“Përmbysja” e Serbisë pas sulmit terrorist në veri, zbardhen prapaskenat e skenarit të Listës Serbe – situata në favor të Kosovës

Politika

“Përmbysja” e Serbisë pas sulmit terrorist në veri, zbardhen prapaskenat e skenarit të Listës Serbe – situata në favor të Kosovës

Nga: A.M. Më: 15 tetor 2023 Në ora: 11:55
Pamje nga veriu - Manastiri i Banjskës

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi, tha të premten se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja komunale në veri të Kosovës, duke kërkuar shpalljen sa më parë të tyre.

Kjo kërkesë e Listës Serbe, vjen në kohën kur ndërkombëtarët po paralajmëron vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë, pas agresionit të ushtruar në Banjskë të Zveçanit.

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Rexhep Elezaj.

Së pari, ai u shpreh se LS vazhdon të jetë instrumetin kryesor i Beogradti për të shkaktuar trazira dhe përçarje në Kosovë, e më së shumti në komunat veriore.

“Të gjithë e dimë, se Lista serbe, ka qenë dhe vazhdon të jetë instrumenti kryesor manipulues i regjimit të Beogradit zyrtar në Kosovë, e cila për çdo veprim të saj në veri të Kosovës në dhjetë vitet e fundit e ka pasur mbështetjen bllanko të A. Vuçiqit, qoftë atë politike, qoftë ushtarake, duke filluar nga hyrja ose dalja e saj nga Kuvendi i Kosovës, keqpërdorimi i dy posteve ministrore në qeverinë e Kosovës të rezervuara për pakicën serbe, vendosja e barrikadave dhe sulmet ndaj policisë së Kosovës, marrja pjesë në zgjedhjet lokale dhe bojkotimi i tyre, organizimi i protestave të dhunshme, siç ishin ato në muajin maj të këtij viti, largimi i policëve dhe gjyqtarëve serb nga institucionet e Kosovës, e deri tek organizimi i sulmit terrorist me 24 shtator në fshatin Banjskë afër Zveçanit”, deklaroi opinionisti.

Image
Opinionisti Rexhep Elezaj.

Sipas Elezajt, dështimi i sulmit terrorist në Banjskë, dëmtoi rëndë imazhin e Vuçiq dhe Serbisë në arenën ndërkombëtarë,

Madje, tha se në rast se nuk do dështonte ky skenar i paraparë në Banjskë, atëherë kurdisjet e skenareve serbe nuk do kishin të ndalur.

“Dhe, po sikur të mos ndodhte sulmi terrorist nga grupi kriminal dhe paraushtarak serb me 24 shtator në Banjskë, skenar ky i A. Vuçiqit bashkë me kriminelin M. Radojçiq, por i cili u dështoi me turp dhe me goditje të rënd të imazhit të Serbisë në arenën ndërkombëtare, manipulimi dhe përkrahja e A. Vuçiqit ndaj Listës serbe, do të vazhdonte pa ndërprerje në kurdisjen e sulmeve dhe shantazheve të reja ndaj Kosovës, deri në realizimin e planeve të tyre antishqiptare në veri të Kosovës, siç është kërkesa për themelimin asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri.

Mirëpo, dha Zoti, dhe me 24 shtator skenari i fashistit serb numër një në Serbi, A. Vuçiq, do të dështoi keq dhe me humbje të mëdha, si në aspektin politik, ashtu dhe atë ushtarak, gjë që regjimin e Beogradit zyrtar, pa asnjë dyshim, e ka zhvendosur nga pozitat e favorshme që kishte në dialogun Kosovë-Serbi në planin ndërkombëtar, duke e kthyer mbrapshtë atë për 180 shkallë, pra duke e humbur me trup përkrahjen dhe përkëdheljen e BE-së dhe të disa vendeve tjera perëndimore, për shkak të agresionit të hapur  paramilitar me 24 shtator kundër Kosovës, akt i cili ka hasur në dënim të fort nga faktorët ndërkombëtarë”, theksoi ai.

Më tej, ai tha se presidenti serb po përballet me presion nga ndërkombëtarët, sa që  nuk ka zgjedhje tjetër përveç se të dialogjë me Kosovën, në të kundërtën do pësonte izolim dhe ndëshkime të mëdha.

“Andaj, pas humbjes së rënd të Serbisë, alias presidentit të saj, A. Vuçiq në terrenin ushtarak, por edhe më shumë në atë ndërkombëtar, dhe e cila javëve të fundit po ballafaqohet me presione dhe dënime të ashpra për sulmin terrorist në Banjskë afër Zveçanit, si dhe paralajmërimi i BE-së për ta sanksionuar Serbinë me masa ndëshkuese, për shkak të sulmit terrorist ndaj Kosovës, ku grupi kriminal serb vrau policin e Kosovës, tanimë heroin Afrim Bunjaku, si dhe kërcënimet nën rrogoz që po i bëhen regjimit fashit të Serbisë, në krye me racistin dhe antishqiptarin e përbetuar, A. Vuçiq, se për Serbinë nuk ka zgjidhje dhe rrugë tjetër, përveç dialogut me Kosovën për të arritur marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve midis dy shteteve, etj., jam i bindur se regjimi serb në Beograd, përkatësisht njeriu i parë i tij, A. Vuçqi, janë gjendur para dilemës së madhe, ose ta pranojë ndëshkimin dhe izolimin ndërkombëtar, ose ta vazhdojë dialogun me Kosovën, e që unë jam i bindur, se A. Vuçiq e ka zgjedhur opsionin e fundit, pra vazhdimin e dialogut me Kosovën sipas Planit të BE-së (franko-gjerman) të 27 shkurtit në Bruksel, gjegjësisht atij të Ohrit, që nënkupton kthim në dialog dhe implementim të planit në fjalë. Mbase, këtë e dëshmon qartë deklarata e djeshme e fashistit, A. Vuçiq, i cili publikisht iu rekomandoi serbëve në veri që të shkojnë në zgjedhje të reja lokale”, shpjegoi Elezaj.

Ndër të tjera, opinionisti kërkoi nga Kosova që të përfitojë nga kjo humbje e Serbisë, ku me këtë rast t’i vendosë kushtëzime asaj në tavolinënë e bisedimeve.

Në rast, se nuk bëhet një gjë e tillë, ai tha se shteti do të tentojë të shfrytëzoj kohë dhe të realizojë skenarët e tij.

“Pra, bëhet fjalë për ndryshim të kursit ndaj dialogut me Kosovën, kuptohet, pas dështimit të rënd të skenarit të tyre për okupimin dhe pastaj aneksimin e veriut Serbisë.

Dhe, në konstelacion të ngjarjeve të fundit në veri si dhe pretendimeve të vazhdueshme territoriale dhe hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës, jam i mendimit se faktori politik në Kosovë duhet ta kushtëzojë kthimin në dialog me Serbinë, me marrjen e garancave nga BE-ja, se Beogradi zyrtar do ta pranon dhe zbaton në praktikë Marrëveshjen bazë të Brukselit të 27 shkurtit si dhe Aneksin e implementimit të saj i dakorduar në Ohër me 18 mars të këtij viti.

Përndryshe, regjimi çetnik i Beogradit do të vazhdojë me blerjen e kohës me qëllim të mos nënshkrimit të kurrfarë marrëveshjeje me Kosovën, kur dihet se ky është qëllimi kryesor i A. Vuçiqit, që Serbia kurrë mos ta njoh pavarësinë e Kosovës”, përmbylli Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat