Çfarë asociacioni ka pranuar Kurti? Vjen thirrja për kujdes: Kjo gjë është më e rëndësishme sesa njohja “de fakto” nga Serbia!

Politika

Çfarë asociacioni ka pranuar Kurti? Vjen thirrja për kujdes: Kjo gjë është më e rëndësishme sesa njohja “de fakto” nga Serbia!

Nga: M.Lakna Më: 2 nëntor 2023 Në ora: 16:24
Foto nga takimi i 26 tetorit në Bruksel

Në takimet e 26 tetorit në Brkusel, Bashkimi Evropian(BE) përmes krerëve më të lartë të saj, Ursula von de Leyen, kancelari Scholz, presidenti Macron apo kryeministrja Meloni e Italisë, kanë kërkuar që Kosova ë pajtohet me formimin e asociacionit dhe Serbia të bëjë “de facto” njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në fakt kjo klauzolë është e përcaktuar qartë në marrëveshjen e pranuar të 27 shkurtit në Bruksel dhe aneksit të pranuar në mars në Ohër.

Krerët dhe udhëheqësit evropianë thjesht po e përsërisin dhe rikujtojnë obligimin e Kosovës dhe të Serbisë.

Por, cila është rëndësia e një njohjeje “de facto” nga Serbia nëse Kosovës i kërkohet formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në lidhje me këtë temë ka folur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Dr. Enver Bytyçi.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Sipas tij, fakti që kryeministri Albin Kurti e ka pranuar klauzolën e asociacionit mund të nënkuptojë se ai ndjehet i sigurt se nuk do të preket sovraniteti i Kosovës.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pranuar klauzolën e asociacionit, sipas variantit të propozuar nga pesëshja europiane para një jave. Pra ka thënë se është dakord të krijojë një asociacion që krijon më shumë avantazhe për pakicën serbë në Kosovë dhe sidomos atë në very të saj. Nuk i di arsyet pse Kurti e pranoi këtë. Ndoshta se ndjehet I sigurt tashmë në veri për sovranitetin e Kosovës atje, sidomos pas 24 shtatorit të kaluar. Pas fitores kundër akteve terroriste serbe Kosova ka vendosur thuajse plotësisht sovranitetin dhe sigurinë në këtë territor. Ndërkohë që ne nuk jemi njohur ende me projektin që Kurtit i ka paraqitur pesëshja evropianë. Nuk e dimë, nëse ai projekt mbron shtetësinë dhe sovranitetin e plotë të Kosovës në territorin e saj”, ka thënë Bytyçi.

Megjithatë, ai thotë se askush nuk mund të jetë i sigurt se nuk do të preket sovraniteti i vendit, derisa nuk shohim diçka konkrete.

Nëse i besojmë kryeministrit Kurti, themi po. Projekti evropian nuk rrezikon shtetësinë e Kosovës. Por askush nuk mund të jetë i sigurt për këtë, derisa ta shohim me sytë tanë diçka të tillë”, shprehet profesori, duke theksuar se ndërkohë Serbisë i është kërkuar njohja “de facto”.

Për Dr. Bytyçin Kosova nuk e ka aq të domosdoshme njohjen de facto nga Serbia, sa atë nga Rusia dhe Kina. Kjo sepse fati i saj vendoset në Këshillin e Sigurimit ku Rusia dhe Kina janë anëtare të përhershme me të drejtë vetoje.

“Nëse këto dy vende do e njihnin Kosovën, atëherë shteti i Kosovës njihet automatikisht në botë. Nuk do të kishte më nevojë të numëronim tri apo katër shtete që Daçiç i paguan për tërheqjen e njohjeve. Do ishte punë e kryer.

Por, njohja e Serbisë nuk garanton asgjë. Thjesht u jep mundësinë tri ose katër vendeve nga pesë gjithsej të BE-së për ta njohur shtetin e Kosovës. Asgjë më shumë. Sigurisht që njohja nga Greqia e Rumania, ndoshta edhe nga Sllovakia e Spanja, do të ishte sukses i Kosovës dhe garanci për integrime evropiane. Por, Qiproja ruse vështirë se do ta bënte këtë. Ndoshta mund të ndikojë më pas Greqia, megjithatë do të duhet kohë shtesë. Sllovakia e Spanja do të mund ta njohin Kosovën thjesht se do të donin të promovonin “suksesin” e Borrell dhe Lajçak”, shpjegon profesori.

Ai thekson se Vuçiq po refuzon njohjen de fakto të shtetësisë së Kosovës dhe me këtë edhe nuk po pajtohet me pranimin e saj në OKB.

“Pranimin në OKB ai e kombinon me Rusinë dhe kështu kjo mundësi bllokohet. Mund të ndodhë me votimin e dy të tretave të vendeve anëtare të OKB-së, por sërishmi nuk është një vend de facto me të drejta të plota në këtë organizatë. Ndërkohë unë shoh se për pak vite OKB nuk do të jetë kjo që është sot. Nuk e dimë nëse do ekzistojë, sepse parimet e rendi i saj është shkatërruar tashmë. Në këto kushte, kur Kosova të jetë në rend të ditës, ka shumë mundësi që OKB të jetë në rikonstruksion”, potencon ai.

Megjithatë për profesorin, fakti që Vuçiçi e ka pranuar këtë zgjidhje të “autonomisë” serbe në Kosovë, lë shije jo të mirë.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është pranuar. Derisa nuk e dimë projektin e tij, mbetet të lutem dhe të besojmë gjithashtu se ky asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Fakti që Vuçiç e ka pranuar këtë zgjidhje të “autonomisë” serbe në Kosovë, më le shije jo të mirë. Ai nuk do të pranonte një asosacion formal, sa për koordinim veprimesh. Ai do një asociacion që merr vendime, pavarësisht vendimeve të institucioneve të Kosovës. Prandaj dhe jam skeptik, çfarë asociacioni është ky që ka pranuar zoti Kurti”, nënvizon Bytyçi.

Më tej, ai ka komentuar edhe propozimin e Edi Ramës për asociacionin, duke thënë se po të nisemi edhe nga ajo çfarë është publikuar, është e papranueshme p.sh që ky asociacion të monitorohet nga BE.

“Megjithatë deri tani na mbetet të besojmë te ajo që na serviret, nësë ky asociacion nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk shtrihet te çështjet e sigurisë, pra të gjyqësorit, policisë, ushtrisë dhe forcave speciale.

Është publikuar një projekt i Edi Ramës. Aty shohim vetëm parimet dhe rregullat e funksionimit, por jo edhe kompetencat e këtij asociacioni. Por po të nisemi edhe nga ajo çfarë është publikuar, është e papranueshme p.sh që ky asociacion të monitorohet nga BE. Është rikthim në protektoratin e veriut të Kosovës. Është model i propozimit të Ramës për të larguar nga veriu forcat special e policinë e Kosovës. Është e papranueshme kjo, sepse pas dy ose tri vitesh krijohet mundësia e një dialogu tjetër për status të ri të kësaj pjese të Kosovës, ku gjenden pasuritë e çmuara të saj!”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat