Kosova nuk do të duhej ta pranonte vizitën e 5-shes evropiane, analisti jep shpjegimin pse?

Politika

Kosova nuk do të duhej ta pranonte vizitën e 5-shes evropiane, analisti jep shpjegimin pse?

Nga: A.SH Më: 19 tetor 2023 Në ora: 14:47
Pesëshja evropiane që do ta vizitojë Kosovën

Më 21 tetor pritet që Kosovën ta vizitojë pesëshja evropiane.

Qëllimi i kësaj vizite sipas BE-së, është të shtyhet përpara zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit dhe Aneksit për zbatimin e saj.

Analisti politike Rexhep Elezaj, në një prononcim për “Bota sot” thotë se kjo vizitë ka për qëllim rikthimin e palëve në dialog duke e parë si rrugë të vetme për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas Elezajt, Kosova nuk do të duhej ta pranonte këtë delegacion pa u ndëshkuar Serbia për sulmin në Banjskë të 24 shtatorit.

“Vizita e 5-shes evropiane në krye me z. Miroslav Lajçak dhe ndërmjetësuesin amerikan z. Gabriel Escobar me 21 tetor në Prishtinë dhe Beograd, vije si rrjedhojë e ndërprerjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për shkak të sulmit terrorist të grupit kriminal dhe paramilitar serb me 24 shtator në fshatin Banjskë, ku vranë policin e Kosovës, tanimë heroin Afrim Bunjakun, meqë rast temë numër një do jetë kthimi i palëve në dialog, si rrugë e vetme për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

Natyrisht, se pala kosovare nuk do duhej ta pranonte vizitën e këtij delegacioni, derisa BE-ja nuk e sanksionon me masa konkrete regjimin fashist të Beogradit në krye me A. Vuçiq, për shkak të agresionit të armatosur të Serbisë ndaj Kosovës në veri të saj me 24 shtator, duke futur brenda Kosovës grupin kriminal prej 90 paramilitarëve serbë të armatosur deri në dhëmbë, me qëllim për ta okupuar me dhunë veriun e Kosovës, e që, shikuar realisht, rikthimin e palës kosovare-shqiptare në dialog me një shtet agresor siç është Serbia, e bën gati të pakuptimtë si dhe fyes për Kosovën.

Pra, derisa regjimi hegjemonist i Serbisë të mos heq dorë njëherë e mirë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës, derisa të mos shkaktojë në veri të saj dhunë, sulme ndaj policisë së Kosovës, të mos ngritë barrikada dhe bojkote ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës përmes manipulimeve të pista me Listën serbe, etj., e gjithë kjo armiqësi ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, dialogun e Kosovës me Serbinë e bën të pakuptimtë”, thotë ai.

Sipas tij, ardhja e 5-shes në Beograd, BE do të duhej t’ia shtronte në tavolinë masat konkrete ndëshkuese, madje edhe në formë të prerë “ merre ose lëre”.

Derisa, Kosovën sipas Elezat, BE-ja do të duhej ta njoftonte për largimin e masave ndëshkuese, dhe t’i ofrojë Kosovës garanci me shkrim se dialogu do të përmbyllet me marrëveshje finale.

“Mirëpo, pranë mosndëshkimit të Serbisë nga BE-ja për sulmin terrorist të grupit paramilitar serb në veri të Kosovës, ardhja e 5-shes evropiane, sidomos në Beograd, dua të besoj, se palës serbe, alias A. Vuçiqit, do t'i shtrohen mbi tavolinë masa konkrete ndëshkuese, ndoshta edhe sanksione ekonomike, në formë të prerë, “merre ose lere”, pra duke ia kushtëzuar kthimin në dialog me Kosovën me pranim dhe implementim të plotë të Planit bazë të BE-së (franko-gjerman) si dhe Aneksit të saj nga takimi i Ohrit me 18 mars të këtij viti.

Kurse, palës kosovare gjatë vizitës në Prishtinë, delegacioni i 5-shes evropiane, së pari, do duhej ta njoftonte për vendimin e BE-së për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, dhe së dyti, t'i ofrojë garanca me shkrim, se dialogu Kosovë-Serbi do përmbyllet sa më shpejtë që është e mundur dhe atë me arritjen e një marrëveshjeje finale, të obligueshme juridikisht, gjithëpërfshirëse dhe me njohje reciproke midis dy vendeve, për t'i dhënë fund njëherë e përgjithmonë konfliktit historik dhe të përgjakshëm midis shqiptarëve dhe serbëve, gjegjësisht mes Kosovës dhe Serbisë.

Çdo solucion tjetër ose shmangie nga kjo agjendë e bisedimeve me 5-shen evropiane, në mesin e të cilës gjendet përfaqësuesi amerikan, z. Escobar, vetëm sa do t'i prolongojë pafundësisht bisedimet Kosovë-Serbi, gjithnjë me rrezikun permanent për ndodhjen e konflikteve të reja, jo vetëm në Kosovë, por dhe në gjithë Ballkanin perëndimorë”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat