“Prapavijë e rrezikshme”, zbardhet koordinimi i Vuçiqit me Listën Serbe – vjen thirrja urgjente për qeverinë Kurti

Politika

“Prapavijë e rrezikshme”, zbardhet koordinimi i Vuçiqit me Listën Serbe – vjen thirrja urgjente për qeverinë Kurti

Arife Morina Nga Arife Morina Më 16 tetor 2023 Në ora: 10:01
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit me serbët e Kosovës më 22 mars.

Lista Serbe, ndryshe edhe ‘dora e zgjatur’ e Serbisë në Kosovë, në vazhdimësi ka krijuar situata dhe ka nxitur provokime në skenën politike në Kosovë, veccanërisht në komunat veriore.

Së fundi, erdhi me një deklaratë kontraverse, duke thënë se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja komunale në veri të Kosovës, madje i bëri thirrje qeverisë sonë për shpalljen sa më parë të tyre.

Shpallja e kësaj gatishmërie pasoi thirrjen e një nate më parë të presidentit te Serbisë Aleksandar Vuçiç drejtuar përfaqësuesve te serbëve në Kosovë që siç tha, “të dalin me nisma për organizimin sa më parë të zgjedhjeve në katër komunat” me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Kësisoj do të fillonte procesi me të cilin mekanizmat e pushtetit do të ishin në duart e atyre që jetojnë atje”, tha presidenti serb të mërkurën në mbrëmje ne nje interviste me televizionin Prva në Beograd.

E kjo deklaratë ishte e mjaftueshme që LS të dilte menjëherë me konferencë për media për ta mbështetur deklaratat e Vuçiqit.

“Sikundër gjithmonë i kemi marrë vendimet në bashkëpunim me Beogradin dhe presidentin Aleksandar Vuçiç, do të dëgjojmë këshillën e tij dhe jemi të gatshëm të dërgojmë mesazhin nga ky vend se jemi të gatshëm të marrim pjesë në zgjedhjet në katër komunat në veri dhe në këtë mënyrë të nxisim procesin politik dhe dialogun që do të ndihmonte përmbushjen e kushteve tona. Prandaj, kërkojmë nga Prishtina që sa më parë të shpallë zgjedhjet për kryetarët e rinj dhe kuvendet e reja të të katër komunave”, tha të premten kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, në një konference me gazetarë në Mitrovicën e Veriut.

Vlen të theksohet se, ishte pikërisht Lista Serbe e cila bojkoti institucionet e Kosovës dhe zgjedhjet paraprake lokale, e që për ironi tani del kërkon zgjedhje.

Por, shihet qartë që ka diçka që po përgatitet në prapavijë, pasi një ndryshim kaq rrënjësor në qëndrime të LS, nuk është për t’u marrë si i mirëqenë.

Qarri: Lista Serbe vepron sipas skenarit të Aleksandër Vuçiqit

Image
Analisti politik, Gani Qarri.

E për këtë temë në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Së pari, ai u shpreh i befasuar se si menjëherë pas kërkesës së Vuçiqi, menjëherë LS bëri thirrje për zgjedhje të reja.

“Është shumë për tu habitur, se si menjëherë pas deklaratës së papritur të Vuçiqit, i cili për ta rikthyer pushtetin komunal në duart e zgjatura të Serbisë hegjemoniste në Kosovë, pra në duart e të ashtuquajturës "lista serbe", ai tani, kërkon vet, organizimin e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, pra i njëjti politikan demagog i cili përderisa BE kërkonte mbajtjen e tyre, ai ishte kundër, kurse tani kur përgjegjësia për aktin terrorist serb, të 24 shtatorit, i adresohet atij dhe Serbisë hegjemoniste, ai përveçse garanton pjesëmarrjen e pakicës serbe në votime, urdhëron edhe "listën srpska" të deklarojë njëkohësisht me te, se edhe ajo, na qenka gati, për zgjedhjet në veri të Kosovës”, deklaroi analisti.

Krahas kësaj, Qarri tregoi planin e Vuçiqit, pasi po synohet për zgjedhje të reja, derisa u shpreh se po tenton t’i zbusë presionet që po i bëhen nga ndërkombëtarët.

“Në fakt Vuçiq përmes nxitimit me kërkesën urgjente, për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Kosovës, po mundohet ta amortizojë, sa më tepër që të jetë e mundur, presionin nga bashkësia ndërkombëtare, pas atmosferë së tensionuar në veri për shkak të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Bansjkë të vendit tonë, ku një policë i Kosovës u vra dhe një tjetër mbeti i plagosur nga terroristët serb të sponsorizuar dhe orkestruar drejtpërsëdrejti nga Serbia, në mënyrë që ti zbus presionet, të cilat vazhdojnë të bien mbi te, në rrethanat aktuale, kur nga shumë anë, përveç kërkesës për hetim ndërkombëtar të këtij sulmi, gjithnjë e më të zëshme po bëhen edhe kërkesat për vendosjen e sanksioneve, ndaj Serbisë, si sponsorizuese dhe mbështetëse e aksionit terrorist serb, kundër Policisë në Kosovë”, nënvizoi ai.

Po ashtu, analisti tha se pas thirrjes së fundit të Listës Serbe për zgjedhje të reja, qëndron një prapavijë e rrezikshme e Vuçiqit.

“Madje vet shprehja e gatishmërisë së të ashtuquajturës "listë serbe" për pjesëmarrjen në zgjedhjet komunale në veri të Kosovës, njëkohësisht me kërkesën e Vuçiqit për mbajtjen e tyre, e cila jo vetëm që i ka bojkotuar zgjedhjet e shpallura nga Qeveria e Kosovës, por u ka bërë thirrje edhe serbëve lokal, që të dilnin nga institucionet shtetërore dhe komunale të Republikës tonë, dëshmon se presidenti kriminel serb dhe shërbëtorët e tij të përbetuar si Goran Rakiq & Co, kanë një prapavijë të rrezikshme për vendin tonë, qëllimi i të cilëve është, ta shfrytëzojnë pikërisht këtë situatë, për ta riinstaluar edhe njëherë, me çdo mjet dhe mundësi, në pushtet, të ashtuquajturën "listë serbe", në 4 komunat veriore, ani pse ajo në mënyrë të vullnetshme i ka braktisur institucionet e shtetit të Kosovës”, u shpreh Qarri.

Më tej, ai tha presidenti serb po tenton ta faktorizojë Listën Serbe në politikën e Kosovës përmes pjesëmarrjes në zgjedhjet e reja në veri.

“Kërkesa e të ashtuquajturës “listë serbe” për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, si subjekti më i dyshimtë e kontrovers dhe me udhëheqësit më konspirativ politik, e cila siç edhe dihet tanimë publikisht, me qëllim i ka bojkotuar si zgjedhjet ashtu edhe institucionet e Kosovës, dëshmon se ajo përsëri vepron sipas skenarit të Aleksandër Vuçiqit, me prapavijën meskine që serbët lokal, të vazhdojë t’i mbaj nën kontroll dhe plotësisht të nënshtruar, përmes faktorizimit të "listës" në skenën politike në veri të Kosovës, në mënyrë që Vuçiqi si padron i "listës serbe" dhe Serbia hegjemoniste, edhe pas dështimit të inskenimeve politike me largimin e serbëve lokal nga institucionet e Kosovës, si dhe dështimin e sulmit terrorist, për ta okupuar veriun me forcë, ta ketë serish nën kontroll dhe përmes "listës serbe" të menaxhojë përsëri, siç do ajo, me tërë veriun e Kosovës, akt perfid të cilin shteti i Kosovës, duhet në çdo mënyrë, ta mënjanojë dhe mos të lejojë, të përsëritet më”, potencoi analisti.

Ndër të tjera, bëri një kërkesë urgjente për Qeverinë e Kosovës, duke thënë se Listës Serbe është subjekt i rrezikshëm dhe duhet t’i pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhje

“Dhe pas aktit terrorist të udhëhequr nga nënkryetari i “listës serbe” këtij grupimi konspirative serb, në rrethanat e reja të krijuara në vendin tonë, Qeveria dhe shteti i Kosovës, pikësëpari duhet të kërkojë urgjentisht, duke filluar nga Goran Rakiq dhe subjekti misterioz politik që ai udhëheqë, të kushtëzohet me dënimin e aktit terrorist serb, të 24 shtatorit, të distancohet publikisht nga krye terroristi Milan Radojçiq, i cili e ka marr përsipër përgatitjen, organizimin dhe kryerjen e aksionit terrorist të 24 shtatorit, si dhe të dëshmojë se e njeh dhe respekton shtetin e Kosovës, përndryshe dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës “lista serbe”, si subjekt i rrezikshëm për vendin dhe tërësinë territoriale të Kosovës, duhet t’i pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhje, të dënohet për shkeljen e ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës si dhe t’i ndalohet rreptësishtë veprimtaria në Kosovë”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Duhanaj: Lista Serbe, që nga themelimi i saj, ka qenë dhe mbetet projeksion i presidentit

Image
Analisti tjetër politik, Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti tjetër politik, Leon Duhanaj, tha se pas sulmit terrorist në Banjskë, situata politike ka ndryshuar.

Sipas tij, LS është projekt i Vuçiqit dhe vepron në bazë të urdhrave të Serbisë.

“Pas sulmit terrorist në Banjskë, kanë ndryshuar shumë gjëra dhe, si pasojë edhe nuk do të mund të zbatohen disa nga planet e mëhershme.

Lista Serbe, që nga themelimi i saj, ka qenë dhe mbetet projeksion i presidentit Vuçiq. Tani janë të detyruar të luajnë kinse si kooperues, në mënyrë që të jenë në rrjedha, për masat dhe qëndrimet të cilat do t'i marrin të urdhëruara nga Serbia”, deklaroi ai për “Bota sot”.

Duhanaj e vlerësoi si pozitive vendimin e LS për pjesëmarrje në zgjedhje, derisa kërkoi nga Kosova që ta shfrytëzoj këtë gjë.

“Për mendimin tim, paraqitja e tyre se do të marrin pjesë në zgjedhje, është pozitive dhe si e tillë duhet të shfrytëzohet nga Kosova, që të shtrihet rendi dhe ligji në veri, i cili pas shumë ngjarjeve u shfrytëzua për dezintegrimin total.

Qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës, duhet të bëhen me pro aktiv dhe t'i ndihmojnë bashkëqytetarët serb, të cilët nuk janë në lindje me Listen Serbe që të organizohen në opozite bërje karshi instrumenteve të Beogradit”, shpjegoi analisti.

Në fund, ai tha se duhet të kërkohen rrugë për integrim të komunitetit serb në jetën politike e publike në Kosovë.

“Ne si shumicë shqiptare, e kemi për detyrë t'i ruajmë elementet e shtetit dhe për ta bërë këtë, duhet të kërkojmë rrugë dhe metoda për integrimin e komunitetit serb në jetën politike e publike.

Natyrisht që kjo nuk është sfidë e lehtë, por jo edhe e pamundshme, sepse këtë e kemi dëshmuar para do vitesh. Por për ta arritur ketë, duhet të kemi qeveri të përgjegjshme dhe të aftë për t'i lexuar projeksionet e nevojshme strategjike e jo të merren me improvizime arrogante të cilat çojnë në destabilizim”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat