Zyrtarja e Parlamentit Evropian jep detaje rreth rezolutës për sulmin terrorist: Ka një kërkesë për vendet mos njohëse dhe përmendet edhe asociacioni

Politika

Zyrtarja e Parlamentit Evropian jep detaje rreth rezolutës për sulmin terrorist: Ka një kërkesë për vendet mos njohëse dhe përmendet edhe asociacioni

Nga: Naile Ejupi Më: 19 tetor 2023 Në ora: 15:05
Parlamenti Evropian

Parlamenti Evropian ka miratuar të enjten rezolutën për ngjarjet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë sulmin terrorist në Banjskë.

Në këtë rezolutë, sulmi cilësohet terrorist dhe do të kërkojë përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje.

Asistentja e akredituar në Parlamentin Evropian, Federicka Woelk, ka dhënë detaje nga kjo rezolutë, që sipas saj, ajo i bën edhe thirrje pesë vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta njohin atë.

“ Të enjten, Parlamenti Evropian votoi një rezolutë mbi tensionet e fundit midis dy vendeve. Kjo rezolutë, e cila më në fund merr parasysh të gjitha aspektet e muajve të fundit, kërkon heqjen e sanksioneve nga Kosova, kërkon që Qeveria e Serbisë t'i vendosë ato në Serbi dhe u bën thirrje pesë vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta njohin atë”, ka thënë Woelk për “Bota sot”.

Image
Asistentja e akredituar në Parlamentin Evropian, Federicka Woelk

Sipas Woelk, në rezolutë vazhdon të kërkohet asociacioni i komunave serbe, por tani në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

“Përtej kësaj, ka disa fragmente shumë interesante në rezolutë, të cilat njohin qëndrimin e Qeverisë së Kosovës. Kërkesa megjithatë mbetet që të krijohet Asociacioni i Komunave Serbe, POR në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e cila është më e pranueshme”, ka deklaruar zëdhënësja e Parlamentit Evropian.

Tutje, sipas Woelk, erodeputetët po bëjnë thirrje për ndryshim të qasjes ndaj Kosovës.

“Më e rëndësishmja, megjithatë, eurodeputetët po bëjnë thirrje për ndryshim të qasjes, për ndërmjetësim neutral, jo si muajt e fundit dhe mbi të gjitha i bëjnë thirrje Serbisë që të ndalojë fushatën e saj kundër njohjes së Kosovës”, ka shtuar Woelk.

Ndryshe, rezoluta e miratuar sot, sipas raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, është parapërgatitje dhe që nuk ka ndonjë idikacion konkret që këto masa do të vendosen menjëherë, megjithatë këto masa do të vendosen menjëherë kur vërehet se ka vullnet politik për të mbështetur hetimet nga ana e Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat