Dialogu me ekip të ri, në rrezik ‘karriget’ e Lajçak e Borell – parashikohet largimi i tyre

Politika

Dialogu me ekip të ri, në rrezik ‘karriget’ e Lajçak e Borell – parashikohet largimi i tyre

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 tetor 2023 Në ora: 11:56
Albin Kurti, Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell

Pas sulmit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit, duket se dialogu Kosovë-Serbia ka marrë një kah tjetër, apo më saktë duket se ka ngecur dhe vështirë se do vazhdojë, pa sanksionimin e Beogradit. Bashkimi Evropian ende po heziton të vendosë sanksione ndaj Serbisë pas agresionit të 24 shtatorit në veri, ndonëse ditëve të fundit ka pasur zëra se po diskutohen për disa masa ndëshkuese. 

Ky mosndëshkimi i shtetit serb ka bërë që Kosova me të drejt të mos pranojë të dialogojë në këto kushte, pa u dënuar fillimisht sulmi terrorist. Kësisoj, kjo ka bërë që të ketë ngecje në procesin e negociatave në Bruksel. 

E për këtë, profesori i Universitetit të Gracit, eksperti për Ballkanin Florian Bieber, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të kthehet në dinamikën që ishte para konfliktit në Banjë më 24 shtator dhe se situata në terren, e cila është më e keqe se një vit më pare. 

Madje, ai paralajmëroi se Brukseli mund të hartojë një plan të ri e madje edhe një ekip të ri për dialogun Kosovë-Serbi. 

“Nëse dialogu çon në përkeqësim dhe jo në përmirësim të marrëdhënieve, pyetja është nëse ka kuptim. Duket se nuk ka, dhe zyrtarët evropianë po përpiqen t’i ulin tensionet, të presin zgjedhjet e vitit të ardhshëm për Parlamentin Evropian dhe mbledhjen e re të Komisionit Evropian, i cili do të ketë për detyrë ta hartojë një proces të ri dhe ndoshta një ekip të ri”, theksoi Bieber, i cili mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Beograd. 

Po ashtu, profesori vlerësoi se i dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak nuk është në gjendje ta shpëtojë atë proces. 

“Nuk besoj se Lajçak është në gjendje ta shpëtojë atë proces”, tha Bieber, duke shtuar se qëllimi është të ruhet status quo-ja dhe të mos përsëriten situata si Banjska deri në zgjedhje. 

E në këtë pikë, edhe mund të vihen në dyshim pozicionet e Jose Borell dhe Miroslav Lajcak, me mundësinë e zëvendësimit të tyre, në rast se dështojnë ta nxjerrin nga ngecja dialogun Prishtinë-Beograd. 

Mehazi: Lajçaku dhe Borelli jo vetëm që duhet të largohen, por duhet edhe të përgjigjen juridikisht para BE-së 

Image
Sulejman Mehazi

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Sulejman Mehazi. 

Së pari, ai kërkoi largimin e sa më të shpejtë të Borell dhe Lajçak, pasi beson se me qasjen e tyre të njënashme, kanë ndihmuar vetëm Vuçiqin, e jo procesin në tërësi. 

“Me ngjarjet e rrezikshme terroriste serbe në Banjskë nuk ka asfarë arsye që dhe më tutje ndërmjetësues të dialogut të jenë dy dështakët e BE-së, Lajçaku dhe Borelli, të cilët duke dalë në anën e Vuçiqit dështuan vetë ata, që më shumë e kallnin Vuçiqit për terrorizëm  në Bruksel gjatë dialogut me Kurtin, interesant, sa herë që Kurti e Vuçiqi takoheshin në Bruksel aq më shumë Vuçiqi elektrizonte situatën në veri të Kosovës, krejt për shkak Lajçakut dhe Borellit të cilët ishin të njëanshëm me terroristin Vuçiqin e kundër kryeministrit paqësor të Kosovës, Albin Kurtit”, deklaroi ai. 

Krahas kësaj, profesori tha se Lajçak e Borell duhet edhe të japin llogari për punën e tyre para BE-së, pasi nuk mund vetëm thjeshtë të largohen nga procesi i negociatave. 

“Këtë debakël dialogues të ndërmjetësuesve evropianë, Lajçak e Borell e paralajmëroi edhe profesori i Universitetit të Gracit, eksperti për Ballkanin, Florian Bieber, se me sulmin e terroristëve serbë në Banjskë, Brukseli do jetë i detyruar të hartojë një proces të ri dialogues në mes Kosovës dhe Serbisë me një ekip ndërmjetësues të ri, që e ka kuptimin e largimit të dështakëve Lajçak dhe Borell që janë paguar këndshëm nga BE-ja, e në anën tjetër dështuan keq së bashku me presidentin e Serbisë, Vuçiqin. 

Lajçaku dhe Borelli jo vetëm që duhet të largohen, por duhet edhe të përgjigjen juridikisht para BE-së për shkak katastrofës dialoguese në mes Serbisë me Kosovën”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”. 

Preqi: Duhet të kërkohet ndihmë dhe të gjenden defektet te ndërmjetësuesit që e luajnë rolin e tyre 

Ndërsa, opinionisti Dedë Preqi përkrahu mundësinë e një ekipi të ri në negociatat Kosovë-Serbi. 

Image
Dedë Preçi

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se dështimet në dialogun e Brukselit duhet kërkuar tek ndërmjetësuesit dhe roli i tyre i deritanishëm. 

“Nuk janë të mjaftueshme negociatat dhe as takimet e deritanishme me palën serbe, që të arrihet një marrëveshje përfundimtare dhe paqësore në mes palëve, njëherazi duke ditur se më kë po ballafaqohet Kosova, që dihet edhe botërisht, por edhe negociatat e pakufishme dhe të pasuksesshme e kanë domethënien e tyre, me ç’ rast duhet të kërkohet ndihmë dhe të gjenden defektet te ndërmjetësuesit që e luajnë rolin e tyre. 

Profesori i Universitetit të Gracit, i cili është edhe ekspert për Ballkanin perëndimor, z.Florian Biber, e dha një ide shumë të qëlluar, kur ishte në një Konferencë të Sigurisë në Beograd, duke thënë, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të vazhdojë, por se kërkohet me një ekip të ri”, deklaroi opinionisti. 

Po ashtu, Preqi vlerësoi se pas sulmit terrorist në Banjskë dhe reagimet e Lajçakut, mund të thuhet se emisari sllovak dhe ekipi i tij kanë dështuar që të vazhdojnë dialogun. 

Duke ditur se prej 24 shtatorit me terrorizmin e kriminelëve serbë në Banjskë të Zveçanit, kanë ndryshuar gjërat, dhe ndërmjetësuesit e këtyre proceseve emisari Lajçak dhe ekipi i tij, sikur kanë dështuar dhe nuk mund ta vazhdojnë procesin në një format të tillë, që ta shpëtojnë në një mënyrë që dialogu të ketë një sukses më të ndritshëm, ku palët do t’i përmirësojnë marrëdhëniet e tyre, përndryshe ato u rritën dhe u përshkallëzuan edhe më shumë deri më tani. 

Dhe një proces i tillë që nuk çon në një përmirësim të situatës në mes palëve, por vetëm duke u përkeqësuar edhe më shumë, atëherë çfarë kuptimi do të kishin këto negociata dhe takime me ndërmjetësues të tillë, ku përpjekjet e tyre nuk japin kurajë për një vazhdim dhe ballafaqim të ri, që do duhej në një mënyrë mos të na zë rrugën zhgënjimi dhe të dëmtohen edhe më shumë proceset e këtij dialogu në të ardhmen”, theksoi ai. 

Krahas kësaj, opinionisti konsideron se qasja e përgjithshme e BE-së ndaj Kosovës është e padrejtë dhe se Vuçiq është sponsorizues i gjithë terrorit të organizuar në veri të vendit tonë. 

“Është e vërtetë se 24 shtatori i parapriu një procesi të ri të negocimit dhe në tjera kushte dhe nëse mund ta quanim një marrëveshje të suksesshme, edhe pse Kosova, e ka vështirë të negocioj apo të krijojë një marrëveshje të mirëfilltë me Aleksandër Vuçiqin, i cili është sponzor i gjithë atij organizimi kriminal dhe terrorist me një armatim të paparë në Banjskë të Zveçanit, duke i sulmuar policët e shtetit të Kosovës, që kishte për qëllim aneksimin e veriut të Mitrovicës. 

Profesori Biber, shton edhe për përkushtimin e z. Kurti, i cili bënë përpjekje të mëdha për ta bindur bashkësinë ndërkombëtare se Kosova, është në rrugën e duhur dhe bënë përpjekje për të vendosë rend dhe ligj në gjithë territorin e shtetit të vet, dhe me rastin e 24 shtatorit, e dëshmoi edhe vet se kush është Serbia, dhe roli i saj ndaj Kosovës, ndërsa BE pa të drejtë e sanksionon dhe dënon Kosovën, duke ia lënë Serbisë, frenjët nëpërkëmbë”, potencoi Preqi. 

Në fund, kërkoi që të hiqen sanksionet e vendosura ndaj Kosovës, derisa paralajmëroi se në rast tolerohet ende Vuçiq, atëherë mund të ketë skenarë të tjerë kriminal për Kosovën. 

“Krye përgjegjësi i aksionit terrorist në Banjskë të Zveçanit, duhet të dënohet dhe të marrë dënimin në bazë të ligjeve ndërkombëtare, dhe ndikimi i BE-së, do duhej të jetë i menjëhershëm duke e sanksionuar Serbinë dhe Vuçiqin, ndërsa Kosova do duhej të lirohet nga sanksionet e pamerituara, të cilat ishin kryekëput përgjegjësi e autoriteteve të veçanta të BE-së, në krye me Josep Borrel dhe Miroslav Lajçak. 

Nuk është befasuese në këto tensione që i shkaktoi Serbia, përmes terroristëve dhe kriminelëve të saj, mund të përfundojnë përsëri në dëm të Kosovës, duke mos e dënuar apo sanksionuar Serbinë, përderisa vazhdimisht ka presione dhe farkime vetëm ndaj kryeministrit Kurti dhe qeverisë së Kosovës, nga gjitha anët ndërkombëtare, por nëse edhe këtë herë do të tolerohej Vuçiqi, me skenarët e tij kriminale e terroriste, duke e destabilizuar Kosovën, dhe tensionuar situatën, me siguri se një ditë do të ketë kokë-dhimbje e kokëçarje edhe vetë BE-ja, duke loz me vetë autoritetin e vet”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”. 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat