Kush janë bashkëpunëtorët shqiptarë të terroristit Milan Radoiçiq?

Politika

Kush janë bashkëpunëtorët shqiptarë të terroristit Milan Radoiçiq?

Nga: P.Rudi Më: 17 tetor 2023 Në ora: 08:01
Milan Radoiçiqi

Ditë më parë, në media u raportua se në vilen e konfiskuar të kriminelit serb, Milan Radoiçiqi, Policia ka gjetur edhe listën e bashkëpunëtorëve të tij shqiptar.

Deri më tani, një lajm i tillë ende nuk është konfirmuar nga institucionet e sigurisë në Kosovë.

Por hetim të plotë lidhur me këtë po kërkon analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.

“Ndaj pas lajmeve për zbulimin e akteve, emrave dhe grupeve e personave që kanë bashkëpunuar me kryeterroristin Milan Radoiçiqi, tani është obligim ligjor, momenti vendimtar dhe detyrë primare e Prokurorisë së shtetit, jo vetëm të hetohen deri në detaje, por edhe të ngritën aktakuza dhe arrestohen deri në pinjollin e fundit, të gjithë bashkëpunëtorët shqipfolës të kryekriminelit Milan Radoiçiq në Kosovë dhe atyre shqipfolësve nga Mali i Zi dhe FYROM-i, që hyjnë e dalin rregullisht apo edhe veprojnë për kohë të gjatë në vendin tonë, por që janë dhe ishin argat tanimë të njohur të kryeterroristit serb Milan Radoiçiq”, thotë Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij, është momenti i fundit që ata që bashkëpunuar për vite me radhë me kriminelin serb të dalin para drejtësisë.

Image
Gani Qarri.

“E duke qenë se është folur në vijimësi, për bashkëpunëtorët e mundshëm shqipfolës të kryeterroristit serb, Milan Radojçiq, tanimë ka ardhur momenti dhe për herë të parë, po troket fort edhe ora e zbardhjes përfundimtare të emrave të tyre nga Prokuroria me fakte dhe argumente, të secilit person, ndaj para se ne, të përmendim emra, duhet të kemi durim edhe vetëm pak kohë, që ti shohim me sytë tanë, se si drejtësia në Kosovë, do ti sjell duarlidhur, bashkëpunëtorët e Radojçiqit si të akuzuar penal, para gjykatave dhe tu jap dënimin e merituar ligjor”, thekson Qarri.

“Dhe kjo nuk do të jetë e vetmja ngjarje as masë e mjaftueshme, por krahas marrjes së dënimit ligjor, kundër bacileve si ata, duhet medoemos të pasojë edhe dënimi publik-mbarëpopullor, nga qytetarët e Kosovës, që nënkupton edhe vdekjen e tyre politike dhe shuarjen e karrierave, çfarëdo qofshin ato, nëse vërtetë të gjithë ata, kanë mund të kenë pasur, ndonjëherë, profesion jo-inkriminues, ngase nuk do tu ngelet vend as fytyrë më, që as të jetojnë në Kosovë, por pas mbajtjes së dënimit, do të kërkojnë ti bashkohen kryeterroristit Radojçiq në Serbi, atje ku ai jeton, me shpresën se për hir të shërbimit që i kanë bërë , për mese dy dekada atij, edhe do tu lidhë nga një rrogë turpi, që të mbijetojnë”, shton analisti Qarri.

Më tej, Qarri kujton se si në të kaluarën, ishin pikërisht disa politikanë shqiptar të Kosovës, ata të cilët e ndihmuan që Radoiçiçin që të forcohet politikisht dhe ekonomikisht.

“Përndryshe personat dhe politikanët që bashkëpunonin me kryeterroristin, apo edhe e prisnin në zyrat e kryeministrisë së shtetit, kryeterroristin Radojçiq, të cilët e rritën dhe forcuan, madje e lejuan Radojeçiqin, që të ngritë ilegalisht në pronat e shtetit edhe vila shumëmilionëshe, çuditërisht kohëve të fundit, duken si shumë të hutuar dhe automatikisht kanë filluar të heshtin tërësisht, ndoshta nga frika e arsyeshme, se përveç daljes së fakteve dhe bërjes publike të emrave, tani i pret edhe burgu, arrestimi dhe aktakuzat penale, për bëmat e dëmshme ekonomike, politike dhe kolaboracioniste, në koordinim me Serbinë dhe Milan Radojçiqin, si bashkëpunëtor dhe argatë të dëgjueshëm të tyre, kundër popullit dhe shtetit të Kosovës, të cilët ka ardhur momenti vendimtar, që përfundimisht ta marrin dënimin e merituar, siç edhe e kanë bërë veprën dhe të syrgjynosen aty ku ata qysh moti, e kanë pasur vendin”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat