Çka fshihet pas deklaratës së Macron-it për vizat që “shqetësoi” aq shumë Kosovën? 

Politika

Çka fshihet pas deklaratës së Macron-it për vizat që “shqetësoi” aq shumë Kosovën? 

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 19 tetor 2023 Në ora: 09:25
Emmanuel Macron

Për liberalizimin e vizave Kosova ka luftuar shumë. E këtë vit u mor vendimin se nga janari 2024 qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza në zonën shengen.  

Por, një deklaratë e bërë nga presidenti i Francës Emmanuel Macron, që doli të ishte “keqinterpretim”, shkaktoi zemërim të madh tek qyetarët e Kosovës.  

Presidenti francez, Emmanuel Macron ishte për vizitë në Shqipëri në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit.  

Ai tha se Franca bëri një "gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën".  

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron.  

Por, a mund të rikthehet një vendim që tashmë është ka hyrë në agjendë zyrtare?  

Batusha: Vendimi për liberalizimin e vizave është një proces i mbyllur  

Image
Agon Batusha

Deputeti i VV-së, Agon Batusha, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se ajo çfarë ka thënë presidenti Macron është juridikisht e pamundur sepse Kosova i ka plotësuar të gjitha detyrimet dhe kërkesat e kërkuara nga BE.  

“Në rend të parë, dua të ju siguroj se vendimi për liberalizimin e vizave është një proces i mbyllur dhe i përfunduar për Kosovën.  

Deklarata e fundit e Presidentit Macron për "Pezullimin e liberalizimit të Vizave për Kosovën" është juridikisht e pamundur, pasi Kosova ka plotësuar të gjitha detyrimet dhe kërkesat për liberalizim të vizave”, thotë ai.   

Sipas tij, procesi është finalizuar dhe Komisioni Evropian është adresa e vetme për t’iu referuar çështjeve të liberalizimit të vizave.  

“Ky proces është finalizuar, dhe vendimi për të lejuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në Bashkimin Evropian është përfundimtarë.   

Le të mbetemi të qetë dhe të përqafojmë Bashkimin Evropian me besim më 1 janar 2024.   

Sepse vetëm Komisioni Evropian është adresa e duhur për të iu referuar çështjeve të liberalizimit të vizave, i cili merr vendime me pajtueshmërinë e gjitha shteteve anëtare, pra nuk mund të ketë vendime individuale të shteteve dhe as të njëanshme”, përfundoi Batusha.  

Pantina: Deklarata e Macronit është keqinterpretuar sa i përket vizave  

Image
Shqipe Pantina

Edhe zyrtarja e LDK-së, Shqipe Pantina, ka thënë se liberalizimi i vizave nuk do kthehet në shqyrtim në BE.  

“Nuk besoj se çështja e liberalizimit të vizave do kthehet në rishqyrtim në BE. Deklarata e Makronit është keqinterpretuar sa i përket vizave. Megjithatë është shqetësuese pjesa tjetër e deklaratës së tij kur ai thotë se “nuk është mbajt fjala” e ku i referohet Kosovës. Mosrespektimi i zotimeve të marra nga ana jonë padyshim prodhon pasoja të cilat tashmë edhe jemi duke i vuajtur”, thotë ajo.   

Kurse, sa i përket asociacionit, Pantina thotë se nuk do ta pengojë lëvizjen e lirë, por mund të pengojë për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në organizma Euro-Atlantik.  

“Krijimi i Asociacionit mund të mos e pengoj lëvizjen e lirë të qytetarëve tonë në shtetet e zonës schengen (dhe unë besoj se nuk do e pengon) por do prodhojë pengesa tjera për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në organizma Euro-Atlantik dhe kjo mund të sjellë më shumë pasoja për Kosovën se mos heqja e vizave”, deklaron ajo.  

Rugova: Një gjë është e qartë se çështja e liberalizimit të vizave është punë e kryer  

Image
Naser Rugova

Analisti dhe ish deputeti i LDK-së, Naser Rugova, shprehet se liberalizimi i vizave është punë e kryer dhe asgjë nuk mund ta kthejë prapa, andaj thotë që edhe si qytetarë të mos shqetësohemi për këtë temë më.  

“Një gjë është e qartë se çështja e liberalizimit të vizave është punë e kryer dhe asnjë deklaratë politike e asnjë lideri të BE nuk mund ta kthej mbrapa si vendim. Edhe ashtu Kosova ka vite që i ka përmbushur kriteret për këtë çështje, dhe nuk duhet të kemi shqetësime si qytetarë për këtë temë. Nuk mendoj se çështja e liberalizimit të vizave do shfrytëzohet si presion për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këto dy çështje nuk kanë të bëjnë fare me njëra tjetrën”, thotë ai.  

 Ai shton, Vuçiqit dhe Beogradit duhet t’i bëhet presion, sepse vetëm ai është faktor i krizave në Kosovë dhe rajon.  

Derisa, për Kosovën thotë që duhet të veprojë me urti dhe të gjitha vendimit t’i marrë në koordimin me aleatët tanë.  

“Rreth normalizimit të marrëdhënieve Kosovë - Serbi adresa e presionit duhet të jetë Vuçiç dhe Beogradi zyrtar, se kush është faktor i krizave dhe tensioneve në rajon tregoi agresioni i grupit terrorist më 24 shtator që faktet po tregojnë se janë të lidhur direkt me shtetin serb. Kosova duhet të jetë e kujdesshme në këtë fazë, të veprojë me urti, mençuri dhe sens diplomatik dhe mos të ndërmerr asnjë veprim pa koordinim të ngushte me SHBA, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar si aleatë strategjik të Kosovës”, përmbylli ai për “Bota sot”.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat