“Vuçiq po ndryshon taktikat e lojës së poshtër politike”, analisti “zbulon” ecurinë e dialogut Kosovë- Serbi

Politika

“Vuçiq po ndryshon taktikat e lojës së poshtër politike”, analisti “zbulon” ecurinë e dialogut Kosovë- Serbi

Nga: Naile Ejupi Më: 16 tetor 2023 Në ora: 23:12
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Sulmi terrorist i 24 shtatorit ka lënë dialogun në gjysmë, madje duke u vënë në pikëpyetje edhe ecuria e tij.

Për gatishmërinë e dialogut me Serbinë pas rastit në Banjskë është pyetur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në përmbyllje të Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë.

Kurti ka deklaruar se fillimisht duhet të zbatohet marrëveshja bazike.

Madje, theksoi se i ka kërkuar kryeministres serbe, Brnabiq për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike, por thotë se ajo nuk ishte e interesuar.

“Ne kemi marrëveshje me Serbinë të 27 shkurtit njohja de facto reciproke duhet të zbatohet. Pala serbe ka refuzuar edhe sot kam kërkuar nga Brnabiq ta nënshkruaj marrëveshjen bazike, unë jam që të zbatohen ato. Vuçiq ishte i zënë sot në Kinë. Nëse është aq i interesuar për stabilizim le ta nënshkruaj marrëveshjen”, u shpreh Kurti.

Në anën tjetër, analisti politik Skënder Mulliqi, thotë se dialogu nuk ka mundësi të vazhdojë me dinamikat e para aktit tragjik.

Ai ka “akuzuar” BE-në si të paaftë që ta dërgojë procesin përpara, gjersa ka shtuar se ata kanë favorizuar palën serbe.

“Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, me agresionin terrorist serb, nuk ka mundësi të vazhdojë me dinamikat si para aktit tragjik të 24 shtatorit në Banjskë. Situata politike nuk përkon më situatën eskaluese në terren të cilën e prodhuan Putini dhe Vuqiqi me argatët e tyre serbo rusë. Zyrtarët e BE-së po bëjnë thirrje që të dy palët të kthehen procesit të dialogut, pa precizuar se si do të duket ai. Procesi i vjetër i dialogimit të cilën e drejtuan Borell dhe Lajçak, nuk ka perspektivë. BE-ja nuk po është në gjendje që procesin ta dërgojë përpara, sepse nuk kemi ende ndonjë paralajmërim të realizimit të kërkesave reale të Kosovës, që Serbia të ndëshkohet, e Kosovës t’i hiqen masat e embargos ekonomike. Kjo strukturë evropiane ka bërë shumë lëshime e gabime, duke e favorizuar palën serbe, në krye më Vuçiqin, i cili kurrë nuk i përfilli kërkesat që ju bën në lidhje më marrëveshjet, e as këto të fundit të Brukselit dhe të Ohrit, të planit frano-gjerman.”, deklaron Mulliqi.

Image
Skënder Mulliqi

Sipas tij, me Borrellin dhe Lajçakun procesi nuk ka mundësi të ecë përpara.

“Nëse vazhdohet dialogu me logjikën e vjetër, vetëm sa do të përkeqësohen edhe më shumë gjendja acaruese midis Serbisë të pa reformuar e agresore, dhe Kosovës e cila po mbron legjitimitetin dhe kushtetushmërinë e Republikës. Apo ndoshta zyrtarët evropianë po dëshirojnë t’i zvogëlojnë tensionet, deri në vitin që vjen kur edhe i kemi zgjedhjet për Parlamentin Evropian, e pastaj komisioni të ideon një proces të ri, e mendohet se do të kemi edhe njerëz të tjerë të cilët do të merren më dialogun. Me Borellin dhe Lajçakun tashmë u bë shumë e qartë se procesi nuk ka mundësi të ecë përpara, edhe për faktin se këta zor që mund të kanë qasje më ndryshe, shumë më pozitive të procesit. Kemi pushtetin e pa reformuar të Serbisë, i cili nuk i ka hequr pretendimet territoriale ndaj Kosovës, dhe madje Vuçiqi po promovon terroristin Radojqiq në hero”, pohon Mulliqi.

Ai thotë se presidenti serb po ndryshon taktikat e lojës së poshtër politike, gjersa shton se normalizimi dhe dialogu nuk ka mundësi të funksionojnë duke provokuar në mënyrë të hapur që me dhunë të ndahet Kosova.

“Normalizimi i marrëdhënieve bëhet kur hiqet nga fjalori politik dhe mendësia e mykur mesjetare serbe ndaj Kosovës, duke pranuar pavarësinë e saj. Normalizimi dhe dialogu nuk ka mundësi të funksionojnë duke provokuar në mënyrë të hapur që më dhunë të ndahet Kosova. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq veç sa po i ndryshon taktikat e lojës së poshtër politike, për të mbuluar ngjarjen tragjike terroriste në Banjskë të sponzorizuar nga ai vet, dhe Putin, se gjoja tash i pranon zgjedhjet e reja në veri, e rregullisht ka kërkuar bojkotimin e tyre përmes Listës Serbe. Kjo listë dihet së është organizatë politike e cila kontrollohet nga pushteti i Beogradit dhe e cila ka promovuar terrorizëm të hapur, në veri përmes dy krerëve të saj, Rakiqit dhe Radojqiqit. Kjo Listë duhet të shpallet si e jashtëligjshme në Kosovë”, përfundon Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat