Kancelari Scholz bëri thirrje për tejkalim të konflikteve rajonale/ Analistët japin kundërpërgjigjen – ja mesazhi për Serbinë!

Politika

Kancelari Scholz bëri thirrje për tejkalim të konflikteve rajonale/ Analistët japin kundërpërgjigjen – ja mesazhi për Serbinë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 18 tetor 2023 Në ora: 21:57
Olaf Scholz

Pas përfundimit të samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, vendet e Ballkanit Perëndimor marrin me vete një mesazh të rëndësishëm: Plani i ri i rritjes ekonomike kërkon reforma të thella dhe një treg të vetëm rajonal. 

Në këtë samit u bisedua gjithashtu edhe për tensionet që u krijuan ndwrmjet Kosovës dhe Serbisë. 

Në veçanti foli edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili theksoi se Gjermania dhe BE e kanë dënuar si të papranueshëm sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe veprimtaritë e tjera në goditje të institucioneve dhe njerëzve në sulmin terrorist serb në fshatin Banjë në veri të Kosovws muajin e kaluar, më 24 shtator. 

Më tej Scholz ka apeluar në tejkalimin e konflikteve rajonale që po e mbajnë peng Ballkanin Perëndimor. 

“Ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet të cilat kanë vijuar për shumë gjatë dhe në fakt ju kanë mbajtur dhe ju mbajnë në vendnumëro. Përshkallëzimet e kohëve të fundit në Veri të Kosovës kanë vërtetuar sa e rëndësishme është kjo. Ne duhet të përfundojmë zbatimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur në dialogun për normalizim me ndërmjetësin e BE-së”. Deklaroi ai. 

Kujtojmë që pjesëmarrës në këtë ngjarje madhore, përveç liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimorë, pritet të jenë edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Verhelyi dhe shumë zyrtarë tjerë të BE-së e liderë të shteteve anëtare. 

Mirëpo pas gjithw bisedimeve dhe apelit për të shtensionuar situatën mes Kosovës dhe Serbisë, a mund të kemi një takim të radhës nw Bruksel? 

Qarri: Scholz në fakt ka bërë apel të arsyeshëm, me thirrjen për tejkalimin e konflikteve rajonale 

Image
Gani Qarri

Në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Gani Qarri. 

Ai u shpreh se përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës ka ardhur si pasojë e njëanshmërisë së udhëheqësve Lajçak dhe Escoabr, që mbajtën anen e Serbisë. 

“Në fakt vet përshkallëzimet e kohëve të fundit në veri të Kosovës, ku kriminelët e nxitur nga Serbia, kryen edhe një sulm terrorist duke vra në detyrë, një polic të Kosovës dhe plagosur një tjetër, kanë vërtetuar se sa e rëndësishme është të arrihet normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Por që shkaku i njëanshmërisë së paprecedent të ndërmjetësuesve të BE-së”, si Borell, i cili kërcënonte edhe vendet fqinje të mos kontaktonin udhëheqësit e Kosovës, Lajçak dhe Eskobar, me njëanshmërinë e tyre, arritën në këtë shkallë, kaq të lartë acarimi, sa terroristët serb, të marrin guximin, të kryejnë edhe akte terroriste, brenda territorit në Kosovë”, u shpreh ai. 

Më tej, analisti theksoi që më tepër se dy dekadave të kaluara, nga përfundimi i luftës së viteve 98-99, Vuçiqi po luanë serish me zjarr. 

“Ndaj para gjendjes së krijuar kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, gjatë fjalës së tij në hapje të Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, i cili për herë të parë zhvillohet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian (BE), me të drejtë, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tani. 

Madje, pas pak më tepër se dy dekadave të kaluara, nga përfundimi i luftës së viteve 98-99, Vuçiq po luanë serish me zjarr, duke dërguar grupe të armatosura deri në dhëmbë, për ta okupuar me forcë, veriun e Kosovës, ndaj diplomatët perëndimorë, nuk duhet të merren më, me fjalime jo-substanciale, por ta dënojnë aktin terrorist në veri të Kosovës, ndëshkojnë Serbinë dhe të ofrojnë një perspektiv të re. 

Përndryshe nëse BE serish mendon se me të njëjtit ndërmjetësues, të cilët përgjatë gjithë kësaj kohe, jo vetëm mbështetën Serbinë dhe pretendimet e saj territoriale, duke paralajmëruar shumë para aktit terrorist në veri, nga vet emisari Lajçak se do të ndodhnin konflikte, po edhe sanksionuan Kosovën, pra ndëshkuan viktimën, në vend se ta sanksiononin Serbinë, si shkaktare e të gjitha konflikteve”, shpjegon analisti. 

Qarri në bisedw e sipër për deklaratën e Scholz thotë që është e drejtë dhe se duhet të merret seriozisht pasi që edhe samiti i Berlinit në Tiranë ishte vendi ku BE mori qëndrimin e qartë nga Kosova. 

“Në fakt kancelari gjerman-Scholz në fakt ka bërë apel të arsyeshëm, me thirrjen për tejkalimin e konflikteve rajonale që po e mbajnë peng Ballkanin Perëndimor, por këtij apeli, medoemos tanimë duhet shtuar edhe emri i shtetit dhe udhëheqësve të cilët, po e rrezikojnë, përsëri paqen në rajon dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. 

BE-ja, vetëm duke ndryshuar qasjen ndaj Kosovës, quajtur gjërat me emër përkatës dhe zëvendësuar ndërmjetësit e deritanishëm, bëhet e besueshme se njëmend e ka seriozisht, si dhe fiton edhe të drejtën morale, ti ftojë palët të rikthehen në tryezën e negociatave, që nën kujdesin e lehtësuesve të ri, vërtetë të paanshëm evropianë, të arrihet marrëveshja përfundimtare, duke filluar me zbatimin rendor, njërën pas tjetrës. Prandaj besojë, se tani edhe Bashkimi Evropian, në samtin e Berlinit në Tiranë, e mori mesazhin e duhur dhe qëndrimin më të qartë nga Qeveria e Kosovës ,lidhur me mundësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, proces ky që është bllokuar dhe futur në tërësisht në “qorr sokak” në  situatën e re, të pas sulmit terrorist të grupit kriminal të ardhur nga Serbia në veri të Kosovës”, nënvizoi Qarri për “Bota sot”. 

Mulliqi: Gjithçka është e kristalizueme , se Serbia me forcë po dëshiron të ndanë veriun e Mitrovicës nga jugu 

Image
Skënder Mulliqi

Ndërsa, analisti tjetër politik Skënder Mulliqi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se pa ndonjë trysni ndaj Serbisë nuk mund të zbatohen asnjë marrëveshje. 

Gjithashtu ai thotë që në Samitin e Berlinit kemi parë që të gjitha vendet e kanë dënuar aktin e sulmit të Serbisë në Kosovë. 

“Si duket shtetet e BE-së ende po përdorin retorikën e njwjtë se duhet të zbatohen marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, pa ndonjë trysni konkrete ndaj Serbisë. Ky shtet në krye më Vuçiqin jo që nuk po reformohet, por është duke u kthyer me gjithçka në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar. 

Në Samitin e Berlinit që u mbajt në Tiranë, kemi parë sërish dënime verbale të Scholz, Macronit, e të tjerëve, të cilët u shprehen se i presin hetimet e mëtutjeshme për zbardhjen e ngjarjes tragjike në veri të Kosovës më 24 shtator. Gjermania ka mbajtur një kurs politik konstant dhe të drejtë ndaj Kosovës në dialog me Serbinë, kurse Franca dhe Macron, nuk ishin deri më tash në të njwjtën linjë politike. Kosova kurrë nuk e ka mbajtur anwn e konfliktit në rajon, duke qenë kooperuese me faktorin ndërkombëtar”, potencoi ai. 

Më tej, Mulliqi përmendi edhe vizitën e Vuçiqit në Kinë e gjithashtu refuzimin e Brnabiq për një fotografi të përbashkët në Samit. 

“Vizita e Vuçiqit në të njwjtën kohë në mbajtjen e Samitin, në Kinë ju kundërvu këtij takimi. Dhe , asnjëri nga përfaqësuesit e BE-së në këtë takim nuk e kritikojë një qëndrim të tillë. Edhe Brnabiq, nuk pranoj një fotografi të përbashkët. Ka ardhur koha që BE-ja nga verbalizmat politikë, që tashmë janë bërë bajat , të kalon në veprime konkrete më masa të ashpra ndaj Serbisë”, thekson analisti. 

Në fund, ai nënvizon që vazhdimi i dialogut duhet të ketë një strukturë tjetër të bisedimeve, me një qasje pozitive midis dy palëve të barabarta, e jo të favorizohet dhe të lëmohet Serbia. 

“Kryeministri Kurti pas samitit në një konferencë për media bëri të ditur, se Serbia duhet të dënohet, dhe se pa pranimin e pavarësinë në qendër, nuk do të ketë normalizim të marrëdhënie të ndërsjell. Ai , por edhe presidentja Vjosa Osmani, ju kanë bërë të ditur BE-së, së nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa ndëshkim të shtetit shovinist serb. Prandaj, mendoj se vazhdimi i dialogut duhet të ketë një strukturë tjetër të bisedimeve, me një qasje pozitive midis dy palëve të barabarta, e jo të favorizohet dhe të lëmohet Serbia. Unë nuk e kam të qartë se çka nënkupton hetimi, pos të ndonjë manovre të re politike të BE-së. Vuçiqi nuk është distancuar nga ngjarja tragjike , madje ai e ka lënë të lirë Radojqiqn, duke e shpallur atë edhe hero. Gjithë ai armatim i zënë nga organet tona në aktin terrorist në Banjskë, dhe në vendbanimet e tjera serbe, flasin për implikimin e shtetit serb. Gjithçka është e kristalizueme, se Serbia me forcë po dëshiron të ndanë veriun e Mitrovicës nga jugu”, përfundoi Mulliqi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat