22 vjet nga vrasja e Bekim Kastratit e Besim Dajakut: Këto vrasje janë faqja e zezë e pasluftës, u bënë nga bashkëkombësit tanë

Politika

22 vjet nga vrasja e Bekim Kastratit e Besim Dajakut: Këto vrasje janë faqja e zezë e pasluftës, u bënë nga bashkëkombësit tanë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 19 tetor 2023 Në ora: 07:57
Bekim Kastrati e Besim Dajaku

Po bëhen plotë 22 vite që nga vrasja e Bekim Kastratit, gazetarit të “Bota sot”, si dhe truprojës së Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugoves, Besim Dajaku.

Në këtë rast të rëndë, ku u vranë dy persona, i plagosur ka mbetur edhe ish deputeti Gani Geci. Sulmet ndaj tyre ende kanë mbetur pa u zgjidhur.

Ndonëse nuk ka të identifikuar dhe të arrestuar, edhe prokuroria hesht.

Gazeta ka kontaktuar prokurorinë, mirëpo ata nuk kanë dhënë asnjë koment nëse ka informacione të reja.

Megjithatë rasti nuk mbetet në harresë nga bashkëpunëtorë të tyre, aso kohe.

Kështu për gazetën ‘Bota sot’, ka folur Skender Zogaj, zyrtar i LDK-së dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Rugova.

Zogaj: Pa asnjë dilemë janë krime që janë bërë nga duart e zeza të bashkëkombasve tanë

Image
Skënder Zogaj

Ai thotë se, vrasjet e pasluftës janë krimet e ‘faqes së zezë’ që janë bërë nga bashkëkombasit tanë, që kanë tradhtuar vendin dhe popullin e vet.

“Vrasjet e shqiptarëve, bijve dhe bijave më të mira atdhetare, pas përfundimit të luftës është faqja më e zezë e historisë së re shqiptare, sepse, pa asnjë dilemë janë krime që janë bërë nga duart e zeza të bashkëkombasve tanë, të cilët kanë vazhduar tradhëtinë kundër vendit dhe popullit të vet”, thekson Zogaj.

Ai ka folur për gazetarin Bekim Kastrati, tashmë të ndjerë, për aktivitetin e tij dhe punën që bënte në gazetën “Bota sot”.

Zogaj thotë se, Bekim Kastrati ishte një gazetar i pastër si loti, që pa asnjë lloj paragjykimi ideologjik, por, në idealet rugoviane që, koha po tregon se Bekimi kishte të drejtë apsolute që i përkrahte dhe i proklamonte si variantin më të mirë për sendërtimin e ëndrrave të lirisë dhe të shpagimit të sakrificave shekullore shqiptare.

“Se është kështu, shembull tipik është ma vrasja makabre e gazetarit Bekim Kastrati, një djaloshi të talentuar demokrat dhe idealisti brilant i shqiptarizmit, i dëshmuar nga shkrimet e tij të publikuara në të cilat vlonte shpirti liridashës i atdhetarisë për Kosovën e lirë dhe pavarësinë e saj. Bekim Kastrati ishte një gazetar i pastër si loti që, i tëri e kishte vënë shpirtin dhe mendjen në shërbim të përparimit të vendit, sendërtimin e shtetëndërtimit të Kosovës, pa asnjë lloj paragjykimi ideologjik, por, në idealet rugoviane që, koha po tregon se Bekimi kishte të drejtë apsolute që i përkrahte dhe i proklamonte si variantin më të mirë për sendërtimin e ëndrrave të lirisë dhe të shpagimit të sakrificave shekullore shqiptare”, tregon Zogaj.

Ai thotë tutje se, duke qenë kështu, vrasësit janë më të zinj se gjakatarët serb, dhe nuk ka dyshim se e meritojnë dënimin më të lartë të mundshëm ligjor.

“Këtë Kosova nuk e bëri dhe kjo tregon se, vrasësit e Bekimit, dhe Besim Dajakut e të dhjetra patriotëve më të mirë të Kosovës, nuk janë zbuluar sepse kanë qenë të mbrojtur nga strukturat shtetërore të Kosovës, pra kriminelët janë mbrojtur nga ata që është dashur t’i zbulojnë dhe dënojnë”, vlerëson ai.

Zogaj tutje thotë se, kjo nuk ka ndodhur dhe, sa po shihet nuk do të ndodh brenda Kosovës, prandaj, mbetet të shpresojmë që këtë ta bëjë Gjykata Speciale.

“Unë shpresoj dhe uroj që Specialja të merret me vrasjet politike të pasluftës, sepse, pa u zbardhur vrasësit, nuk do të zbardhen as strukturat e organizuara kriminale të cilat ende vazhdojnë ta funksionojnë dhe paraqesim rrezik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi ai.

Tërnava: Këto vepra të kryera dhe të pazbuluara po e dëshmojnë se ata të cilët e qeverisen vendin që nga paslufta e deri më tani, janë të dyshuar

Image
Hajrullah Tëranva

Poashtu, për këto vrasje ka folur edhe ish zv/ministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava. Ai thotë se, vrasjet e pasluftës të kosovarëve-shqiptarë, e që ishin në numer jo të vogël, mjerisht deri më tani nuk janë zbuluar ende, prandaj edhe mos zbulimi i këtyre vrasjeve është një shkak që ndërkombëtaret e shpikën Gjyqin Special në Hagë.

“Tani ata të akuzuar që gjenden në Hagë e që argumentohet fajësija e tyre, gjithsesi se do të dënohen me burgosje të gjata, por të akuzuar edhe të tjerë për në Hagë, do të ketë sipas të gjitha gjasave, sa të merren në pytje të gjithë dëshmitarët që kanë të bëjnë me dëshmit e këtyre të tanishmeve që gjenden në Hagë. Ndërkombetaret që e kanë qeverisur vendin tonë nga viti 1999 e deri në vitin 2008 kur u shpall pavarësia e Kosovës, kishin mjaftë të dhëna dhe dëshmi edhe për vepërkryesë të ndryshëm të krimeve të kryera sikur që ishin vrasje të shumta, por ata e kishin mësuar mentalitetin e popullit tonë, dhe e kishin të qartë se ata “çlirimtarë” tani që gjenden në Hagë, kush do mund t’i dënoj nga gjykatësit kosovarë?”, pyet Tërnava.

Eksperti i sigurisë, Tërnava thotë se, duke i ditur procedurat gjyqësore dhe prapavijat e rrjedhave të gjyqit si dhe mentalitetin e kosovarëve u vendos që gjyqi te vendoset në Hagë, dhe të gjithë gjykatësit të jenë nga shtete të huaja, por harxhimet dhe pagat e gjykatësve do të mbulohen nga institucionet e Kosovës, sikur po veprohet tani.

Ai duke folur për vrasjen e gazetarit Kastrati dhe truprojes së Presidentit Rugova, Besim Dajakut, thotë se kjo heshtje e gjatë e këtyre vrasjeve politike të pazbuluara kaq gjatë, po na e dëshmon se në këto vrasje janë të involvuar edhe ata “rrahagjoksa që e kanë çliru Kosovën” dhe që deri më tani askush nuk e pati guximin që të inicohet zbulimi i këtyre vrasjeve.

“Prandaj ky është shkaku i krijimit të Gjyqit Special të Hagës, që tani po bëhen tri vite që po gjykohen të dyshuarit në Hagë, dhe sipas të gjitha gjasave ky gjykim do të zgjatet në një periudhë më të gjatë duke iu faleminderuar numër të madh të dëshmitarëve që po dëshmojnë në këtë gjyq, prandaj tani ky Gjyqi Special në Hagë, ndonëse nuk e ka në traget periudhën kur janë kryer vrasjet, shpresohet se zbardhjet e këtyre vrasjeve do të ndodhin dhe të vërtetat kriminale të vrasjeve të personaliteteve politike do të zbardhen dhe vrasësit do ta marrin dënimin e merituar, dhe nga këto gjykime do te nxirret një përvojë që do të ndikoj në preventivën e jetës, se kush të kryen vrasje të tilla, ato herëdo kur do të zbulohen, dhe do t’i marrin dënimet e merituara, duke i vuajt dënimet e tyre, nëpër burgje ku iu caktohen vuajtjet e këtyre dënimeve”, vlerëson ai.

Sipas tij, dhe familjarët që i kanë përjetu këto vuajtje të vrasjeve të afërmëve të tyre, do ta kenë më të lehtë që së paku e drejta do të dominoj dhe do t’iu shërbej edhe të tjerëve që veprat e kryera, herëdokur do të zbardhen dhe përgjegjësit do të dënohen pamëshirshëm, duke e kalu jetën e tyre nëpër burgje, si vepërkryes kriminel, ku për këto vepra ka familjar që munden t’i jetësojnë edhe ligjet e kanunit të hakmarrjeve.

“Këto vepra të kryera dhe të pazbuluara nga vendoret deri me tani po e dëshmojnë se ata të cilët e qeverisen vendin që nga paslufta e deri më tani, janë të dyshuar për këto vrasje që nuk u zbuluan asnjë deri më tani, e ata të dyshuar tani gjenden në Hagë, dhe disa të tjerë që pritet t’iu bashkangjiten atyre në Hagë”, theksoi Tërnava për ‘Bota sot’.

Kujtojmë se 22 vjet më parë, pas një atentati të organizuar mirë nga grupet kriminale, kanë mbetur të vrarë Bekim Kastrati, gazetar i gazetës kombëtare “Bota Sot” dhe Besim Dajaku, pjesëtar i sigurisë së Presidentit Ibrahim Rugova. Në këtë atentat, kishte mbetur i plagosur rëndë edhe Gani Geci, ish-deputet i LDK-së. Misioni për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, kishte hetuar këtë vrasje makabre, por pas një kohe kishte pushuar hetimet. EULEX-i kishte bërë të ditur se Agron Sylejmani, ishte personi i identifikuar për atentatin e 19 tetorit të vitit 2001.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat