Deklarata e Macron që alarmoi të gjithë, ish-ambasadori holandez zbërthen detajet: Ky do të ishte një gabim i madh!

Politika

Deklarata e Macron që alarmoi të gjithë, ish-ambasadori holandez zbërthen detajet: Ky do të ishte një gabim i madh!

Nga: A.M. Më: 19 tetor 2023 Në ora: 17:14
Presdienti i Francës, Emmauel Macron.

Disa burime diplomatike brenda Bashkimit Evropian (BE) kanë sqaruar se nuk ka mundësi që një shtet në mënyrë të njëanshme ta pezullojë liberalizim e vizave për një shtet tjetër dhe se kjo mund të bëhet vetëm përmes një rregulloreje nga Këshilli i BE-së, pas një deklarate të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që shkaktoi huti në Kosovë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në Tiranë më 17 tetor se Franca bëri një "gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën".

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron.

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli ish-ambasadori holandez Robert Bosch.

Fillimisht tha se Franca nuk mund ta ndryshojë politikën e BE-së.

Image
Ish-ambasadori holandez Robert Bosch.

Sipas tij, pezullimi i liberalizimit të vizave do të ishte një gabim i madh, pasi ka qenë një proces i gjatë me ‘çmime’ të ndryshme.

“Do të ishte gabim i madh. Por gjithashtu nuk është një deklaratë e arsyeshme pasi Franca nuk mund të ndryshojë politikën e BE-së. Ishte një proces i tërë për të arritur atje dhe nëse doni të ndryshoni të gjitha ‘çmimet’, duhet të fillohet përsëri dhe mendoj se nuk do të bëhet kjo gjë në Parlamentin Evropian”, u shpreh Bosch për gazetën "Bota sot".

Zbatimi i vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Macron foli për vizat në Tiranë duke e ndërlidhur situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti francez tha se ka ndjekur rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që të dyja palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën. Ai tha se është "përgjegjësi e [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiqit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në kthimin e qetësisë në kufi". Presidenti francez iu referua sulmeve të 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat