuale duhet ta ketë parasysh, e që do të ndihmonte në stabilizimin e situatës ne veri të Republikës”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat