“Kur të dalë në pah e vërteta do të sanksionohet fort Serbia”

Politika

“Kur të dalë në pah e vërteta do të sanksionohet fort Serbia”

Nga: Naile Ejupi Më: 14 tetor 2023 Në ora: 14:52
Pamje nga veriu - Manastiri i Banjskës

Ka kaluar disa javë që nga sulmi i 24 shtatorit, ku një grup terrorist sulmoi Policinë e Kosovës derisa po shkonte për të kontrolluar bllokimin e një rrugë pranë një ure në Banjskë të Zveçanit, e ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Sulmuesit terroristë u strehuan në manastirin e fshatit ku e vazhduan konfrontimin me policinë dhe si pasojë, tre prej tyre u vranë.

Policia e Kosovës e gjeti dhe konfiskoi një arsenal armësh pas sulmit.

Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai shtoi se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

Gjersa hetimet vazhdojnë, është zbuluar se dy automjete ushtarake, të llojit ‘HUMVEE’, të cilat u përdorën nga grupi terrorist janë automjete të ushtrisë së Serbisë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, deklaroi më 1 tetor 2023, se në pamjet që kanë siguruar të datës 20 shtator, tri ditë para sulmit, grupi terrorist serb ka stërvitur me automjete HUMVEE.

Njëra nga këto automjete, më vonë u konfiskua nga Policia e Kosovës.

Para disa muajve por edhe para disa vitesh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin dhënë donacion disa lloje të automjeteve HUMVEE për Serbinë.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë se janë duke e shqyrtuar nëse këto lloj automjete që i posedonte grupi terrorist janë nga ato që i kanë dhuruar donacion.

“Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht çdo pretendim që përfshin pajisje të ofruara nga SHBA kudo në botë. Ne jemi duke e shqyrtuar këtë çështje” – thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të Departamentit të Shtetit.

Analisti politik Faton Mehmeti, thotë se nuk duhet paragjykuar se a janë përfshirë automjetet në sulmin terrorist, por nëse vërtetohet duhet shikuar bashkëpunimi.

Sipas Mehmeti, nëse Serbia direkt është e përfshirë, atëherë do të dënohet fort nga ShBA-ja.

“Kur bëhet fjalë për vendin e saj, për çdo gjë që ndodh në këtë drejtim SHBA është serioze dhe si e tillë nuk heq dorë derisa e vërteta të del në pah. Nuk mund të paragjykojmë se a janë të përfshirë seriozisht automjetet amerikanë në sulmin në Basnjkë, nëse vërtetohet atëherë hetimi përfshin atë ndodhi dhe kush ka bashkëpunuar me terroristët. Masat mund të jenë të ashpra dhe mund të shkojnë aq larg sa edhe përgjegjësia. Nëse Serbia direkt është e përfshirë SHBA do e sanksionojë fortë Serbinë. Pritet që hetimi të nxjerr në dritë të vërtetën”, deklaron Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Në vitin 2012 dhe 2017, SHBA-ja i ka dhuruar ushtrisë serbe gjithsej 40 automjete të këtij lloji.

Humvee është një mjet luftarak shumëfunksional i blinduar, i cili përdoret nga shumë ushtri në botë dhe pothuajse të gjitha formacionet në Serbi. Për shkak të mbrojtjes relativisht të dobët të blinduar, Humvee përdoret kryesisht në njësi speciale ose ushtarako-policore, si dhe për pjesëmarrje në operacionet paqeruajtëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat