Prapaskena/ Ja pse Vuçiq nuk erdhi në Tiranë – kjo ndodhi mes Ramës dhe Kurtit

Politika

Prapaskena/ Ja pse Vuçiq nuk erdhi në Tiranë – kjo ndodhi mes Ramës dhe Kurtit

Nga: P.Rudi Më: 18 tetor 2023 Në ora: 20:06
Liderët në Procesin e Samitit të mbajtur në Tiranë

Sipas profesorit dhe doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçit, takimi i Samitit të Berlinit që u mbajt në Tiranë, nuk plotësoi aspak pritshmëritë të cilat ishin.

“Megjithatë ky samit ishte shumë i rëndësishëm. Dha mesazhin se vendet e Ballkanit Perëndimor janë në Evropë dhe kanë një perspektivë, ndoshta tashmë të dukshme integrimi. Mesazhi që dha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se integrimi kërkon reforma të thella, është vërtet mesazh shprese, se Shqipëria dhe disa vende tjera si Serbia, mund të çlirohen nga kthetrat e arrogancës së qeverisjes. Është mesazh se koha e integrimit po afron, edhe për shkak të zhvillimeve gjeopolitike e gjeostrategjike në Evropën Lindore!”, shprehet Bytyçi.

Siç thotë Bytyçi, arritja më e madhe e këtij samiti është varrosja e Open Balkan-it.

“Ishte edhe kjo një arsye pse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në vend që të vinte në këtë samit, iku e shkoi bashkë me Vladimir Putin në Pekin. Kjo sjellje e tij dha një mesazh tjetër se Serbia nuk dëshiron të integrohet në Bashkimin Evropian. Edhe zëdhënësja e tij, kryeministrja Brnabiq, bëri një akt anti-europian, kur nuk pranoi të dalë në foton familjare të pjesëmarrësve në Samitin e Procesit të Berlinit”, shpjegon Bytyçi.

Më tej, ai thotë se as samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë nuk e zgjidhi ngërçin e marrëdhënieve midis dy kryeministrave shqiptarë, Albin Kurtit dhe Edi Ramës.

“E reja që ndodhi kësaj radhe ka të bëjë me vizitën e presidentit francez Macron në Shqipëri. Ka njerëz që entuziazmohen për këtë vizitë si e para e një presidenti të Francës. Por sa më pak vizita të presidentëve francezë në Shqipëri derisa Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, aq më mirë do të ishte për shqiptarët në rajon. Për Shqipërinë është mirë një vizitë e tillë. Nuk jam i sigurt se është mirë edhe për Kosovën. Megjithatë ishte një risi e mirë. Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë këtë të hënë që shkoi megjithatë nuk e zgjidhi ngërçin e marrëdhënieve midis dy kryeministrave shqiptarë, Albin Kurtit dhe Edi Ramës. Edhe pse kryeministri gjysmë shqiptar i Malit të Zi i tha Ramës se “Ti je babai i kombit”, ky babai i kombit dëshiron që gjysmën e kombit, Kosovën, t’ia falë Serbisë. Fansat e miqësive me Serbinë po akuzojnë këto ditë kryeministrin Kurti si fajtor për marrëdhëniet e ftohta me Ramën. Disa prej tyre po thonë se konflikti apo grindja mes tyre është për arsye personale e madje të karakterit ose protagonizmit të secilit prej tyre”, nënvizon Bytyçi.

“Jo! Edhe në këtë Samit Edi Rama dëshmoi se nuk është kundër Albinit, por kundër Kosovës e me Serbinë. E trajtoi Bernabiq më miqësisht sesa Albinin. Ishte Rama mikpritës i samitit. Ndaj i takonte atij të shkrinte akullin e marrëdhënies me Kurtin. Por ftohtësia e tij ishte e dukshme, ndërkohë që i bënte karshillëk me “ma tmirin prej krejtve”, Abazoviçin. Sikur edhe Kurti ta kishte mbiemrin Kurtoviç, me siguri se sjellja e Ramës me të nuk do të ishte kaq e ftohtë. Pra ky samit nuk i ofroi më tepër dy kryeministrat shqiptarë. Dhe unë them se është shumë më mirë kjo. Nëse afrohesh me Ramën, ose ke hyrë nën ombrellën e tij e udhëton në mot me furtunë drejt Beogradit, ose do përballesh me intriga të pamenduara e të paparashikuara. Kush është fotografuar me Edi Ramën me dhëmbë jashtë, ka përfunduar në krahët e tij! Albin Kurti nuk po i bindet kësaj skeme. Më mirë të mos bindet për të shkuar drejt kompromiseve që cenojnë territorin dhe sovranitetin e Kosovës”, shton më tej profesor Bytyçi.

Sipas Bytyçit, ky samit pritet të përshpejtojë integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Por jo aq shpejt sa mendon dikush. Pa u zgjidhur konfliktet për shkak të orekseve serbe për territore, ndikim e influencë te vendet e tjera të rajonit, nuk zgjidhen as konfliktet në rajon. Kjo gjë do ta mbajë peng rajonin tonë. Serbia edhe për një gjysmë shekulli nuk do të jetë gati të bëhet pjesë e strukturave euro-atlantike. Është dhe do të jetë peng e Rusisë. Këtë e dëshmoi edhe karshillëku i Vuçiç me rastin e këtij samiti”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat